Përgjegjësit për varfërinë  dhe shpopullimin e Shqipëria

53
Sigal

Analizë nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici / Në Shqipëri nuk ka punë dhe ka humbur shpresa për të ardhmen. Njerëzit po largohen për shkak të kushteve ekonomike, pasi ata duan jetesë më të mirë. Shqiptarët janë shumë të varfër dhe nuk ka siguri për të ardhmen, nuk ka drejtësi, nuk kemi zgjedhje të lira, nuk ka fabrika, bizneset po mbyllen dhe kanë mbetur vetëm pleqtë. Këtu ka kontrast midis varfërisë dhe makinave luksoze, kostua së lartë të jetesës përballë pagave më të ulëta në Europë

– Në Kukës ka vetëm të moshuar dhe mes mjerimit sheh disa makina luksoze.

– Në Shqipëri nuk ka punë! Ka humbur shpresa për të ardhmen.

– Këtu nuk ka asgjë është vend i varfër, kostua e jetesës është e lartë, kurse pagat janë më të ulëta.

Në një platformë mediatike x, datë 27 nëntor 2023, ndodhet artikulli me titull: “Kukësi drejt shpopullimit, Daily Mail: Ka vetëm të moshuar, mes mjerimit sheh disa makina luksoze!”.

Gazetari i gazetës britanike Daily Mail ishte në Kukës. Ai takoi njerëz të moshave të ndryshme, dhe kërkoi mendimin e tyre, pse banorët emigrojnë (largohen përgjithmonë), veçanërisht të rinjtë në Mbretërinë e Bashkuar? Njerëzit e të gjitha moshave treguan shkaqet e emigrimit (largimit). Shkaqet janë këto:

– Në Shqipëri nuk ka punë! Ka humbur shpresa për të ardhmen. Këtu nuk ka asgjë – Është vend i varfër – Kostua e jetesës është e lartë, kurse pagat janë më të ulëta. Njerëzit largohen për shkak të kushteve ekonomike. Ata duan jetesë më të mirë, Shqiptarët janë shumë të varfër. – Nuk ka siguri për të ardhmen – Këtu nuk ka drejtësi – Nuk kemi zgjedhje të lira. Këtu nuk ka fabrika. Të gjithë duan të ikin. Këtu kanë mbetur vetëm pleqtë…

Kryetari socialist i Bashkisë së Kukësit tha se po bëjnë fushatë, për t’i bindur emigrantët të kthehen në vendlindje. Zona jonë e goditur nga varfëria po ndihmohet, sepse ka humbur gjysmën e popullsisë nga viti 1990. Emigrimi masiv ka bërë që Kukësi dhe fshatrat malorë rreth tij të etiketohen “qytetet fantazmë”, pasi kaq shumë të rinj dhe familje janë larguar, ndërsa ka mbetur vetëm brezi i vjetër. Mbretëria e Bashkuar financon një program prej 8,4 milion paund për të krijuar vende të punës në qarkun e Kukësit. Kryetari i Bashkisë thotë: “Një pjesë të madhe të parave të Mbretërisë së Bashkuar po i përdorim për të bindur emigrantët të kthehen”. Ai ofron: Zbritje tatimore dhe grante (dhurata) për të ngritur biznese, që lidhen me turizmin!! Ai turizmin e sheh si çelësin për zgjidhjen, dhe për të nxitur ekonominë e rajonit, por shumë emigrantë nuk binden!!

Nga ky artikull rezulton se banorët e qarkut të Kukësit, dhe të gjithë Shqipërisë, po emigrojnë, sepse mungojnë kushtet për jetesë, mungojnë vendet e punës, ka humbur shpresa për të ardhmen. Edhe bagëtia pa mend në kokë, kur nuk ka bar për të kullotur, kalon në kullotat e fqinjve, jo më njerëzit me mend në kokë. Çfarë duhet bërë për zhvillimin e ekonomisë dhe frenimin e shpopullimit të Shqipërisë? Mendoj se caktimi i turizmit si sektor strategjik për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë nuk është i drejtë. Zhvillimi i infrastrukturës rrugore etj. e ka bërë Shqipërinë tërheqëse për të jetuar të huajtë (me rrogat dhe pensionet e tyre të larta) dhe të pabanueshme për shqiptarët (me papunësinë dhe rrogat e tyre të ulëta). Prandaj, shqiptarët po ikin për gjithmonë nga Shqipëria, kurse të huajt po vijnë të jetojnë në Shqipëri. Çfarë tregojnë shembujt nga bota për turizmin?

Kuba është vend i ngrohtë tropikal. Ajo e ka shumë të zhvilluar turizmin, gjatë gjithë vitit. Vija bregdetare e Kubës është rreth 8000 km e gjatë, kurse e Shqipërisë është rreth 450 km!!! Megjithatë, Kuba është një vend shumë i varfër!! Turizmi nuk e ka zhvilluar ekonominë, dhe nuk e ka rritur mirëqënien e popullit kuban!!

Greqia fqinje e ka shumë të zhvilluar turizmin. Ajo zë vendin e parë në Europë për gjatësinë e vijës bregdetare turistike (rreth 15000 km!!!). Në këtë drejtim, ne nuk mund të krahasohemi fare me Greqinë. Por zhvillimi ekonomik i Greqisë nuk varet vetëm nga turizmi. Ajo ka të zhvilluar edhe sektorë të tjerë të ekonomisë: Greqia ka flotën detare tregtare, që transporton mallra me pagesë, nga më të mëdhatë në botë. Ajo e ka shumë të zhvilluar industrinë e prodhimit të çimentos. Prodhon rreth 15 milion ton çimento në vit, duke zënë vendin e tretë në botë. Greqia ka të zhvilluar bujqësinë, industrinë ushqimore etj.

Pra, zhvillimi ekonomik i Shqipërisë nuk duhet bazuar kryesisht në turizëm. Turizmi nuk zgjith problemin e punësimit dhe të mirëqënies së popullit. Të gjitha pasuritë natyrore të Shqipërisë (naftën, gazin, minierat…) qeveritë pas vitit 1990 i kanë privatizuar, kurse popullin e mashtrojnë me përrallat e turizmit!! Turizmi sjell të ardhura të rëndësishme, por nuk është vendimtar për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Prandaj Shqipëria është shndërruar në një vend të varfër. Pse nuk marrim shembull nga shtetet sociale, ku qeveria mendon dhe punon për mirëqënien e popullit?

Një nga shtetet sociale është Norvegjia. Shteti norvegjez ka mbajtur pronësinë e sektorëve kyç dhe strategjikë të ekonomisë. Shteti norvegjez është pronar i sektorit strategjik të naftës. Ai është pronar i prodhimit të energjisë hidroelektrike. Shteti norvegjez është pronar i prodhimit të aluminit. Ai është pronar i bankave të mëdha norvegjeze. Shteti norvegjez është pronar i telekomunikacionit etj., kurse në Shqipëri gjithçka është privatizuar. Nafta dhe gazi luajnë rolin kryesor në ekonominë e Norvegjisë, dhe prandaj shteti norvegjez është pronar i vendburimeve të naftës dhe të gazit (jo si në Shqipëri)!

– Njerëzit largohen për shkak të kushteve ekonomike pasi ata duan jetesë më të mirë.

– Shqiptarët janë shumë të varfër dhe nuk ka siguri për të ardhmen pasi nuk ka drejtësi.

– Nuk kemi zgjedhje të lira, nuk ka fabrika dhe të gjithë duan të ikin pasi kanë mbetur vetëm pleqtë.

Si e zhduku papunësinë, dhe e frenoi emigracionin Norvegjia? Ajo e zhduku nëpërmjet zhvillimit të sektorit shtetëror të naftës dhe të gazit. Të marim shembull prej saj, ku çdo banor është një milioner, vetëm në saje të zhvillimit të sektorit shtetëror të naftës. Shtrohet pyetja: A ka Shqipëria perspektiva të mëdha për naftë dhe gaz, ngjashëm me Norvegjinë?

Unë jam gjeolog pensionist. Kam punuar në të gjithë territorin e Shqipërisë. Mua më rezulton se e gjithë Shqipëria (Shqipëria-Kosova) ka perspektivë të jashtzakonshme për naftë dhe gaz, sidomos Shqipëria Lindore, që vazhdon në Kosovë. Pra, e gjithë Shqipëria Lindore dhe Veriore (zona malore) ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Me çmimet e sotme të naftës, shqiptarët mund të bëhen shumë të pasur!! Shqipëria nuk është aspak e varfër, sikurse shprehen më lartë banorët e Kukësit, por ajo është e keqqeverisur. Banorët e qarkut të Kukësit e kanë pasurinë dhe punën tek dera e shtëpisë!! Ndryshimi me Norvegjinë është se ajo e ka naftën dhe gazin poshtë Detit të Veriut, kurse Shqipëria e ka poshtë maleve!! Për perspektivën e naftës dhe të gazit në Shqipërinë Lindore kam shkruar në disa libra, por qeveria jonë hesht. Edhe gjeologët tanë heshtin. Ata nuk mbështesin apo kundërshtojnë me fakte studimet e mija. Kjo është fatkeqësi jo për mua, por për Shqipërinë!! Kryetari i Bashkisë së Kukësit mendon t’i hedhë në erë paratë e dhuruara nga Mbretëria e Bashkuar, duke investuar në turizëm!! Pse nuk pyet kryetari gjeologët e shquar kuksianë, si Rakip Hyseni me shokë? Qarku i Kukësit, ku unë kam punuar, ka edhe shumë pasuri të tjera, sidomos hekur-nikel. Duhet shtetëzim dhe zhvillim i pasurive natyrore, siç veproi Norvegjia. Kryetarit të Bashkisë së Kukësit i rekomandoj të lexojë tek Ari i Zi/facebook (në Skedarët) shkrimin tim me titull: “Rekomandime për naftën shqiptare”. Atje rekomandohen punime kërkimi për naftë dhe gaz në masivin e Tropojë-Has-Morinës. Në rastin pozitiv, do të zgjidhej punësimi dhe rritja e mirëqënies jo vetëm për Tropojë-Has-Kukësin, por edhe për Gjakovë-Prizren etj.

Grupi im i gjeologëve i ka propozuar qeverisë struktura shumë të cekta, për kërkim dhe zbulim nafte dhe gazi brenda një muaji, dhe jo si në Shpirag, ku nafta ndodhet shumë thellë dhe me kosto të lartë. Atje kërkimi po vazhdon mbi 22 vjet! Qeveria hesht ndaj propozimit tonë. Çfarë do t’i kushtonte qeverisë, të krijonte një grup ekspertësh gjeologë. Asgjë nuk do t’i kushtonte. Ky grup ekspertësh të dëgjonte referimin tonë, të bënte pyetje dhe të merrte përgjigje. Pastaj grupi i ekspertëve t’i rekomandonte qeverisë për veprim ose jo. Për pasuritë natyrore tek ne nuk vendos populli, por qeveria. Prandaj jemi këtu ku jemi!! Kur populli i thotë kryeministrit Rama, se shqiptarët po largohen nga Shqipëria (po emigrojnë), ai përgjigjet se të gjithë popujt emigrojnë, dhe përmend polakët, rumunët etj. Ai nuk bën dallimin midis emigrimit dhe shpopullimit. Në fakt, emigrimi është largim i përhershëm i një përqindje të vogël të popullsisë (1-3-5%), kurse largimi masiv dhe i përhershëm i popullsisë (me përqindje të lartë), siç po ndodh tek ne! Ky nuk është emigracion, por është shpopullim. Shpopullimi, kjo fatkeqësi e madhe dhe e pariparueshme, po ndodh në Shqipëri. Por qeveria jonë nuk shqetësohet. Ajo po i zëvendëson shqiptarët që ikin, me të huajt që vijnë si emigrantë: Serbë, ruse dhe emigrantë afrikanë!!