Projektligji i ri për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët

1676
Sigal

Eksperti Fadil Kepi: Trajtimi suplementar për punonjësit e nëntokës dhe gjeodezisë. Pensioni për ish-kooperativistët, elektriçistët, emigrantët dhe leja e lindjes për burrat dhe gratë

Shpërblimi financiar dhe shtesa e pensionit kur vazhdon punën mbi moshë. Pensioni për ish-kooperativistët, elektricistët, fermerët, emigrantët dhe përfitimi i lejes së lindjes për burrat e gratë

Projektligji i ri/ Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për minatorët e nëntokës, naftëtarët dhe metalurgët

 

Shpërblimi financiar i daljes në pension

Pyetje

  1. Mihallaq Mile nga Berati me banim në Tiranë në letrën e tij shkruan: Më 11 maj 2019 plotësova moshën 65 vjeç, duke përfshirë dhe periudhën e asistencës, gjithsej kam 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Vitet e fundit kam punuar në sektor privat. Pyes, kur dal në pension, sa vite pune duhen për pension të plotë dhe a jepet shpërblim në këto raste?

Përgjigje

Juve më 11.05 të këtij viti, ju ka lindur e drejta për pension pleqërie. Para se të ndërprisni marrëdhëniet financiare me qendrën e punës, ju takon leja e zakonshme për periudhën që keni punuar këtë vit. Personave që dalin në pension në 2019-n, që kanë punuar në sektor shtetëror, i takon deri në një pagë mujore shpërblim, sipas vendimit të qeverisë nr.493, datë 06.07.2011, ndërsa ata që dalin në pension në sektorin privat, shpërblimi është në kompetencë të qendrës së punës, sipas kontratës përkatëse që është lidhur me punëdhënësin. Për pension të plotë ju duhen 36 vjet e 8 muaj, të cilat ju i keni plotësuar. Sqarime më të hollësishme për dokumentet që duhen plotësuar për pension, mund të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore. Duke shpresuar se ju kam sqaruar, ju përshëndes dhe ju uroj gëzuar ditëlindjen, të cilën e keni festuar ditën që dolët në pension!

Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar për minatorët e nëntokës, naftëtarët dhe metalurgët

Pyetje

Naftëtari Jonuz Çani nga Fieri në bisedë telefonike tha: Ditët e fundit plotësova moshën 63 vjeç. Gjithsej kam punuar 42 vjet i siguruar, e nga këto 23 vjet në naftë. Nga media, jemi informuar se qeveria kohët e fundit, ka miratuar projektligjin për trajtimin me pension suplementar të minatorëve të nëntokës, naftëtarëve dhe metalurgëve, dhe ia ka dërguar Kuvendit. Pyes, a mund të na informoni më hollësisht për përmbajtjen e projektligjit të mësipërm?

Përgjigje

Bazuar në projektligjin që i është dërguar kuvendit për pensionet suplementare të minatorëve të nëntokës, naftëtarëve dhe metalurgëve, parashikohet që minatorët e nëntokës, për çdo vit që kanë punuar në nëntokë të përfitojnë 1% shtesë mbi pensionin. Gratë naftëtare të cilat plotësojnë moshën 55 vjeçe dhe kanë 25 vjet punë gjithsej,(nga këto 15 vjet në naftë), dhe burrat që plotësojnë moshën 60 vjeç me 30 vjet punë të siguruara gjithsej,(nga këto 20 vjet në naftë), përfitojnë 0.6% pension suplementar për çdo vit të punuar në naftë. Gjithashtu 0.6% për çdo vit pune përfitojnë pension suplementar edhe punonjësit e metalurgjisë. Pas miratimit të ligjit në Kuvend dhe botimit në fletoren zyrtare, gazeta “Telegraf” do t’iu sqarojë më hollësisht.

Kushtet e përfitimit të pensionit për ish-kooperativistët

Pyetje

Një mësuese nga Tirana në mesazhin e saj sqaron: Babai im banon në Skrapar dhe është i datëlindjes 10.10.1954. Aktualisht ka 35 vjet punë të siguruara, dhe nga këto 2 vjet në ish-kooperativë bujqësore. Pyes, kur i plotëson kushtet për pension?

Përgjigje

Babai juaj do të dalë në pension 65 vjeç më 10 tetor 2019, dhe për pension të plotë do t’i kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç. Po të sigurohet para moshës së pensionit edhe 2 vjet e 8 muaj si i vetëpunësuar në bujqësi, nëse ka tokë sipas ligjit, ose të bëjë sigurime vullnetare, do të përfitojë pension të plotë shteti. Një vit i plotë pune për pension në ish-kooperativë bujqësore, quhet kur ai ka realizuar 280 ditë pune në vit. Kujdes, nëse në moshën 65 vjeç do të keni më pak se 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara, do të marrë pension kooperative, shpjegon specialisti Fadil Kepi. Nëse në certifikatën familjare janë 2 pensionistë, do të përfitojë dhe kompensim të energjisë elektrike. Sqarime më të hollësishme para daljes në pension mund të merrni në DRSSH Berat.

Afati i sigurimeve vullnetare për emigrantët

Pyetje

Në letrën që na ka dërguar z.Arben Deliallisi nga Durrësi lexojmë: Jam i datëlindjes 30 mars 1954 dhe në Shqipëri kam punuar i siguruar 29 vjet, ndërsa disa vite kam punuar në Greqi. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit në vendin tonë, dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës?

Përgjigje

Ju moshën e pensionit, 65 vjeç e keni plotësuar, më 30 mars të këtij viti, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara në Shqipëri. Me 29 vjet punë që keni do të merrni pension të pjesshëm në masën rreth 80% të pensionit të plotë. Të drejtën për t’u siguruar vullnetarisht e keni pasur deri më 30.03.2019, ditën që plotësuat moshën e pensionit. Periudhat e punës të siguruara në Greqi janë të vlefshme për të përfituar pension vetëm sipas ligjit grek.

Përfitimi i pensionit për elektricistët

Pyetje

Një lexues i gazetës “Telegraf”, me banim në Tiranë shkruan: Jam i datëlindjes 30 maj 1955 dhe punoj elektricist në një institucion buxhetor dhe kam 36 vjet punë të siguruara. Pyes, kur i plotësoj kushtet për pension?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç, më 30 maj 2020, dhe për pension të plotë do t’ju kërkohen 37 vjet punë të siguruara në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç. Nëse ditën që plotësoni moshën e mësipërme, nuk keni 37 vjet punë, do të merrni pension të pjesshëm rreth 98% të pensionit të plotë. Para daljes në pension, ju takon leja e zakonshme për periudhën që do të punoni vitin e ardhshëm, si dhe deri 1 rrogë shpërblim. Sqarime më të hollësishme për dokumentet që duhet të plotësoni dhe afatet e dorëzimit, do të merrni pranë sigurimeve shoqërore.

 

Ndryshimi i pensionit pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit

Pyetje

Znj. Liri nga Fieri në mesazhin e saj sqaron: ditët e fundit babai im pensionist ndërroi jetë. Ai merrte pension më të lartë se nëna. Pyes, a mund të ndërpresë nëna pensioni e saj dhe të marrë pensionin e babait?

Përgjigje

Duke paraqitur në DRSSH Fier librezën e pensionit të babait dhe certifikatën e vdekjes, ju do të merrni pensionin e tij deri ditën që ka jetuar dhe 13 mijë lekë ndihmë financiare që japin sigurimet shoqërore në këto raste. Nga dita që babai ka ndërruar jetë, nëna juaj mund të vazhdojë të marrë pensionin e saj ose gjysmën e pensionit të bashkëshortit që nuk jeton, cila shumë të dalë më e lartë. Nëse në certifikatën e gjendjes familjare, nëna figuron e vetme, përfiton dhe kompensim të energjisë elektrike, të cilin e merrte bashkëshorti.

Për më tepër lexoni “Telegraf”