Vithkuqarët: Ne po investojmë, por duhen më shumë restaurime

596
Sigal

Nëse ndihmohemi me investime do të vijnë edhe emigrantët

Vithkuqarët: Ne po investojmë, por duhen më shumë restaurime

Nga Vepror Hasani

Tashmë  në fshatin e bukur turistik të Vithkuqit, janë në dispozicion të turistëve edhe bujtinat, të ndërtuara  nga emigrantët, që për vite të tëra kishin punuar jashtë vendit. Bujtinat gjenden mes gjelbërimit, freskisë, ujit të ftohtë dhe bukurive  natyrore. Në të vërtetë, në këtë fshat të gjitha banesat janë të rrethura  nga pamje panoramike, pasi Vithkuqi ende vijon të jetë një vend i virgjër. Numri i turistëve dhe vizitorëve  është gjithnjë në rritje. Sipas banorëve të fshatit, bujtinat, ofrojnë kushte shumë të mira, madje të gjithë ata që e kanë vizituar Vithkuqin, kanë mbetur të mrekulluar. Megjithatë, fshati Vithkuq edhe pse është një vendbanim i hershëm, me histori, kulturë dhe objekte kulti të shumta, ende nuk është i njohur aq sa duhet nga turistët dhe vizitorët.  Sipas banorëve, ka ndodhur kështu, sepse mungonte infrastruktura rrugore, gjë që i bënte të pamundura vizitat, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, kur Vithkuqi  merr vërtet një pamje të bukur, dhe veç kësaj ofron mundësira të shumta për ushqime tradicionale, argëtim dhe gjueti.

Mungojnë restaurimet e monumenteve të kulturës

Banorët e fshatit  mosnjohjen e Vithkuqit nga të huajt dhe vendasit e shohin edhe te mungesa e investimeve  te monumentet e kulturës. Në këtë drejtim duhej të ishte bërë më shumë, thonë ata. Madje banorët mendojnë se duhet të kryhen investime plus, me qëllim përmirësimin e ujësjellësit, të rrjetit të kanalizimeve,  rrugëve të brendshme të fshatit, sheshet, lulishtet etj. Sepse rritja e mundësive për pritjen e turistëve, nxit investimet nga vetë banorët për kthimin e banesave të tyre në bujtina. Kjo do bënte të mundur rikthimin e një pjese të banorëve të ikur në qytete të tjera të vendit, ose jashtë shtetit. Nwse qeveria ndihmon,  emigrantët e fshatit tonë  janë të gatshëm të investojnë në vendlindjen e tyre. Madje, interesi për rikthimin në Vithkuq, u vu re fill pas  përfundimit të rrugës prej 20 kilometrash që e lidhi me qytetin e Korçës. Kthimi i një pjese të banorëve të larguar është i mundshëm, sepse ata ia dinë vlerat që ka fshati, kuriozitetin që kanë vendasit dhe të huajt për të njohur këtë vend me histori të lashtë. Vithkuqarët  mendojnë se të gjithë bashkë mund ta shndërrojnë Vikthkuqin, në një qendër të rëndësishme turistike, ashtu siç ka qenë dikur, një qytet me emër të madh.

Pajisja me certifikatë pronësie

Kohët e fundit, për banorët e Vithkuqit, lajm i mirë ishte edhe mundësia e pajisjes së shpejti me certifikata pronësie për pronat e tyre, pasi vetëm kështu mund t’u hapet rruga investimeve private dhe kthimit të banorëve të ikur. Interesi nga vetë vithkuqarët është i madh. “Kemi filluar të vrasim mendjen, – na thonë ata, – për të bërë diçka që u vjen në ndihmë mysafirëve, me qëllim që edhe ne të nxjerrim të ardhura. Shpresa për një turizëm cilësor është e madhe, pasi vithkuqarët njihen për mikpritjen dhe gatimet e tyre tradicionale, karakteristike për zonën, që nga mishi i freskët, pastërmaja, mishi i lepurit, i thëllëzës apo dhe i peshkut të kapur aty pranë në rezervuarin e Gjançit;  armeja, oshafet, turshitë, kompostot, reçelrat, rakia e kumbullës etj, janë prodhime nga kopshtet e tyre, pa folur gjatë për djathin, kosin, dhallin, petkat, tërhanin apo dhe të specialiteteve të tjera, që mund t’i shijosh vetëm nëse shkon atje. Vithkuqi është gjithnjë i bukur, dimër dhe verë. Ai gjendet në një lartësi prej 1200 metrash, pika më e lartë e tij është Rungaja me 1750 m. mbi nivelin e detit,  rrethuar nga pyje me ah, dushk dhe drurë të tjerë. Llojet e shpendëve janë të shumtë, ashtu sikurse edhe kafshët e egra. Është vendi i 100 burimeve. Aty nis edhe rrjedha e lumit Osum. Në dimër mbulohet nga bora e madhe, kurse në verë nga gjelbërimi i pafund. Vithkuqi dhe Voskopoja ndodhen pranë njëri-tjetrit gjë që u jep mundësinë turistëve t’i vizitojnë të dy  këto vende me bukuri të rrallë. Gjithsesi, ndërtimi i bujtinave ka nisur.

Pak histori, pjesa më e madhe e banorëve janë të moshuar

Në hershmërinë e vet fshati Vithkuq ka pasur 7 lagje me  24 mijë banorë dhe 12 kisha, si: kisha  e Shën Pjetrit, e Shën Marisë, e Shën Ilias, e Shën Gjergjit, e Shën Vangjelizmoit, e Shën Kollit, e Shën Konstandinit etj; më e hershmja prej tyre ishte kisha e Shë Thanasit e ndërtuar në vitin 1162. Mjaft të njohur janë edhe  manastiri i  Shën Pjetrit, i  Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia  e Shën Mëhillit. Të gjitha këto e bëjnë Vithkuqin një fshat turistik të veçantë, me bukuri  natyrore  dhe monumentale. Kurse sot Vithkuqi  ka 3 lagje me 160 shtëpi. Pjesa më e madhe e banorëve janë të moshuar, por me investimet e pritshme, pritet që gjendja të ndryshojë dhe jeta e Vitkuqit  të gjallërohet si njëherë e një kohë.