Dosjet e pronave/ Ndahet fondi i legalizimit, ATP dështon në kompensimin e pronarëve. Ja si do të vijojnë procedurat e kompensimit

379
Sigal

 

Më shumë se 10 milionë euro të parashikuara në buxhetin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve kanë mbetur të paprekura deri në fund të prillit të këtij viti. Ministria e Drejtësisë raportoi se ka arritur që përmes institucioneve të varësisë, që mbulojnë këtë pjesë të shpërndahen vetëm fondet që janë mbledhur nga legalizimi i ndërtimeve informale. Konkretisht sqarohet se për Agjencinë e Trajtimit të Pronave fondi total në dispozicion për të gjithë programet është 3.7 miliardë lekë nga të cilat 1.33 miliardë vetëm për fondin e kompensimit. Por edhe pse ky fond ka pasur realizim zero për programet e tjera Ministria raporton se ka pasur përparim në kompensimin e dosjeve.

“Shërbimi për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave për vitin 2022 ka parashikuar të realizojë 4 produkte

1-Produkti “Përfitues nga fondi fizik dhe financiar të kompensuar”, është realizuar 100%, janë kompensuar 216 subjekte për kompensim nga 216 subjekte të parashikuara.

2-Produkti “Vendimet e ankimuara në Gjykatë”, është realizuar rreth 100%. Gjatë vitit 2022 janë mbyllur 148 çështje.

3-Projekti “Blerje, pajisje elektronike” është në fazën e lidhjes së kontratës, pasi ka ardhur autorizimi nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

4-Produkti “Shpërndarja e fondit të Aluiznit” është realizuar 100%. Ky produkt është realizuar nga të ardhurat realizuar nga ndërtimet informale të derdhura në llogari të ATP. Nga ASHK, gjatë kësaj periudhe janë kompensuar 244 subjekte. Janë përdorur fondet e mbartura nga viti 2021 dhe fondet e vitit 2022 (dhjetor 2021, janar – shkurt 2022). Gjatë kësaj periudhe janë pranuar 640 aplikime”- sqaron Ministria.

Relacioni sqaron gjithashtu se fondi i parashikuar për pagesën e vendimeve gjyqësore nuk është realizuar pasi nuk kanë marrë formë të prerë vendimet e parashikuara për t’u realizuar. ATP nga ana tjetër rezulton të ketë një numër jo të vogël vendesh vakante, që nuk janë plotësuar me punonjës. Sipas raportimit të fundit këto vende vakante ishin rreth 20 çka ka ndikuar në një realizim më të ulët të fondit të dedikuar për pagat e institucionit.