Gjyqtarët e prokurorët me elementë kriminalë çojini në Prokurori, nënkomisioni për drejtësinë BE- Shqipëri: Përfundoni vetingun.

17
Sigal

Nënkomisioni vë theksin tek transparenca dhe konkurenca në përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ dhe KLP

Komisioni vlerësoi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, por thekson rëndësinë e përfundimit në kohë të procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) në apel, pa cënuar cilësinë e shqyrtimit gjyqësor, si dhe nevoja e referimit sistematik të çështjeve të vetingut me elemente kriminale në prokurori.

Në datat 20 dhe 21 mars 2024, u zhvillua takimi i 15-të i Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në fushën e reformës në drejtësi, anti-korrupsionit, të drejtave themelore, azilit dhe migracionit, politikës së vizave, luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër pastrimit të parave dhe kundër terrorizmit. Takimi u bashkëkryesua nga z. Alberto Cammarata dhe znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Antikorrupsionin dhe Administratën Publike më 20 mars dhe nga z. Besfort Lamallari, Zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë më 21 mars. Përgjithësisht komisioni vlerësoi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi. U theksua rëndësia e miratimit në kohë të masave të nevojshme të tranzicionit dhe përfundimi në kohë i procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) në apel, pa cënuar cilësinë e shqyrtimit gjyqësor, si dhe nevoja e referimit sistematik të çështjeve të vetingut me elemente kriminale në prokurori. Komisioni rikujtoi nevojën për konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe përpjekjet urgjente për të reduktuar numrin e çështjeve të pazgjidhura në të gjitha nivelet e gjykatave. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përvetësuar standardet e larta të vendosura nga vetingu për punën e institucioneve vetëqeverisëse për gjyqësorin. Komisioni theksoi nevojën për të garantuar një proces përzgjedhjeje plotësisht transparent dhe konkurrues për rinovimin e vazhdueshëm të anëtarësimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Komisioni vlerësoi rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe bëri thirrje që këto përpjekje të intensifikohen më tej. Komisioni kërkoi zbatimin e konsoliduar dhe rritjen e efikasitetit në parandalimin e korrupsionit, veçanërisht në sektorët vulnerabël. Komisioni kujtoi gjithashtu nevojën për të trajtuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s. Lidhur me të drejtat themelore, Komisioni nënvizoi nevojën për progres në fushën e lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe pluralizmit, si dhe përafrimin me acquis të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Komisioni theksoi rëndësinë e trajtimit të sfidave të vazhdueshme që lidhen me të drejtat pronësore, duke përfshirë korrupsionin. Komisioni përsëriti nevojën për miratimin e shpejtë të legjislacionit të mbetur zbatues për mbrojtjen e pakicave kombëtare në përputhje me parimin e vetëidentifikimit dhe zbatimin e angazhimeve për përfshirjen e romëve, të marra në nivel ministror. Komisioni e nxiti Shqipërinë që të forcojë bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Drogën dhe të ngrejë një observator kombëtar të drogës, si dhe një sistem paralajmërimi të hershëm. Komisioni u kërkoi gjithashtu autoriteteve shqiptare të krijojnë dhe të fuqizojnë më tej zyrën e rikuperimit të aseteve. Komisioni u kërkoi më tej autoriteteve shqiptare që të vazhdojnë konsultimin me BE-në për aktet nënligjore që lidhen me ligjin për kultivimin e kanabisit për përdorime mjekësore dhe industriale. Komisioni më tej kërkoi  vendosjen e bashkëpunimit për ripranimin me vendet kryesore të origjinës, për të garantuar kthime efektive të personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë. Lidhur me azilin, Komisioni i kërkoi Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të zbatuar ligjin për azilin dhe në veçanti të garantojë qasjen e duhur në procedurat e azilit. Komisioni i kërkoi Shqipërisë që ta harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me listën e BE-së të vendeve të treta që kanë nevojë për viza për në BE dhe kujtoi se heqja sezonale e vizave nuk është në përputhje me acquis të BE-së.