Rreziku i pastrimit të parave, ndryshon ligjin “ Për noterinë”

344
Sigal

Ligji “Për noterinë” do të ndryshojë duke përmirësuar disa aspekte të tij që kanë të bëjnë me integritetin dhe besueshmërinë e kësaj hallke të rëndësishme. Në draftin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë janë bërë një sërë shtesash në nene të veçanta dhe që synojnë të ushtrojnë një kontroll më të mirë të personave që janë mbajtës së licencës së noterit si dhe marrjen e masave për heqjen e saj në rast se konstatohet mospërmbushje e kushteve. Në relacionin që shoqëron projektligjin nënvizohet se ndryshimet lidhen me rekomandimet që kanë bërë institucione si Moneyval dhe FAFT për rrezikun e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit.

“Shqipëria prej Shkurt 2020 është përfshirë në listën e vendeve “nën monitorim të shtuar”/ “lista gri” nga Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar (FATF), organ ndërqeveritar që përcakton në nivel ndërkombëtar standardet dhe që nxit zbatimin efektiv të masave ligjore, rregullative dhe operacionale për luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, etj. Miratimi i këtij projektligji ka për qëllim përmbushjen e rekomandimeve të FATF dhe MONEYVAL, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Objektiv i këtij projekt akti është që të garantojë integritetin dhe besueshmërisë  e të interesuarit, kandidatit për noter, zëvendësnoterit ose noterit duke kontrolluar dhe duke marrë masa përkatëse në rast se ata përfshihen në kryerjen e veprimeve ose mosveprimeve që përbëjnë një nga veprat penale të parashikuara në pikën 1, të nenit 3, të ligjit nr. 10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, si dhe mungesa e kontakteve të papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar” thuhet në relacion.

Qeveria argumenton se me ndryshimet në ligjin nr. 110/2018 synohet që të kontrollohet ndër të tjera, jo vetëm gjendja gjyqësore e të interesuarit, kandidatit për noter, zëvendës noterit ose noterit, sipas parashikimeve aktuale në ligj por edhe integriteti dhe besueshmëria e tij, si dhe mos përfshirja në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi për masat kundër financimit të terrorizmit.

“Ky verifikim do të kryhet krahas verifikimit të kushteve të tjera gjatë të gjithë hallkave përmes së cilave kalon procesi për hyrjen në profesionin e noterit konkretisht, verifikimi i kushteve do të kryhet përpara pjesëmarrjes në provimin e pranimit në formimin fillestar, përpara se të bëhet kandidat për noter, përpara pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit.

Gjithashtu, objekt i këtij ligji është edhe marrja e masave përkatëse për pezullimin dhe heqjen e licencës si sanksione proporcionale, frenuese dhe efektive për adresimin e rasteve të përfshirjes së noterit dhe zëvendës noterit në veprimtari të jashtëligjshme, por duke garantuar të gjitha të drejtat e këtyre subjekteve në kuadër të procesit të rregullt ligjor” nënvizon relacioni.