Ujësjellësit do të jepen me koncesion për shkak të borxheve, gati rritja e çmimit të ujit

38

As reforma e qeverisë, që shkriu 46 ujësjellës nuk po arrin t’i nxjerri shoqëritë nga kriza e borxheve ku kanë hyrë, të cilat tashmë edhe pse janë një e mirë kombëtare dhe me rëndësi po kombëtare mund të jepen me koncesion.

Sigal

As reforma e qeverisë, që shkriu 46 ujësjellës nuk po arrin t’i nxjerri shoqëritë nga kriza e borxheve ku kanë hyrë, të cilat tashmë edhe pse janë një e mirë kombëtare dhe me rëndësi po kombëtare mund të jepen me koncesion. Qeveria tanimë ka pjesën më të madhe të aksioneve të ujësjellësve në vend, ka bërë gati nismën e re, ku furnizimi me ujë të pijshëm dhe trajtimi i ujërave të ndotura urbane, të jepen me koncesion, dhe kontrata miratohet nga kjo ministri.

Në projektligjin që është në konsultim publik ‘Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane’, janë dhënë 3 alternativa për të nxjerrë shoqëritë nga kriza dhe për të përmirësuar shërbimin, meqenëse reforma e agregimit nuk po jep rezultate.

Në 3 nene të këtij drafti thuhet se, opsioni i parë është-‘kontrata e performancës’, që lidhet ndërmjet bashkive dhe institucioneve qendrore, ku caktohen objektivat vjetore.

Alternativa e dytë është dhënia me koncesion e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane pas një studimi fizibiliteti që e bëjnë bashkitë.

Por ujësjellësit nuk kanë vetëm borxhe ndaj OSHEE, pasi në tabelat e detyrimeve të prapambetura rezulton se 5 shoqëri të ujësjellësve në vend kanë 388.3 milionë lekë detyrime të papaguara, kryesisht të krijuara nga investimet e bëra dhe që nuk janë likuiduar, mos pagesë tatimesh, në kategorinë e shërbimeve dhe kategori të tjera.

Dhe së treti është operatori i mundësisë së fundit që duhet të jetë me kapital shtetëror ose privat, i cili mund të licencohet nga ERRU-ja për të ofruar këtë shërbim.

“Miratimi i këtij projektligji është një qasje e re për përmirësimin e performancës së sektorit të ujësjellës kanalizimeve, që vuan prej dekadash nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët”,- thuhet në relacionin e projektligjit.

Reforma e qeverisë dështoi, nuk u ulën borxhet!

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj OSHEE rezultojnë të jenë në vlerën rreth 28.1 miliardë lekë deri në fund të muajit qershor. Nga të cilat, rreth 15 miliardë lekë janë detyrime të faturuara ndaj kompanisë dhe rreth 13 miliardë lekë janë detyrime për kamatëvonesa.

Ministria e Financave thotë se ujësjellësit kanë performancë të ulët për këtë arsye nuk arrijnë të shlyejnë borxhet që kanë. Por as Ministria nuk ka bërë përpjekje për ti nxjerrë nga kriza pasi në relacionin e projektbuxhetit thuhet se fondet prej 310 milionë lekësh që i janë dhënë kësaj ministrie për subvencionin e këtyre kompanive nuk janë shfrytëzuar, ndoshta për shkak se plani është për ti dhënë me koncesion.

“Akumulimi i detyrimeve të prapambetura të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve vazhdon trendin rritës, kryesisht për shkak të performancës së ulët të shumicës së shoqërive U-K sh.a. Nisur nga kjo, ka startuar aktualisht procesi i reformimit dhe riorganizimit të sektorit të Ujit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Kanalizime 2020-2030. Synimi është ridimensionimi i 58 ndërmarrjeve U-K aktuale, përmes rigrupimit të tyre në 15 shoqëri SKP-UK rajonale me qëllim final menaxhimin optimal dhe rritjen e performancës së tyre financiare në zbatim të VKM nr.302 datë 11.05.2022 “Për politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”. Ndërkohë, subvencioni nga buxheti i shtetit për sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve i planifikuar në programin përkatës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2023 në vlerën 310 milionë lekë, deri në këtë moment nuk rezulton me realizim faktik pasi nuk është detajuar ende prej tyre”, thuhet në një pjesë të relacionit të projektbuxhetit.

Por ujësjellësit nuk kanë vetëm borxhe ndaj OSHEE, pasi në tabelat e detyrimeve të prapambetura rezulton se 5 shoqëri të ujësjellësve në vend kanë 388.3 milionë lekë detyrime të papaguara, kryesisht të krijuara nga investimet e bëra dhe që nuk janë likuiduar, mos pagesë tatimesh, në kategorinë e shërbimeve dhe kategoria të tjera.

Konkretisht Ujësjellës Kanalizime Krujë ka 204.2 milionë lekë detyrime të prapambetura, Ujësjellës Kanalizime Tiranë me 156 milionë lekë borxhe që janë të gjitha për investime të papaguara, ndjekur nga Ujësjellës Kanalizime Malësi e Madhe me 26.6 milionë, Ujësjellës Kanalizime Rrëshen 0.6 milionë lekë dhe Vau i Dejës 0.6 milionë lekë.

Por çfarë ndodhi në vitin 2022?

Me qëllim që ujësjellësit të dilnin nga kriza e borxheve ku ishin zhytur qeveria vendosi që të shkrijë 46 ujësjellës dhe të krijojë vetëm 15 shoqëri ujësjellës-kanalizimeve.

Nëpërmjet këtij vendimi 51% e aksioneve të ujësjellësve i kaluan Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa pjesa tjetër u mbeti bashkive. Vendim ky që reduktoi kompetencat e pushtetit vendor duke i centralizuar në duar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Përpara këtij vendimi aksionet e ujësjellësve ishin në dorë të bashkive.

Kjo masë u ndërmor me synim shlyerjen e detyrimeve të papaguara dhe të përmirësojë financat e ujësjellësve, pritet të rrisë cilësinë e shërbimit nga qytetarëve si dhe të shtojë investimet në rrjet.

Pas këtij vendimi u vendos që ujësjellësi i Tiranës mori Kamzën dhe Vorën, ndërsa pjesë e UK Durrës do të jetë edhe Kruja, Kavaja, Rrogozhina dhe Shijaku.

Ujësjellësi i Korçës, mori Devollin, Maliqin, Kolonjën dhe Pustecin, kurse Pogradeci me Përrenjasin. Për të vijuar me ujësjellësin e Shkodrës që mori Fushë-Arrëzin, Pukën, Vaun e Dejës dhe Malësinë e Madhe, ndërsa Elbasani, me Librazhdin, Gramshin, Cërrikun, Belshin dhe Peqinin.

Nëpërmjet kësaj reforme qeveria tha se shoqëritë e ujësjellësit do të dilnin nga kriza, por në të vërtetë, nuk u realizua ky qëllim, pasi borxhet e tyre vijojnë të rriten.

“Agregimi i ujësjellësve është e vetmja mundësi për të shmangur probleme të shfaqura deri më sot. Investimet nuk kanë munguar nga ujësjellësit, por kanë qenë të fragmentuara, por tashmë do të jenë të plota që nga depot, sistemi shpërndarjes dhe vendosja e matësve. Synojmë një transformim të sektorit të ujit. Qëllimi kryesor është përmirësimi i shërbimit, duke ofruar ujë 24 orë si dhe shëndoshja financiare e të gjitha kompanive që do të krijohen”, -tha Ministrja e Infrastrukturës më 22 qershor 2022.

Rritja e tarifave të ujit, ERRU nis shqyrtimin e aplikimeve për 4 ndërmarrje

Komisioni Kombëtar Rregullator i Entit Rregullator të Ujit ka nisur shqyrtimin e katër aplikimeve të bëra nga ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në vend sa i takon tarifave për shërbimet që ato ofrojnë.

Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni gjatë nëntorit katër vendime parashikonin fillimin e procedurës.

Konkretisht bëhet fjalë për ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve në Fier, atë në Lezhe, Durrës dhe Vlorë që përfshijnë 12 bashki dhe që janë produkt i reformës së agregimit. Referuar vendimeve sa i takon ndërmarrjes në Vlorë Komisioni nënvizon se dokumentacioni kryesor i aplikimit plotëson kushtet për t’u marrë në shqyrtim duke nisur nga plani 5-vjeçar i biznesit e deri tek elementët e shlyerjes së pagesës rregullatore me përjashtim të një pike specifike për të cilën është kërkuar shtyrje.

“Me shkresë Nr. 2061, datë 08.11.2023 me lëndë “Kërkesë për shtyrje afati për plotësim dokumentacioni” Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime (AKUK) kërkon shtyrjen e afatit deri më datë 30.11.2023 të dorëzimit të dokumentit të vendimit të këshillit bashkiak për shoqërinë Ujësjellës Kanalizime Vlorë sh.a për tarifat e propozuara”- thuhet në vendimin e KKRR

E njëjta pikë është kërkuar edhe për ndërmarrjen e Lezhës për të cilën është lënë afat deri në 30 nëntor sa i takon dorëzimit të vendimeve të këshillit bashkiak Lezhë, Mirditë dhe Kurbin për shoqërinë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Lezhë sh.a mbi tarifat e propozuara. Për ndërmarrjen e Fierit është nisur shqyrtimi i aplikimit, por duke nënvizuar problematikën e shlyerjes së pagesës rregullatorë.

“Shoqëria rajonale ujësjellës kanalizime Fier sh.a nuk ka respektuar akt marrëveshjen nr. 61 prot, datë 08.02.2023 me ERRU-në “Për shlyerjen e pagesës rregullatore të prapambetura sipas riorganizimit në subjekt me kompetenca të përbashkëta dhe vazhdimin e pagesës rregullatore për shoqërinë rajonale ujësjellës kanalizime Fier sh.a’” thuhet në vendim.

E vetmja që duket se ka dorëzuar të plotë kërkesat ka qenë ndërmarrja e Durrësit. Në faqen e tij ERRU nuk ka publikuar aplikimet dhe tarifat e reja që janë kërkuar nga ujësjellësit, por me reformën e re të bashkimit të tyre që ka nisur tashmë prej kohës gjasat që ato të rriten janë të larta.

Kjo është argumentuar edhe me nevojën për investime që ka rrjeti ndërkohë që prej vitesh shumë nga ndërmarrjet kanë akumuluar borxhe sidomos të lidhura me energjinë.