Prof. Rauf Dimraj: Personaliteti i artit të lëvizjes rrit cilësinë kombëtare sportive, duke programuar mësimin e edukimit fizik

Studimet nxjerrin në pah se investimi në fushën e edukimit fiziko-sportiv rrit rendimentet bio-fiziologjike

Është mësuesi i edukimit fizik dhe dëshirojmë të thërrasim në vëmendjen e gjithësecilit njohjen, respektin, vlerat e punës dhe kontributin e tij shoqëror.

Sigal

Natyra e ka udhëhequr me saktësi njeriun që në formimin në gjenezë, dhe i ka dhuruar lëvizjen fizike, lojërat sportive, mjete këto thelbësore, që ndikojnë në të shprehurit, në reagimin e geneve dhe në rritjen bio–fiziologjike, shëndetësore, psikologjike, sociale, përkrah egzistencës dhe gëzimit të jetës.

Mjeku grek Galeno (129-201 pas erës së re, ka shkruar që: “përmbi banjot dhe masazhin, mbizotërojnë efektet që vinë nga ecja, nga vrapimi, nga mundja, nga kacavjerrjet nëpër shkëmbinj dhe nga disa aktivitete të fuqishme fizike, sepse janë antidoda të çmueshme, për riekujlibrimin e shëndetit dhe formimin e një stili të shëndetshëm jetese”.

Fatkeqësisht një masë e madhe e njerëzve shprehet dhe vazhdon akoma të mendojë se është gjenetika ajo që paracakton lindjen e patologjive në jetën e një personi.

Pra gjykohet se nëse baballarët, xhaxhallarët apo gjyshërit kanë vdekur të rinj për shkak të patologjive të ndryshme, si diabeti, obeziteti, sëmundjet e zemrës, mbitensioni, hemoragjia cerebrale, artriti dhe kanceri, etj, atëherë në këtë ngjashmëri edhe pasuesit e tyre do të kenë të njëjtin fat.

Nuk është e mundur të jetë normal njeriu që nuk ka zhvilluar lojra në vogëli dhe po ashtu është e pamundur që ai të zotërojë një nivel të përshtatshëm ekuilibri në trup, kur vazhdon të mos “luajë”, edhe kur është në moshë të rritur.

Studimet nxjerrin në pah se investimi në fushën e edukimit fiziko-sportiv rrit rendimentet bio-fiziologjike, ngadalëson plakjen e kockave, të muskujve, të artikulacioneve e strukturave organike të njeriut, si dhe kthen në jetë e punë normale shumë invalidë, që mund të jetojnë shëndetshëm, edhe për një kohë më të gjatë.

Është një investim, një proçes që organizohet e drejtohet nga mësuesi i edukimit fizik, e që nuk shpenzon ilaçe dhe para, por shpenzon kalori, djersë, largon mbeturinat dhe rrit imunitetin e trupit dhe ekonominë kombëtare.

Të gjithë sot janë në gjendje të zgjedhin një mori ushtrimesh për t’u stërvitur. Sot, nëpërmjet internetit mund të nxirren një numër i pafund i metodave të stërvitjes, por vështirësia qendron për të kuptuar  dobinë, apo rrezikun që ato ofrojnë gjatë praktikimit.

Kështu, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, i dhanë një rëndësi të veçantë zhvillimit fiziko-lëvizor duke institucionalizuar masivizimin e zhvillimit shkencor të edukimit fizik, për të gjithë rininë shkollore.

Për këtë qëllim u hartua dhe u miratua në vitin 2014, Platforma e parë shkencore e edukimit fizik dhe kjo lëndë tashmë zhvillohet në shkolla për ciklin e moshave 6-18 vjeç me tre orë mësimore në javë.

Njëherësh u realizua edhe kualifikimi teorik dhe praktik i gjithë mësuesve të vendit, të cilët janë aseti parësor që organizon, drejton e mundëson zhvillimin e mirëqenies së shëndetit të qytetarëve në mosha e breza.

Ky proçes funksional mbarë kombëtar e renditi Shqipërinë përpara shumë shteteve të zhvilluara të Evropës dhe realizoi ndryshime sasiore dhe cilësore në fushën e edukimit fizik:

  1. U punësuan 720 mësues të rinj për edukimin fizik në shkolla.
  2. U rrit personaliteti i edukimit fizik dhe dobia e kësaj lënde mësimore për mbrojtjen dhe zhvillimin e shëndetit të nxënësve.
  3. U rrit roli, kontributi dhe autoriteti i mësuesit të edukimit fizik, i cili ishte nëpërkëmbur pas vitit 1990.

Tashmë mësimi i edukimit fizik nuk zhvillohet përmes empirizmit. Mësuesit njohin gjetjen e madhe të mjekësisë të shekullit XX që “Sëmundjet e njeriut mund të parandalohen”, dhe për këtë arësye ata zhvillojnë mësimin me aktivitete që udhëhiqen nga parimet e shkencave biokimi, fiziologji, anatomi, psikologji, pedagogji, sociologji, biomekanikë, auksologji, mënyra e të ushqyerit, metodologjia e stërvitjes, etj.

Nuk ka aspekt tjetër të jetës njerëzore, që organizohet dhe zhvillohet me përfshirjen e një spektri kaq të madh të shkencave, sikundër këtë e realizon mësuesi i edukimit fizik.

Mësuesit udhëhiqen nga “Kartela individuale e nxënësit”, model specifik ky i një arritje shkencore në nivelin bashkëkohor; ata testojnë dhe përcaktojnë intensitetin e ngarkesave të sistemit kardio-respirator-vaskolar të çdo nxënësi në shkollë, në mënyrë që ata të ushtrohen jo me program të hamendësuar, por të praktikohen me sforcim fizik të personalizuar, për t’i mbrojtur nga rreziqet e patologjive të qarkullimit, si vdekjet e papritura apo hemoragjia cerebrale.

Këta specialistë të edukimit fizik programojnë orën e mësimit me ushtrime biomekanikisht korrekte. Në vijim zgjedhin metodën më frytdhënëse, rrjedhojë e kombinimit të llojit të ushtrimit efikas, të numërit të përsëritjeve të tij, si dhe të kohës së pushimit ndërmjet tyre. Këtë metodë, bazuar në parimet e gradualitetit e të progresivitetit, mësuesi e zbaton me të gjithë nxënësit, të cilët praktikohen, edukohen dhe përfitojnë përshtatjen më të sigurt e më të dobishme bio-fiziologjike, për rritjen e imunitetit të organizmit të tyre.

Mësuesit e edukimit fizik zotërojnë artin e komunikimit e bashkëbisedojnë dhe edukojnë nxënësit me konceptin se shëndeti është funksion i kërkesave të natyrës gjenetike (të cilat nuk duhen absolutizuar pasi kanë efekt të kufizuar tek njeriu) dhe i zgjedhjeve si: dieta korrekte ushqimore, mënyra e jetesës ku bën pjesë praktika fiziko-sportive dhe konditat ambientale. Janë këto aspekte që bëjnë të mundur të modifikohen të shprehurit e shumë e shumë geneve, e që mundësojnë të përfitohet në maksimum nga kontributi i tyre, e kësisoj të arrihet të mënjanohen patollogjitë, stresi psikologjik dhe të rritet mirëqenia personale e familjare e nxënësve.

Mësuesit e edukimit fizik kanë aftësi dhe demonstrojnë ushtrime mësimore me korrektësi biomekanike. Ata shfaqin fuqinë dhe bukurinë e trupit të njeriut në lëvizje e kësisoj janë shembull frymëzimi për brezin e ri. Ata zotërojnë metodologjinë e uljes së mbipeshës e të obezitetit, duke i mundësuar nxënësve të mënjanojnë sedentaritetin, të parandalojnë sëmundjet dhe i sigurojnë fuqizimin e shëndetit e gëzimin e jetës.

Këta specialistë kanë aftësi të servirin ushtrime me mbingarkesa, që mënjanojnë zhvillime me pasoja të dëmshme, sidomos ndaj shtyllës kurrizore, që fatkeqësisht i hasim tek një masë e madhe e qytetarëve.

Mësuesit e analizojnë programin e edukimit fizik dhe përshtasin mësimdhënien sipas zhvillimeve shkencore, teorive të reja dhe konkluzioneve të studjuesve të lëvizjes fiziko-sportive. Ata:

  • Programojnë dhe zhvillojnë lëvizjet fiziko-sportive në shkollë mbi baza shkencore.
  • Krijojnë tek nxënësit konceptin se parandalimi i faktorëve të rrezikut kundrejt patologjive kardiake, infarktit, mbitensionit, artriteve, gurëve në tëmth, kancerit, obezitetit, është e mundur të bëhet nëpërmjet aktivitetit fizik dhe zbatimit të një diete të shëndetshme ushqimore.
  • Ndërgjegjësojnë nxënësit për të kryer procedurat e analizave mjekësore dhe matjen e aftësive fiziko-lëvizore, me qëllim për të parandaluar faktorët e rrezikut patologjik dhe dëmtimet nga aktivizimi lëvizor empirik, si dhe për të evidentuar talentet e shkollës, të cilët do të rrisin cilësinë sportive kombëtare.
  • Edukojnë nxënësit që të besojnë në aftësitë vetiake, të fitojnë autonomi e vetëkontroll.
  • Ndikojnë në edukimin e nxënësve me virtyte humane dhe të krijojnë marrëdhënie e klimë miqësore me të tjerët; të respektojnë ambientin dhe të integrohen me aspektet karakteristike të natyrës.
  • Stimulojnë vetitë e kuriozitetit, tolerancës, ndershmërisë, drejtësisë, kulturën e meritokracisë dhe respektimin e diversitetit të kulturave tek secili nxënës.
  • Edukojnë nxënësit me dëshirën e madhe për të mësuar, zgjedhur, lëvizur, luajtur, argëtuar, gëzuar, imituar dhe fantazuar.
  • Stimulojnë përmirësimin e funksioneve kognitive të nxënësve, si: inteligjenca, përqendrimi, gjykimi, përllogaritja, mendimi abstrakt, rritja e aftësive të kujtesës, etj.
  • Mënjanojnë zhvillime të specializimeve të parakohshme fiziko-sportive.

Mësuesi i edukimit fizik bën shërbime të çmuara për gjeneratat. Ai programon në mënyrë të individualizuar mësimin e edukimit fizik dhe zbukuron trupin, personalitetin, dinjitetin dhe motivimin e nxënësve. Kjo është rruga që rrit edhe cilësinë kombëtare sportive.

Pra, mësuesi i edukimit fizik është aset kombëtar; ai i ofron nxënësve sportin, si një model dhe instrument për mbrojtjen nga patologjitë fizike, mendore, motivimeve, sjelljeve, problemeve sociale, dhe përmbys faktorët stimulues të sëmundjeve dhe depresionin e shoqërisë.

Promovimi i punës dhe i kontributit të mësuesit nevojitet të jetë objektiv parësor i institucioneve lokale, mediatike dhe sanitare, me qëllim për të vendosur praktikën sportive si shtyllë themeli për edukimin e rinisë shkollore, plotësimin e kërkesave të saj, si dhe të investohet me infrastukturë të përshtatshme e me specialistët më të aftë, për të rritur mirëqenien e qytetarëve.