Qeveritë e 2005-2012 dhe 2013-2021

492
Sigal

Qytetarët nën kthetrat e varfërisë, betonizimit dhe keqqeverisjes. INSTAT: Në sektorin shtetëror, rritja reale e pagave, ka qenë më e lartë deri në vitin 2009. Pas 2013, të punësuarit në shtet kanë përfituar zero rritje

Krahasimi i  ecurinë e dy periudhave qeverisëse 2005-2012 dhe 2014-2019

 Si jemi qeverisur në dekadat e fundit? Sa janë rritur pagat dhe të ardhurat e popullatës gjatë qeverisjes së PD-së dhe asaj të PS-së? Ku jemi sot në krahasim me vendet e rajonit?

 

 

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në sektorin shtetëror, rritja reale e pagave ka qenë më e lartë deri në vitin 2009, duke arritur kulmin në 2007-n (+13.8%) dhe më pas është ngadalësuar. Pas 2013-s, të punësuarit në shtet kanë përfituar rritje reale zero.

Nga Ornela Liperi

Si kanë ndikuar politikat e taksave në mjedisin e të bërit biznes? Sa konkurrues është bërë ai në raport me vendet e rajonit? Sa shpejt ka ecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, për të kapur sa më shpejt mesataren e të ardhurave të Bashkimit Europian? “Monitor” ka krahasuar ecurinë e dy periudhave qeverisëse, asaj të Partisë Demokratike në 2005-2012 dhe të Partisë Socialiste, në 2014-2019. Viti 2013 konsiderohet si neutral për shkak të tranzicionit të gjatë të kalimit të qeverisjes nga PD te PS, ndërsa 2020-a nuk është marrë në konsideratë, si një vit i jashtëzakonshëm, kur vendi u përball fillimisht me pasojat e tërmetit të fundit të 2019-s dhe më pas u gjend nën pushtetin e pandemisë së Covid-19.

 Rritja ekonomike

Deri në vitin 2008, vendi ka njohur një cikël të lartë rritës, që kulmoi atë vit, me 7.5%, i ndikuar nga ecuria e mirë e ekonomisë globale, europiane dhe rajonale. Në vend, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sektorët kryesorë që nxitën rritjen deri në 2008-n ishin industria, ndërtimi, shërbimet, posta dhe komunikacioni, shërbimet financiare.Pas 2008-s, ekonomia vendase dhe ajo globale hynë në një normalitet të ri, si rrjedhojë e krizës globale financiare që frenoi ndjeshëm ciklin rritës. Në 2009-n, ritmet e rritjes ekonomike zbritën ndjeshëm në 3.3%, pas ngadalësimit të ndërtimit, industrisë, shërbimeve financiare, ndërsa posta e telekomunikacioni vijuan të rriten me ritme të larta.Ecurinë më të dobët ekonomia e shënoi në 2013-n, me një rritje prej vetëm 1%, pas tranzicionit të zgjatur të kalimit të qeverisjes nga Partia Demokratike tek ajo Socialiste, në zgjedhjet e qershorit. Bujqësia u ngadalësua atë vit, ndërsa ranë ndërtimi, “tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor” dhe “Informacioni e komunikacioni”, sipas të dhënave të INSTAT.

Në nivelin e rreth 400 eurove, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është rreth 30% më e ulët sesa ajo e Kosovës, e dyta më e ulët pas nesh.Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e fundit në Europë për fitimet mujore bruto

 A ndryshoi modeli ekonomik?

Domosdoshmëria për të ndryshuar modelin ekonomik drejt sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, ikjes nga ndërtimi, rritjes së produktivitetit, tërheqjes së investimeve të huaja me fokus Teknologjinë e Informacionit, largimi nga avantazhi i kostos së lirë të fuqisë punëtore, janë debatuar shpesh vitet e fundit.

Por, të dhënat tregojnë se struktura e ekonomisë ka mbetur pothuajse e pandryshuar në dy dekadat e fundit.

Vetëpunësimi vijon të mbetet burimi kryesor i sigurimit të jetesës për një të tretën e atyre që kanë një biznes. Sipas INSTAT, përqindja e të vetëpunësuarve në punësimin gjithsej ishte 32% në 2019-n, nga 30% në 2010, që është viti më i hershëm kur raportohen të dhënat, më e larta në rajon dhe e dyta në Europë, pas Turqisë.

Banka Botërore vlerëson se ekosistemi i sektorit privat përbëhet nga firma kryesisht të vogla që investojnë pak në adoptimin e teknologjisë dhe inovacionin, përballen me mungesë aftësish (veçanërisht menaxheriale) dhe konkurrojnë në një treg me informalitet të lartë, të gjitha këto zvogëlojnë potencialin e tyre të rritjes. Rendimenti i ulët i sektorit bujqësor gjithashtu kontribuon në pabarazitë rajonale në standardet e jetesës dhe i shtyn njerëzit të migrojnë nga zonat rurale, duke rritur dendësinë urbane.

Sipas Bankës, Investimet e Huaja Direkte në infrastrukturën energjetike dhe eksportet e energjisë elektrike (si rrjedhojë e shiut) ndikuan në rritjen e PBB-së, por asnjë prej tyre nuk ndikoi në krijimin e vendeve të punës cilësore, dhe investimet nuk kanë forcuar zinxhirët e vlerës që lidhen me tregjet rajonale dhe globale.

Vetëpunësimi vijon të mbetet burimi kryesor i sigurimit të jetesës për një të tretën e atyre që kanë një biznes

Investimet e huaja u mbajtën gjallë nga TAP dhe Devolli

Investimet e Huaja Direkte arritën kulmet e tyre në vitin 2009, kryesisht nga investimet në fushën e telekomunikacioneve dhe më pas në 2018-2019, duke i kaluar 1 miliard euro, pas projekteve të mëdha të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll, të iniciuara para vitit 2013.

Taksimi i të “pasurve” nuk funksionoi, diferencën e kanë bërë sigurimet

Të ardhurat buxhetore nuk kanë arritur të kalojnë 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, duke qenë ndër më të ulëtat në Europë dhe rreth 10 pikë përqindje më pak sesa mesatarja rajonale. Informaliteti i lartë, produktiviteti i ulët, mungesa e sipërmarrjeve të mëdha, përqendrimi i aktiviteteve te tregtia me shumicë, që punon me marzhe të ulëta, janë arsyet kryesore të kësaj performance. Këtyre u shtohet edhe pesha e lartë që ka bujqësia në ekonomi (rreth 19% e PBB-së), një sektor që mbetet në pjesën më të madhe i pataksuar.

Diferenca më e madhe mes dy qeverisjeve ishte në taksimin për bizneset dhe individët. Partia Demokratike zgjodhi modelin e taksave të ulëta për të gjithë, me tatim të sheshtë prej 10%, ndërsa socialistët e rritën tatimfitimin dhe përshkallëzuan tatimin mbi pagën, duke e çuar deri në 23% për pagat mbi 130 mijë lekë (më pas kufiri u rrit në 150 mijë lekë).

Nga 2008, pas vendosjes së tatimit të sheshtë, qeverisja e Partisë Demokratike nuk arriti të ruajë të njëjtin ritëm të ardhurash, e ndikuar dhe nga ngadalësimi i ekonomisë pas krizës globale. Të ardhurat buxhetore në raport me PBB-në, ranë në 24.8% në 2012-n, nga 26.9% në 2008-n. Pas 2015-s, të ardhurat arritën deri në 27.8% të PBB-së në 2017-n, për t’u tkurrur më pas lehtë në vitet e mëpasshme.

Ndonëse të ardhurat në raport me PBB-në kanë shënuar tendencë rritjeje në dekadën e fundit (nga 25.4% e PBB-së në 2011 në 27.3% e PBB në 2019), e kundërta ka ndodhur me të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, të cilat kanë rënë nga 9.2% e PBB-së në vitin 2011 në 7.8% të PBB-së në 2019.

Kjo tendencë tregon për një reduktim të rendimentit të mbledhjes së të ardhurave nga TVSH. Në vitin 2019, tendenca rënëse është e lidhur edhe me përjashtimin nga TVSH-ja të nënkontraktorëve të gazsjellësit TAP, të cilët realizonin një volum të lartë punimesh e si rrjedhojë, edhe TVSH-je.

Megjithatë, edhe përpara këtij viti, ecuria e të ardhurave nga TVSH ka ndjekur një trajektore përkeqësuese, duke treguar ose për një rënie të konsumit, ose rritje të informalitetit.

Nga ana tjetër, taksimi indirekt (mbi konsumin) ka vijuar të jetë dominues në mbledhjen e të ardhurave kundrejt taksimit të të ardhurave (individë dhe kompani) dhe pasurisë[1]. Në vitin 2019 tatimet dhe taksat indirekte (mbi konsumin), ku përfshihen TVSH, akciza dhe taksat doganore përbënin 40% të totalit të të ardhurave buxhetore. Ndërsa taksat direkte, ku përfshihen tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi pasurinë dhe taksën e biznesit të vogël përbënin 19% të totalit të të ardhurave buxhetore.

Gjatë gjithë periudhës kemi “dominim” të të ardhurave të mbledhura nga tatimet që rëndojnë konsumin, siç janë: TVSH, Akcizë dhe Taksë doganore, kundrejt tatimeve që rëndojnë direkt të ardhurat e përftuara nga individë dhe biznese dhe pasurinë e tyre (ndërtesa apo tokë bujqësore).

Në këtë raport të të ardhurave nga taksimi indirekt vs. direkt, sipas Ministrisë së Financave, kanë ndikuar disa faktorë: tatimet indirekte janë më të thjeshta për t’u mbledhur, veçanërisht ajo pjesë që mblidhet në momentin e importit, ndërsa tatimet direkte (sidomos mbi të ardhurat individuale) për kohë të gjatë kanë qenë objekt i niveleve të larta të shmangies dhe evazionit tatimor; përveç kësaj, politika e ndjekur ka qenë ajo e uljes së vazhdueshme të normave të taksimit direkt; ndërkaq, lidhur me taksimin indirekt, norma e TVSH është mbajtur e pandryshuar që në vitin 1996 (kur hyri në fuqi Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) dhe akciza ka shënuar rritje të vazhdueshme për mallrat kryesore si karburante dhe cigare.

Tatimi mbi fitimin, ndonëse në rritje deri në 2.2% të PBB-së sërish mbetet në nivele më të ulëta se në 2006-n, kur u shënua niveli më i lartë prej 2.6% e PBB-së.

Investimet kapitale kulmuan në 2008-2009, duke arritur në 8.4-8.7% të PBB-së, me ndërtimin e Rrugës Durrës-Kukës. Pas 2013-s, ky tregues nuk e kaloi asnjëherë nivelin e 5%, me përjashtim të 2020-s, kur qeveria u detyrua të merrte masa të jashtëzakonshme për të ndihmuar ekonominë e goditur nga Covid-19, përmes paketave mbështetëse, rritjes së pagesave sociale, si dhe fondeve për rindërtimin pas tërmetit. Paketat mbështetëse direkte ishin gjithsesi më të ulëta në rajon dhe Europë, në vetëm 1% të PBB-së, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Pagat, rritje e ulët, varfëria nuk ka ndryshuar

Treguesi më i mirë, sesa rritja ekonomike, që është kthyer në shtim mirëqenieje për individin, është rritja e pagave. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në sektorin shtetëror, rritja reale e pagave ka qenë më e lartë deri në vitin 2009, duke arritur kulmin në 2007-n (+13.8%) dhe më pas është ngadalësuar.

Pas 2013-s, të punësuarit në shtet kanë përfituar rritje reale zero, me përjashtim të 2017-s (7.8%) dhe 2019-s (1.9%). Për sektorin privat, krahasimi është më i vështirë, si për shkak të informalitetit që karakterizon deklarimet e listë-pagesave nga pjesa më e madhe e bizneseve dhe mungesës së raportimit nga INSTAT përpara vitit 2011.

Të dhënat zyrtare (që mund të merren me rezerva për shkak të informalitetit) tregojnë se paga mesatare mujore për një të punësuar në biznesin privat (përjashtuar sektorin financiar, shtetëror, bujqësinë, organizatat ndërkombëtare) nuk ka shënuar rritje reale më të lartë sesa 2.7%, ndërsa ka dhe vite kur ajo ka ardhur në ulje reale. Një tjetër pikëpyetje është se sa rritja ekonomike ka qenë gjithëpërfshirëse dhe ka ndikuar në uljen e pabarazisë dhe varfërisë. Sërish vlerësimi mbetet i vështirë, pasi të dhënat e fundit për matjen e saktë të varfërisë i përkasin vitit 2012.

Por, një raport i Bankës Botërore për diagnostikimin e vendit, i publikuar në maj 2020, konstatonte se reduktimi i varfërisë nuk ka reaguar shumë ndaj rritjes ekonomike, midis periudhës 2014 dhe 2017, në krahasim me periudhën e parakrizës globale financiare të 2008-s dhe varfëria vlerësohet se është rritur që atëherë.

Banka vëren se që nga viti 2015, varfëria ishte në stanjacion (ajo ra me 0.2 pikë përqindje midis 2015 dhe 2017) dhe deri në 2017, afër 4 në 10 shqiptarë ende jetuan me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë. Në fakt, deri në vitin 2017, niveli i varfërisë ishte ende mbi nivelin e vitit 2008.

Sipas raportit të Bankës, midis 2002 dhe 2008, një rritje prej 1% e PBB-së u shoqërua me një ulje të varfërisë prej 1.2%. Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes së varfërisë ra dhe një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi vetëm në një ulje të varfërisë 0.8%.

Rritja e prosperitetit te shtresat e varfra ishte pak më e lartë gjatë periudhës para krizës: ndërmjet 2005 dhe 2008, 40% e popullsisë që jetonte në kufirin e poshtëm të varfërisë shënoi një rritje vjetore të konsumit mesatar prej 2.64%, mbi mesataren për popullsinë e përgjithshme (1.25%). Tkurrja e ekonomisë midis 2008 dhe 2012 goditi fort 40 përqindëshin që jeton nën kufirin e 5.5 dollarëve në ditë, dhe konsumi i tyre mesatar ra me 1.2%.

Midis 2014 dhe 2017, përsëri u vërejt një rritje pozitive në mesataren e konsumit të shtresës së varfër, megjithëse pak më poshtë nivelit të parakrizës (me 2.44% në vit, kundrejt 0.7% në vit për popullsinë e përgjithshme).

Banka Botërore vlerëson se varfëria do të rritet më tej pas tërmetit dhe krizës së shkaktuar nga Covid-19. “

Shqipëria vlerësohet se ka elasticitetin më të ulët në lidhjen mes rritjes ekonomike dhe varfërisë në rajon, përveç faktit që ai është përkeqësuar vitet e fundit. Sipas Bankës Botërore, në Serbi, një rritje me 1% e PBB-së e uli varfërinë me gati 4% në periudhën 2013-2016 (përkundrejt 0.8 që e reduktoi në Shqipëri).

Shifrat e FMN-së, që matin PBB për frymë me çmimet korente, sipas barazisë së fuqisë blerëse, tregojnë një rritje mbi 4% në vit, me përjashtim të 2010-s, kur tranzicioni i qeverive ngadalësoi rritjen ekonomike.

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes se a jemi aty ku duhet të ishim, dy janë indikatorët kryesorë:

-Së pari, sa shpejt ka ecuri vendi në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që kërkon një rritje më të shpejtë të vendeve në zhvillim, me synim arritjen brenda një periudhe sa më të shkurtër të mesatares së shteteve të zhvilluara.

-Së dyti, ku jemi në raport me shtetet e tjera të rajonit, që kanë pasur një tranzicion të ngjashëm me ne.

Në procesin e konvergjencës, Shqipëria ka bërë përpara nga 2008-a deri në 2011-n, kur prodhimi i brendshëm për frymë, sipas fuqisë blerëse u rrit nga 25% e mesatares europiane në 30%. Më pas, mbeti në vend dhe në 2019-n, treguesi ishte sa 31% e mesatares së BE-së.

Në raport me shtetet e tjera të rajonit (pa përfshirë Kosovën), Shqipëria vijon të jetë e fundit në Europë. Ecurinë më të mirë e ka shënuar Mali i Zi, që ka arritur në 50% të mesatares së BE-së në 2019. Hendeku mes dy shteteve fqinjë është thelluar në 19 pikë përqindje, nga 17% në 2008-n.

Modeli ekonomik vijon të mbetet më i pafavorshmi në rajon. Vendi nuk ka arritur të shfrytëzojë as avantazhet e veta konkurruese. Shqipëria është më bujqësorja në rajon (me 18.4% të PBB-së), kundrejt 6.3% të Serbisë dhe 7.2% të Maqedonisë. Në paradoks, prodhimi i produkteve ushqimore është shumë më i ulët se në dy vendet fqinjë. Në Shqipëri ai zë 0.9% të PBB-së, kundrejt 3.4% në Maqedoni e Serbi, sipas të dhënave nga institutet statistikore të vendeve përkatëse.Industria përpunuese në tërësi mbetet më pak e zhvilluara tek ne, duke kontribuar në 6.1% të PBB-së, përkundrejt 14.5% në Serbi dhe 12.9% në Maqedoni. Serbia ka ecur shpejt në Teknologjinë e Informacionit, duke u kthyer në një model jo vetëm në rajon, por edhe Europë. Pesha e IT dhe shërbimeve të Informacionit në Serbi i ka kaluar 3% të PBB-së, përkundrejt 0.5% në Shqipëri.Qeveria i ka lënë “dorë të lirë” bizneseve, duke mos orientuar apo ndihmuar modelin ekonomik, siç ka bërë psh Serbia. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga fillimi i tranzicionit, që u shoqërua me një zhvendosje masive të popullsisë në qytet dhe ndërtime pa fre, kjo mani po vazhdon akoma, me ritmet më të larta në Europë.Të dhënat e INSTAT për vitin 2018, tregojnë se 75% e investimeve të brendshme në ekonomi shkuan pikërisht në sektorin e ndërtimit. Në krahasim me 1996-n, që është viti i pari që INSTAT e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton, është fare i vogël.Banka Botërore vlerëson se ndërsa industritë kryesore për rritjen e ardhshme në Shqipëri, siç është turizmi dhe transferimi i njohurive janë zhvilluar kohët e fundit, struktura e punësimit në të gjithë sektorët ka ndryshuar ngadalë në favor të prodhimtarisë dhe shërbimeve, dhe bujqësia ende punësoi rreth 38% të fuqisë punëtore në vitin 2019.

Në nivelin e rreth 400 eurove, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është rreth 30% më e ulët sesa ajo e Kosovës, e dyta më e ulët pas nesh.

Sipas Eurostat, Shqipëria renditet e fundit në Europë për fitimet mediane mujore bruto për vitin 2018 të qytetarëve të saj. Këto të dhëna (fitimet mediane) referojnë se gjysma e shqiptarëve fitojnë më pak se 302 euro në muaj dhe gjysma tjetër më shumë.