1500 qytetarë pas hekurave për energjinë, shteti zhyt në borxhe OSHEE me 156 mld lekë

399
Sigal

Debitorët e energjia elektrike / Shteti i trajton qytetarët e saj si të “njerkës”, ndërsa administartën që ka shpërdoruar 156 miliard lekë për kondicionerët si të “nënës parti”. Nga viti 2015 deri në 2022 u janë vënë prangat 1489 qytetarëve dhe janë proceduar nga Task Forca 6665 persona, por asnji drejtues nga ministritë, administrata, kompanitë energitike, bashkitë, ujësjellësat nuk është ndëshkuar. Edhe Verdho i KESH bënë bamirësi, shet energjinë 240 euro më lirë se sa e blejmë. Ja reagimi I qytetarëve të burgosur

Krahasimi me bursën

Drejtori Verdho i KESH bamirësi me paratë e taksapaguesve, shet energjinë 240 Euro më lirë për MWh

KESH i drejtuar nga Ergys Verdho vazhdon të keqmenaxhojë burimet e energjisë elektrike dhe të thellojë krizën. Pak ditë më parë, kur vendi u mbyt nga reshjet e shumta, KESH e shiti energjinë me çmime të lira. Në ato ditë ministrja e Energjisë, Belinda Balluku,- tha se do të shitet energji dhe se rezerva ka mjaftueshëm. Por, si gjithmonë, zyrtarët tanë e përdorin fatkeqësinë për të nxjerrë fitime për vete. Energjia është shitur me çmim shumë të ulët, në raport me vlerën që regjistronte bursa hungareze HUPX për vendet e rajonit. Le t’ia nisim në 10 ditët e fundit, pasi nga të dhënat e KESH-it më shumë energji është shitur nga 20 nëntor 2022 deri në 5 dhjetor 2022.Sakaq, nga data 19 nëntor deri me datë 5 dhjetor 2020, çmimi më i lartë me të cilin ka shitur energji KESH është 233.13 Euro/MWh. Ndërsa në bursë, nga data 1 dhjetor deri me 5 dhjetor, çmimi i energjisë ka arritur pikun me vlerën 474 Euro/MWh. Pra, ne kemi shitur energji 240 Euro më lirë. Kjo diferencë ka ndodhur pikërisht në datën 2 dhjetor kur çmimi i shitjes së energjisë ka arritur kulmin.

Nëntori me humbje nga shitjet abuzive të energjisë

Ndërkohë, në të dhënat e siguruara nga Gijotina.com evidentohet se edhe në ditët e fundit të muajit nëntor, kur vendi në dy javë rresht po përballej me shira dhe përmbytje, KESH sërish shiste energjinë sa gjysma e çmimit në bursa. Në bursat e huaja nga data 22 nëntor deri me 26 nëntor 2022, kulmi i shitjeve të energjisë ka arritur në vlerën 316 Euro/MWh. Ndërsa KESH ka shitur energji me 147 Euro/ MWh, vlera maksimale e regjistruar. Kështu është vepruar edhe ditët e fundit të nëntorit, konkretisht datat 26 deri më 29 nëntor 2022, të cilat janë mbyllur me sasi të konsiderueshme energjie të shitur, por në çmim të ulët. Sipas të dhënave, në këto ditë Shqipëria ka shitur energji me çmimin maksimal rreth 285,75 Euro/ MWh. Ndërsa në bursat ndërkombëtare shit-blerja e energjisë elektrike shënonte vlerat 452 Euro/ MWh.

Gjithë vitin Shqipëria bleu më shtrenjtë

Ndërsa tani shet çmim me energji të lirë dhe nuk ruan rezerva. Gjatë verës, KESH mbetet në krizë dhe blen energji me çmimin shumë më të lartë nga se regjistron bursa hungareze “HUPX”. Në muajt e verës ka patur një rritje drastike të çmimeve të energjisë në Bursën Hungareze HUPX, ku kulmi është arritur në datën 30 gusht, me çmim mesatar ditor prej 748.97  Euro për 1 Megavat orë, çmim rreth 5-fish më shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm. Në atë muaj KESH sh.a ka blerë 665,060 MWh Energji Elektrike me vlerë totale rreth 221,68 milionë Euro pa TVSH.  Me Vendimin nr. 498, datë 29.07.2022 Qeveria i akordoi KESH fondin prej 8 miliardë lekësh apo rreth 68 milionë Euro me qëllim mbulimin me likuiditet të veprimtarisë operacionale të shoqërisë. Sipas të dhënave të përmbledhura nga Open Data Albania Çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në treg të hapur nga KESH sh.a për periudhën janar-gusht 2022 është 333.32 Euro për Megavat orë. Kryesisht çmimi me të cilin KESH ka blerë energji elektrike është më i lartë se çmimi mesatar bursës Hungareze HUPX. Çmimi mesatar mujor më i lartë i energjisë së blerë vihet re në muajin gusht 2022 me  482.26  Euro/MWh. Ndërkohë, diferenca më e lartë në çmim vihet re në muajin korrik. Ku 1 Megavat MWh është blerë nga KESH me çmimin 442.84, rreth 71.74 Euro/MWh më shumë krahasuar me Bursën HUPX./Esmeralda Hida

 1500 persona pas hekurave për “vjedhjen e dritave”, kompanitë, 156 miliardë lekë borxh

Si politika qeveritare e burgosjes i detyroi qytetarët të vetëflijohen, për të shpëtuar nga borxhet

  Muharrem Bajrami, nëntor 2022

Ndërsa qindra qytetarë përfunduan pas hekurave për “vjedhje të energjisë”, kompanitë publike të sektorit të energjisë, KESH, OSHEE dhe OST, kanë ngecur në një spirale borxhesh ndërmjet tyre dhe palëve të treta. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të qershorit ky stok arriti në rekordin historik prej 156 miliardë lekësh.

 Esmeralda Topi-AJQ

Në vitin 2015 Muharrem Bajrami nga fshati Dragostunjë i Librazhdit përfundoi pas hekurave për lidhje të paligjshme energjie. I papunë dhe në pamundësi për të paguar energjinë e shpenzuar, ai kishte akumuluar një mal me borxhe.“Isha debitor me 420 mijë lekë të vjetra pranë OSHEE-së dhe ata më ndërprenë energjinë elektrike. Unë e rilidha energjinë dhe për këtë arsye bëra 9 ditë burg”, – thotë Muharremi, i cili shton se e la shpejt qelinë me ndihmën e avokatit. Sapo doli nga burgu, gjëja e parë që bëri ishte shlyerja e detyrimeve ndaj OSHEE-së, duke marrë pará borxh te të afërmit. Në vitin 2014, në kuadër të një Plani për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë, qeveria nisi një fushatë “pa kompromis”, siç do ta cilësonin asokohe, kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Për pasojë u ndërprenë mijëra lidhje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes, por, nga ana tjetër, qindra qytetarë përfunduan pas hekurave. Qamil Zela u arrestua në kulmin e fushatës së paligjshmërisë, më 28 tetor të vitit 2014. Dy muaj më vonë, më 28 dhjetor të 2014, në gjendje të rënduar psikologjike Zela i dha fund jetës në burgun e Rrogozhinës.“Babi po priste pretencën e prokurorit, por ky i fundit, Skënder Mestani, shtyu tri seanca pa arsye. Babi u mërzit, plus stresi atje brenda dhe sedra. Parafytyroni në burg një burrë 52 vjeç që ka punuar gjithë jetën me djersën e tij dhe s’ka pasur kurrë probleme me policinë” , – rrëfen plot me trishtim i biri i Qamil Zelës, Besmir Zela, në prag të 8-vjetorit të humbjes së të atit.

Të dhënat e siguruara deri në fund të muajit qershor të këtij viti tregojnë se borxhi që institucionet buxhetore dhe ato jo-buxhetore kanë ndaj OSHEE-së ka arritur në 29.75 miliardë lekë, trefish më i lartë se borxhi që socialistët gjetën në vitin 2013.

Procesverbali i arrestimit në flagrancë shënonte se dy dyqanet e të ndjerit, që ishin në katin e parë të banesës së tij në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, furnizoheshin me energji përmes kontratës së lidhur me shtëpinë, pra si konsumator familjar dhe jo si biznes dhe nuk ishin të pajisur me matës të veçantë. Familjarët e mohojnë që ta kenë vjedhur energjinë elektrike. Ata pretendojnë se energjia kalonte në sahat dhe ishte paguar çdo kilovat i shpenzuar, por ngërçi ishte krijuar për shkak të procedurave të veçanta për ndërtesat në proces legalizimi. Familjarët e të ndjerit paditën OSHEE-në, Drejtorinë e Burgjeve dhe Prokurorinë, me akuzën se me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan vdekjen e 52-vjeçarit.“Nga ana penale m`i hodhën të gjitha poshtë, në çdo shkallë gjykate. Tani kemi vetëm çështjen e dëmshpërblimit të dëmit në Gjykatën Administrative”, – pohon Besmir Zela. Të dhënat e siguruara tregojnë se nga viti 2015 deri në tetor të këtij viti, Policia e Shtetit ka vënë në pranga 1.489 persona për shkak të lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bën me dije se nga viti 2015 deri në tetor të vitit 2022, janë evidentuar 6.556 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 6.665 autorë të dyshuar.

Tetë vite pas reformës së energjisë disiplina është vendosur vetëm te filli më i dobët i sistemit, konsumatori familjar, që pritet ta paguajë edhe më shtrenjtë energjinë elektrike. Prej shtatorit sërish “kërcënohet” me Task Forcën e radhës kundër paligjshmërisë në energji.

Ana tjetër e medaljes

Paralelisht me aksionin ndaj familjarëve, qeveria përmes Planit të Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë vendosi të disiplinojë edhe borxhlinjtë e tjerë, institucionet buxhetore dhe ato jo-buxhetore, që trashëgonin një mal me borxhe, jo vetëm ndaj OSHEE-së, por edhe mes tyre. Në vitin 2013 socialistët gjetën gati 9 miliardë lekë fatura të papaguara nga institucionet publike dhe entet e tjera shtetërore ndaj OSHEE-së. Këtë zinxhir borxhesh të majtët e përdorën si simbol të keq-menaxhimit të sektorit gjatë qeverisjes demokrate.

Mbyllja e hendekut financiar, që sektori i energjisë elektrike prodhon çdo vit, brenda 5 viteve të ardhshme dhe transformimi i sistemit të energjisë, nga një sistem që gjeneron borxhe në një sistem të vetë-qëndrueshëm dhe me aftësi likuiduese, ishte objektivi i parë specifik në Planin e Rimëkëmbjes së Energjisë.Vitet e para të aplikimit ky plan pati sukses dhe në fund të vitit 2014 borxhi i ndërmarrjeve jo-buxhetore ra në 3 miliardë lekë, ndërsa ai i enteve buxhetore ra në 2.7 miliardë lekë. Në përpjekje për të vendosur disiplinë financiare edhe tek institucionet borxhlie, Ministria e Financave diktonte përmes një urdhri këto të fundit, që të mos i jepnin pagat e punonjësve pa shlyer më parë faturën e energjisë elektrike. Për një vit urdhri funksionoi, pasi në fund të vitit 2015 borxhi i buxhetorëve dhe jo-buxhetorëve ndaj OSHEE-së ra në 5 miliardë lekë, nga 8.9 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2013. Por, reforma, jo vetëm që ngeli në vend, por krijoi në vitet që do të pasonin një borxh thuajse 3 herë më të lartë. Që nga ajo kohë, sektori buxhetor dhe ai jo-buxhetor i është rikthyer praktikës së mos-pagesave.Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA deri në fund të muajit qershor të këtij viti tregojnë se borxhi që institucionet buxhetore dhe ato jo-buxhetore kanë ndaj OSHEE-së ka arritur në 29.75 miliardë lekë, trefish më i lartë se borxhi që socialistët gjetën në vitin 2013. Për ekspertët, krijimi i borxheve është një histori e përsëritur, që del më shumë në pah në situata krizash, siç është situata aktuale. Sipas tyre ky problem nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje përfundimtare, pasi nuk i është kushtuar rëndësi disiplinës financiare, që është jetike për një sektor si energjia. Por, nga ana tjetër, rezulton se vetë KESH, OST dhe OSHEE janë të zhytura në borxhe. 40 miliardë lekë janë borxhet që këto institucione kanë ndaj Ministrisë së Financave, pasi kanë dështuar që t`i shlyejnë detyrimet mbi borxhet dhe garancitë që ka lëshuar për to buxheti i shtetit. Si për ironi të fatit, qeveria gjatë vitit 2022 dhe vitin e mëparshëm i ka dhënë mbështetje buxhetore KESH-it plot 40 miliardë lekë.

Ujësjellësit, debitorët më të mëdhenj

Ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve janë zyrtarisht “borxhlinjtë” kryesorë të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. Raportimet e fundit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë, të siguruara tregojnë se detyrimet e shoqërive arrijnë në 24.47 miliardë lekë, nga të cilat gjysmat janë kamatë vonesa. Ujësjellësi i Durrësit, ai i Vlorës, i Patosit, i Fierit dhe i Kavajës mbajnë 60% të shumës totale. Në kushtet kur detyrimet e këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE-së vetëm rriteshin, qeveria ndërmori një tjetër plan masash për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Në dhjetor 2020, u miratua një urdhër i përbashkët mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjisë, që synonte reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë.

Durrës, UK Sh.a. 8.28 miliardë lekë
Vlorë, UK Sh.a. 2.60 miliardë lekë
Patos, UK Sh.a. 1.79 miliardë lekë
Fier, UK Sh.a. 1.42 miliardë lekë
Kavajë, UK Sh.a. 1.15 miliardë lekë

 

Borxhet e Ujësjellësve ndaj OSHEE-së

Rreth dy vite pas këtij plani, stoku i detyrimeve, jo vetëm që nuk është ulur, por është rritur ndjeshëm dhe ujësjellësit janë rasti tipik i dështimit të tij. Qeveria kishte parashikuar ta ulte borxhin e tyre ndaj OSHEE-së në 15 miliardë lekë, ndërkohë që këto detyrime sot janë 24.47 miliardë lekë.

As bashkitë nuk i paguajnë dritat

Shumica e bashkive të vendit tonë rezulton të jetë me borxhe, madje disa prej tyre janë në rrezik falimentimi. Një pjesë të madhe të borxheve e zënë faturat e papaguara të energjisë elektrike. Të dhënat e siguruara nga INA MEDIA tregojnë se deri në muajin qershor detyrimet e pashlyera të 61 bashkive ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë arritur në 4.6 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë janë kamatë vonesa.

Detyrime të bashkive, 2007-2022 (qershor)
Principal 2,584,833,922
Kamatë 2,041,046,185
Total 4,625,880,106

Referuar shifrave, Kavaja, Tirana, Durrësi dhe Dibra janë katër bashkitë me borxhin më të lartë ndaj OSHEE-së. Ndërkohë, Bashkia e Hasit dhe Bashkia e Dimalit zënë peshën më të vogël në borxhin total. Por, ajo që bie në sy është se këto dy njësi të pushtetit vendor kanë filluar të mos i shlyejnë faturat e energjisë dy vitet e fundit.

Detyrimet e bashkive ndaj OSHEE-së

Bashkia e Kavajës     948.338.257 lekë

Bashkia e Tiranës     909.879.615 lekë

Bashkia e Durrësit     839.835.155 lekë

Bashkia e Dibrës     379.464.049 lekë

Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali, liston disa arsye për borxhet e krijuara nga vendorët. Në krye të listës, sipas tij, është mungesa e disiplinës financiare nga ana e pushtetit qendror, që ka lejuar akumulimin e një borxhi kaq të madh. Megjithatë, sipas tij, edhe vetë bashkitë kanë preferuar të bëjnë sikur nuk e njohin këtë detyrim.“Kam bindjen se kjo situatë kryesisht ka ardhur më së shumti nga interesi i ulët i vendorëve për ta paguar energjinë, që e kanë parë si mall shteti dhe ujë deti”, – thekson Haxhimali.

Spiralja e borxheve të ndërsjella

Kompanitë publike të sektorit të energjisë kanë një mal me borxhe ndërmjet tyre dhe palëve të treta. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të qershorit ky stok arriti në rekordin historik prej 156 miliardë lekësh. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i detyrohet Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare 59 miliardë lekë, së cilës i ka borxh 7.5 miliardë lekë të tjera Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Nga ana tjetër, KESH, OSHEE dhe OST kanë 40 miliardë lekë të tjera borxhe ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për shkak të mos-pagesave për borxhet dhe garancitë që buxheti i shtetit ka lëshuar ndër vite, ndërkohë që KESH, OSHEE dhe Shoqëritë e Ujësjellësve kanë 7.4 miliardë lekë borxh në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Por, shifrat zyrtare të financave duket se nuk janë të njëjta me ato të energjisë. Në një reagim për INA MEDIA-n zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja,- tha se borxhi i ndërsjellë i kompanive të sektorit ndaj njëra-tjetrës dhe të tretëve nuk është aq.“Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH-it nuk është më shumë se 50 miliardë lekë dhe është i skeduluar në formën e një kredie, e cila paguhet me këste vjetore nga 2.4 miliardë lekë në vit. Borxhi i OSHEE-së ndaj OST-së është rreth 8 miliardë lekë dhe paguhet me këste nga 0.5 miliardë lekë në vit, në formën e një kredie edhe ky. Borxhet e ndërsjella korente midis të tria ndërmarrjeve publike janë jo më shumë se 6 miliardë lekë dhe duhet të likuidohen brenda vitit”, – sqaron zëvendësministri Bejtja.Ndërkaq, në vitin 2015 përballë një situate të ngjashme borxhesh të trashëguara në sektorin e energjisë kryeministri, Edi Rama, citonte Richard Fuller.“Nuk ka krizë energjetike, ka vetëm krizë të injorancës. Injorancë politike, injorancë qeverisëse, injorancë administrative, injorancë burimesh njerëzore dhe injorancë shoqërore në fund si rezultat i të gjendurit në një mjedis pa rregulla, pa qeverisje dhe pa përgjegjësi e përgjegjshmëri politike”.Tetë vite pas reformës së energjisë disiplina është vendosur vetëm te filli më i dobët i sistemit, konsumatori familjar, që pritet ta paguajë edhe më shtrenjtë energjinë elektrike. Prej shtatorit sërish “kërcënohet” me Task Forcën e radhës kundër paligjshmërisë në energji.