SKANDALI/ Saranda prej 11 orësh pa drita në kulmin e sezonit. Braktiset nga turistët

50
Sigal

Skandali vijon në Sarandë, ku prej 11 orësh qytetarët dhe turistët janë pa energji elektrike dhe kjo situatë ndodh në kulmin e sezonit turistik, në një prej vendeve ku ka numrin më të madh të turistëve të huaj në Shqipëri. Shkak është bërë një zjarr i rënë tek nënstacioni i qytetit, në një shtyllë në lagjen nr.3 dhe shpërthim të kabllit 20 KV në Ksamil. Por, paaftësia e institucioneve për të rregulluar në kohë defektin, ka bërë që disa zona në Sarandë dhe Ksamil të qëndrojnë prej orësh pa energji elektrike. Skandali bëhet edhe më i rëndë kur përveçse turistët duhet të rrinë pa energji elektrike, po ashtu, janë edhe pa ujë për shkak se nuk punojnë pompat në hotelet dhe apartamentet me qira. Duket se askush nuk po kujtohet për të rregulluar defektet, pasi kabllot, siç shihet dhe në videon e mëposhtme, janë ende të varur, duke sjellë dhe rrezik për qytetarët.

Mungesa e energjisë elektrike gjatë natës, aty ku ka patur gjeneratorë, ka sjellë bezdisje tek pushuesit. Për shkak të kësaj situate skandaloze, mëngjesin e sotëm janë parë një numër i madh turistësh, kryesisht të huaj që kanë braktisur Sarandën dhe Ksamilin. Drejtori i ri i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Enea Karakiçi, duket se e ka nisur me “këmbën e mbarë” punën e tij, ashtu siç i bëjnë punët rilindasit. Ndërprerja e energjisë elektrike është një problematikë e përsëritur, që mesa duket as kreu i ri i OSHEE-së nuk po i jep zgjidhje. Të mendosh për një vend anëtar për në BE, ku i ikin dritat në kulmin e sezonit turistik për ditë të tëra në mes të verës. Nga njëra anë kryeministri Edi Rama dhe qeveritarë të tjerë flasim për “bum” në turizëm, ndërsa nga ana tjetër dështojnë të sigurojnë shërbimet bazë. Për këtë situatë skandaloze, duket se nuk mban askush përgjegjësi. Ministrja e Energjitikës, (e larjes së rrobave në 30 gradë), Belinda Balluku, ndoshta do na shfaqet në kasetën e gatshme të radhës bashkë me kreun e OSHEE-së, Enea Karakiçin, për të na treguar për punën “e palodhur” të tyre, ku mendojnë se si të mbushin xhepat e tyre dhe jo të merren me problematikat e përditshme të qytetarëve.

Dje thuajse e gjithë Saranda vuajti mungesën e energjisë elektrike, si pasojë e një zjarri në nënstacionin elektrik, duke detyruar OSHEE-në që të marrë masa. Në pamjet shihet se disa kabllo elektrike në Ksamil janë shkëputur dhe më pas ndodh shpërthimi i fuqishëm, që terrorizoi banorët e zonës.

Ndërkohë, një episode I frikshëm ka ndodhur në një tjetër zone të qytetit, dje në mbrëmje, ku një kabllo elektrike ka nisur të nxjerrë shkëndija. Pas ndërhyrjes së OSHEE-së, u mundësua rikthimi I energjisë elektrike në qytetin bregdetar, i cili është në mes të sezonit turistik.