Flet Kryetari i bashkisë së Finiqit, Leonidha Kristo: Jam pro bashkimit të partive politike të minoritetit

126
Sigal

“Përpjekje dhe investime për zhvillimin e zonës minoritare në Bashkinë e Finiqit”

Në këtë intervistë në faqet e gazetës “Telegraf” vjen kryetari i bashkisë minoritare të Foinikes, zoti Leonidha Kristo. Ai rrëfen investimet në këtë territor, gjeografikisht nga më të mëdhenjtë ndër bashkitë e jugut, ku në vite tek ky komunitet vërehen investime të munguara, si dhe problematikat e hasura me institucionet shtetërore. Kryebashkiaku Kristo nuk lë pa shfaqur edhe ambicien për një mandatim të dytë, pasi, sipas tij, investimet e kryera kanë krijuar besueshmëri tek komuniteti.

Agron MEMA

Përshëndetje zoti Leonidha! Mandati juaj i parë si kryebashkiak po përfundon dhe zgjedhjet e reja për pushtetin lokal tashmë janë dekretuar. Ju a keni menduar për një mandat të dytë si kryebashkiak i Finiqit dhe nga cila forcë politike i keni varur shpresat e kandidimit, nëse ka një të tillë?

-Besoj se kam pasur një kontratë me qytetarët që në fund të këtij mandati t’i kem realizuar sfidat e ndërmarra që në fillim, të premtimeve dhe marrjen e detyrës së besuar nga elektorati. Besoj se ja kemi dalë bashkërisht. Unë jam optimist. Vazhdimin më tej do t’ua lemë qytetarëve. Nëse janë të gatshëm ata të më mandatojnë përsëri, patjetër që do të jem kryebashkiaku i tyre.

-Në premtimet e kaluara ishte një listë e gjatë. Mendoni se i keni përmbushur premtimet për t’i kërkuar elektoratit mandat të dytë, pasi kjo është edhe pika e dobët e përballjes në fushatë?

-E përmenda edhe më lart, se kemi realizuar shumë prej tyre dhe ndjehem shumë mirë për këtë. Çdo gjë është e dukshme tek diferenca e sotme me të djeshmen, atë çka gjetëm dhe ku e çuam dhe janë fakte, të dukshme e të prekshme që flasin për atë çka neve kemi realizuar dhe duken në përditshmërinë e shërbimit ndaj qytetarit. Kështu ne mund të analizojmë apo të sjellim një ekspoze të realizimeve tona si bashki, nëse keni dëshirë t’i rendis ato:

-Patjetër si ta mendoni!

-Atëherë e marrim së pari, që nga premtimi që kam bërë unë për ndriçimin e fshatrave, të cilat nga errësira sot janë në një sistem të ri ndriçimi shumë cilësor. Edhe disa fshatra që kanë ngelur do të mbyllen totalisht dhe do të futen brenda sistemit të ndriçimit dhe është parashikuar edhe në buxhetin e vitit 2019, si investim që do të kryhet.

Mund të përmend shumë ndryshime në infrastrukturën rrugore të fshatrave në ato segmente rrugore që ishin problematike dhe për këtë kemi ngritur një strukturë të posaçme brenda bashkisë që merret me këtë drejtim. Kjo na ka rezultuar një praktikë e suksesshme. Disa prej tyre me investime të komunitetit ku ndërhyn edhe bashkia. Dhe pasi mbarojnë këto investime pasqyrohen edhe në pasaportën e fshatit ku kryhet investimi. Mund të përmend si detaj me rëndësi, se bashkia nuk administron pjesën financiare që kontribuan komuniteti.

-Në dhënien me qira të takave bujqësore dhe kullosore si veprohet?

-Për dhënien me qira të tokave bujqësore ka një VKM dhe nuk mund të veprosh kundër saj. Pavarësisht se lakohet kjo, neve vetëm kemi zbatuar VKM. Por në dijeninë time nuk ka toka të dhëna me qira, flas për ato bujqësore. Por këtu ka dy kategori: Tokat bujqësore janë të ndara sipas ligjit tek banorët, ndërsa ato kullosore kemi të drejtë ti kontraktojmë tek fermerët blegtoral sipas ligjit.

Kemi bërë regjistrimin e tyre dhe jemi pajisur me certifikatë pronësie si bashki dhe kemi bërë një studim për një sipërfaqe kullosore që ka shumë kërkesa për ti kontraktuar si kullotë. Pastaj kjo është edhe detyrë e pushtetit vendor për parcelizimin e tyre. Pavarësisht se ka dhe keqinformime dhe interpretime dashakeqëse sepse edhe qytetarët rezidentë kanë të drejtë sipas ligjit të marrin me qira një sipërfaqe toka dhe ta kthejnë atë në produktive duke mbjellë pemë të ndryshme frutore.

I jemi drejtuar edhe hipotekës për regjistrimin e kësaj pjese në mënyrë që të bëhet edhe studimi urbanistik i tyre. Pasi bashkia e ka marrë pronësinë, ka ndjekur procedura të tjera. Edhe sipërfaqet kullosore sot janë të kontraktuara dhe janë vënë në sistem të ardhurat prej tyre të kontrolluara plotësisht nga bashkia e Finiqit.

-Duke qëndruar tek investimet. A ka pasur investime apo interesa nga fondacione apo shteti grek kundrejt rregullave shtetërore dhe ku është investuar nëse ka?

-Në bashkinë Finiq nuk ka pasur.

– Një nga problemet e minoritetit janë edhe shkollat. Programet dhe tekstet. Çfarë është arritur dhe çfarë synohet e shpresohet të arrihet, a keni program për këtë?

-Dihet se ekzistojnë problematika lidhur me këtë dhe është marrë angazhim përkatës. Ajo që është themelore besoj se është krijimi dhe fillimi nga puna i një zyre arsimore pranë bashkive , të ndara ose veç e veç. Zyra arsimore e Sarandës të përfaqësojë kujdesin ndaj tyre. Ose sa të vijë koha të fillojë kjo zyrë nga puna, zyra arsimore e Sarandës të ketë një përfaqësues të minoritetit për të ndjekur gjithë problematikat e arsimit.

-Pavarësisht se në 2019-n do të zhvillohen zgjedhjet lokale, përsëri është një vit pune për ju në këtë detyrë, cilat janë objektivat e bashkisë?

-Nuk ka shumë rëndësi për komunitetin do jem apo nuk do jem unë. Rëndësi ka të arrihen objektivat që synojmë. Çdokush që vjen në këtë detyrë duhet të vendosi një gur më shumë në ndërtesën që gjeti dhe besoj se kemi bërë jo pak gjëra në atë çka ne gjetëm dhe mund ta them me bindje se kemi gjetur një situatë inekzistente e cila ka ndryshuar krejt. Kemi ndërtuar qendrën kulturore dhe vazhdon investimi pasi është fituese e një programi evropian që do kemi së afërmi një kompletim të kësaj qendre, dikur të munguar.

Njëkohësisht kemi menduar për investime edhe për muzeun e arsimit të minoritetit dhe kur të përfundojë qendra kulturore edhe ky muze do të transferohet në mjediset e saj së bashku me bibliotekën e bashkisë. Mund të përmend këtu edhe përfundimin e tenderit për rikonstruksionin e Qafës së fshatit Vromero, shumë problematike në vite, rruga e fshatit Fitore po asfaltohet dhe do të investohet edhe tek pika turistike natyrore e Rrepeve të Karrahaxhit. Besoj se kjo rrit besueshmërinë time tek komuniteti dhe brenda kësaj sfide premtoj edhe përfundimin e azhornimit të të gjitha fshatrave se sot që flas e kam situatën financiare për ta realizuar këtë si bashki.

Dua të shtoj si një nga problematikat që kemi , atë të sigurisë dhe rendit publik. Jemi përpjekur dhe do të përforcojmë monitorimin e të gjitha pikave të kalimit kufitar që ka administrativisht territori i bashkisë sonë, sidomos në ato vende ku nuk ka ambiente apo prezencë shtetërore, në qendrat e ish komunave dhe nyjeve kalimtare të pa kontrolluara. Të gjitha këto do të skanohen, kuptohen në një sistem të lidhur me policinë e shtetit.

-Në një intervistë me mua kreu i përgjithshëm i OMONIA-s ka deklaruar se po bëhen përpjekje të bashkimit të të dyja forcave politike që përfaqësojnë minoritetin, PBDNJ-ja dhe MEGA. Ndërkohë që vazhdojnë turbulencat në marrëdhëniet e tyre, ju ç’mendim keni?

-Unë besoj se ajo që futet dhe thuhet vazhdimisht në bisedime është bashkimi dhe besoj se çdo njeri këtë mund ta analizojë thellësisht. Ne kemi potenciale që janë ndarë nëpër parti të ndryshme, por në finale mbeten dhe janë minoritarë. Unë nuk i kam parë kurrë këto ndasi dhe i shërbej minoritetit, gjë që duket edhe në administratë. Neve na mungon kultura e pajtimit, sindroma ballkanike.

Këtë e kam provuar edhe në detyrën ku jam sot. Shpesh më është dashur me gjakftohtësi të veproj dhe të thyeja disa akuj të instaluar më parë. Dhe nuk është kollaj ta çrrënjosësh. Dua ta përfundoj se nga hiçi sot kemi një bashki që qëndron në këmbë me financat e saj dhe kryen investimet e munguara në vite tek komuniteti.