Specialist Fadil Kepi/ Shqipëria dhe Kanadaja marrëveshja për njohjen e viteve të punës në dy vendet. Pensioni për mjekët, inxhinierët, mësuesit, ish-kooperativistët, emigrantët dhe trajnimi i posaçëm

903
Sigal

Marrëveshja për njehsimin e viteve të punës në Shqipëri dhe Kanada. Pensioni për inxhinierët, mësuesit, ish-kooperativistët, emigrantët dhe kushtet e përfitimit të lejes së lindjes me pagesë

 

Kategoritë e personave që mund të përfitojnë pensione të posaçme dhe kushtet e daljes për mjekët

Marrëveshja për njehsimin e viteve të punës në Shqipëri dhe Kanada

Pyetje

Znj. Marjana nga Lushnja me banim në Kanada shkruan: Jam e datëlindjes 11 janar 1959. Pasi mbarova Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Tiranës, punova 17 vjet ekonomiste, dhe pastaj emigrova në Kanada, ku dhe atje punova disa vjet. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension në vendin tonë? Sa vite pune duhen? A mund të bëj sigurime vullnetare dhe a njehsohen vitet e punës të siguruara në Shqipëri dhe Kanada?

Përgjigje

Ju në vendin tonë, moshën për pension e plotësoni 60 vjeçe e 10 muaj, më 11 nëntor të këtij viti, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj, përfshirë edhe periudhën e studimeve të larta ditën. Me dëshirën tuaj, nëse keni nënshtetësi shqiptare, para moshës së pensionit, mund të bëni sigurime vullnetare, duke paguar 67.392 lekë në vit. Para pak ditësh, ambasadori shqiptar në Kanada, nënshkroi me ministren e Punëve të Jashtme kanadeze marrëveshjen për njohjen reciproke të viteve të punës për pension. Kjo marrëveshje është e leverdishme për faktin se atje banojnë 60 mijë shqiptarë. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në ambasadën shqiptare në Toronto ose në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Pagesa e kontributeve dhe shtesa e pensionit pas ripunësimit

Pyetje

Dy ditë më parë në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” një shikuese tha: Në fund të muajit prill të këtij viti dola në pension. Meqenëse kisha vetëm 25 vjet punë, pensioni doli i ulët. Mendoj të ripunësohem në sektor privat. Pyes, a duhet të paguaj kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore?

Përgjigje

Mbështetur në legjislacionin e sigurimeve shoqërore, po të ripunësoheni në sektor privat, ju përfitoni njëkohësisht, pensionin, indeksimet që bëhen me vendime qeverie dhe rrogën në qendrën e punës, sipas kontratës që do të nënshkruani. Megjithatë, jeni e detyruar të vazhdoni të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore (11.2% të pagës bruto mujore) njëlloj sikur nuk keni dalë në pension. Nëse keni tokë sipas ligjit dhe nga puna juaj realizoni të ardhura, nuk paguani kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Në rastet kur ripunësoheni në sektor shtetëror, ju ndërpritet pensioni, dhe kur ta lini përsëri punën, sipas nenit 19 të ligjit nr.104/2014, ju do të përfitoni shtesë pensioni 0.5% për çdo muaj të punuar që keni paguar kontribute të sigurimeve shoqërore.

Baza ligjore e daljes në pension

Pyetje

Një inxhiniere elektrike nga Durrësi në letrën e saj trajton këtë problem: Jam e datëlindjes 20 mars 1965, dhe aktualisht punoj në një njësi administrative në Tiranë. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension më 20.03.2026, në moshën 62 vjeçe, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 39 vjet punë të siguruara, përfshirë edhe periudhën e studimeve të larta ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës të noterizuar. Masa e pensionit nuk ka kufi maksimal, sqaron specialisti Fadil Kepi, por varet nga shuma e viteve të punës dhe pagës mesatare bruto mujore, për të gjitha periudhat e punuara. Nga dita e ndërprerjes të marrëdhënies së punës, ju takon leja e zakonshme e vitit përkatës dhe deri 1 rrogë mujore shpërblim, pasi punoni në institucion buxhetor. Para llogaritjes së pensionit, sigurimet shoqërore, pagat e çdo viti i shumëzojnë me koeficientet përkatës rritës.

Vazhdimi i punës pas plotësimit të moshës

Pyetje

  1. Hysen Balla nga Tirana në mesazhin e tij sqaron: Jam i datëlindjes 18.05.1954 dhe kam 47 vjet punë i siguruar, përfshirë dhe kohën që kam qenë ushtar. Aktualisht punoj në një firmë private i siguruar. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension? A mund të vazhdoj punën?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension më 18 maj 2019, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë. Meqenëse ju keni 10 vjet e 4 muaj punë më shumë, do të merrni pension më të lartë, sepse sipas ligjit të sigurimeve shoqërore, sa më shumë vite të keni punuar i siguruar, aq më i lartë del pensioni. Mbas daljes në pension, ju keni të drejtë të vazhdoni të punoni i siguruar dhe përfitoni njëkohësisht pensionin dhe rrogën në qendrën e punës, por jeni i detyruar, për çdo muaj, të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

27975606 – pregnant woman working on laptop. cropped image of pregnant businesswoman typing something on laptop while sitting at her working place in office

Kushtet dhe procedura e përfitimit të lejes së lindjes me pagesë

Pyetje

Një lexuese e gazetës “Telegraf” nga Pogradeci me banim në Tiranë shkruan: Në muajin korrik pres të bëhem nënë për herë të parë. Pyes, cilat janë kushtet për të fituar lejen e lindjes me pagesë? Sa ditë është leja gjithsej, dhe nga kjo sa ditë është e detyrueshme?

Përgjigje

Mbështetur në nenin 13 të ligjit të sigurimeve shoqërore, nr.104/2014 datë 31.07.2014, kushtet për të përfituar lejen e lindjes me pagesë janë dy: Para lindjes, e cila caktohet nga mamia, duhet të keni 12 muaj e siguruar gjithsej, dhe në vitin e fundit duhet të kesh 1 muaj punë e siguruar, në sektor shtetëror, privat ose si e vetëpunësuar në bujqësi. Kujdes, periudhat e siguruara vullnetarisht, ajo e vazhdimit të shkollës së lartë dhe e asistencës, nuk njihen vjetërsi pune për leje lindjeje, thekson Fadil Kepi. Leja e lindjes, kur nëna ka në shtatzëni një fëmijë është 365 ditë kalendarike, e cila ndahet 35 ditë para lindjes dhe 330 ditë pas lindjes. Në rastet kur nëna është shtatzënë me më shumë se 1 fëmijë, leja e lindjes është 390 ditë kalendarike gjithsej, e cila ndahet: 60 ditë para lindjes dhe 330 ditë pas lindjes. Ditët e para lindjes dhe 150 ditë pas lindjes, paguhen me 80% të pagës mesatare neto të vitit të fundit të punës. Nga dita e 151-të deri 330-të, paguhet me 50% të pagës së mësipërme. Leja e detyrueshme është ajo e paralindjes dhe 63 ditë pas lindjes. Ditën e 64-t, nëna mbasi e ka siguruar fëmijën, ka të drejtë të paraqitet në vendin e saj të punës. Shpërblimi i lindjes, kur nëna lind fëmijën e parë, është 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë lekë, ndërsa për fëmijën e tretë, 120 mijë lek. Në rastet kur nëna lind binjakë, shpërblimi është 80 mijë lekë për secilin fëmijë, dhe kur lind tre ose më shumë fëmijë, shpërblimi është 120 mijë lekë për secilin. Nëna për çdo fëmijë, deri në 7 vjeç, ka të drejtë të marrë 14 ditë raporte mjekësore të pagueshme. Periudha e paguar me raporte mjekësore, quhet vjetërsi punë për pension.

Për më tepër lexoni “Telegraf”