Prof. Dr. Bajram Hysa: Krimi që vjen nga braktisja e shkollës

Ndodhi padyshim një ngjarje tejet e rëndë, që tronditi opinionin shqiptar, një 21 vjeçar me precedent të mëparshëm kriminal dhe i pashkolluar, i mori jetën oficerit të policisë, Saimir Hoxha! Është i pari efektiv kohët e fundit që humb jetën në detyrë.

Duke e shpallur dëshmor nënkomisarin e rënë dhe duke i garantuar një pagesë mujore familjarëve, qeveria thjesht ka realizuar një veprim teknik, por jo një strategji veprimi të vazhdueshëm ndaj krimit që vjen nga braktisja e shkollës dhe auditoreve, i cili mund të marrë të tjera jetë policësh apo qytetarësh të thjeshtë.

NOA

Ne të mjekësisë e dimë mirë se diagnostifikimi total mund të kryhet vetëm në rastin e autopsisë së fenomenit. Ndaj procesit duhet t’i shkohet deri në fund, duhet vepruar në kohë, me gjithë rreziqet që mbartin këto fenomene, duke nxjerrë edhe mësime prej ngjarjeve të tilla, në mënyrë që të ndërtohen përqasje të vëmendshme, vizione dhe prioritete të reja për të ardhmen.

Gjithçka fillon nga arsimimi. Niveli i arsimimit bazë të popullsisë në zonat e largëta urbane apo rurale është në kuota mjaft simbolike, për të mos thënë që në shumë raste mungon krejtësisht.

Të rinjtë para së gjithash duhet të arsimohen. Kjo do të ishte një kthesë e rëndësishme në mbijetesën dhe të ardhmen e tyre. Shëndetësia, ushqimi dhe arsimimi janë tri koncepte bazë për të mirëfunksionuar një sistem vlerash njerëzore e demokratike. Kur mungon arsimimi shtohet kontigjenti i krimit, do të ketë më shumë vrasje e drogë. Kësisoj  do të degradojë përfundimisht zhvillimi i burimeve njerëzore. Qytetarët e këtyre zonave do të ktheheshin kështu në një problem të madh për çdo lloj qeverisjeje, madje qeverisja dhe të gjithë ne si shoqëri do të paguanim një çmim të shtrenjtë për këtë neglizhencë dhe pakujdesi.

Paqja dihet që kushton shumë më pak se një luftë, ndaj duhet investuar në mënyrë të shpejtë për të mbrojtur veten dhe shoqërinë nga ky rrezik imediat. Arsimimi është rruga më e mirë, strategjegjia më e mirë parandaluese. Ndaj duhen ndërmarrë masa urgjente për të investuar në arsim. Mungesa e arsimimit bazë, apo arsimimi i mangët në këto vite të tranzicionit, ka sjellë pasoja për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve.

Të rinjtë në zona të thella janë përpjekur për të gjetur rrugë për një situatë të mirë financiare në një kohë të shkurtër, duke u futur në rrugën e krimit.

Për ironi të situatës, shumë prej këtyre të rinjve kanë mbetur jashtë sistemit, jashtë bashkësisë politike, arsimore e kulturore. Kjo duhet të riparohet me urgjencë.

Banka Botërore ngre alarmin e rritjes së përqindjes së analfabetizmit funksional në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Në Shqipëri 50% e 15 vjeçarëve janë analfabetë funksionalë, ndërkohë që kjo shifër shkon deri në 60% te moshat 20-21 vjeç.

Sipas raportit të Bankës Botërore pritet të ketë përkeqësim të shifrave edhe për shkak të mësimit në distancë gjatë pandemisë, papërgatitjes së nevojshme të mësuesve për të dhënë mësim për një kohë të gjatë në distancë, si dhe pamundësisë së prindërve për të ndihmuar fëmijët.

Viti  akademik 2020-2021 ka pasur një numër të konsiderueshëm të nxënësve që nuk kanë pasur mundësi të përfshihen në mësimin online. Do ishte fatale që ky fenomen të përsëritej edhe këtë vit.

 

Me projekte afatshkurtra duhet të investohet në infrastrukturën arsimore të zonave të largëta dhe informale, jo duke arritur të paarritshmen, por duke instaluar pajisje elektronike. Kështu do të mbaheshin fëmijët të lidhur pas shkollës dhe do të shmangej edhe një pjesë e fenomenit të shfrytëzimit të punës së fëmijëve që punojnë në të zezë, apo të fëmijëve të mitur, që bredhin rrugëve për të shitur ndonjë send. Veprimi institucional në fushën e arsimimit në këto zona duhet të jetë i orientuar, dhe në të njëjtën kohë i rrënjosur dukshëm në realitetet dhe mundësitë  e së tashmes.