Oligarkët fituan 3.5 miliardë euro, por nuk paguan asnjë euro taksa

502
Sigal

Zbardhet abuzimi i kompanive me pasuritë natyrore të Shqipërisë në naftë, miniera, HEC-e etj. Vetëm njëra prej kompanive sipas bilancit zyrtar ka fituar 3.5 miliardë euro, por shteti muk i ka paguar asnjë qindarkë, edhe pse deklaron se do të shpërndajë 300 milionë euro fitime për aksionerët. Ndërkohë, 300 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri dhe 500 mijë të tjerë arratisen jashtë vendit

Që prej vitit 2004 kompania e naftës deklaron humbje dhe nuk paguan tatim fitimin, ndërkohë qeveria i “fal” edhe 21 milionë euro

 

Abuzimi i oligarkëve me pasuritë natyrore të Shqipërisë – Bankers 3.5 miliardë euro fitime në 15 vjet, pa paguar taksa

 

Pasuritë natyrore të Shqipërisë prodhojnë fitime marramendëse, por pjesa dërrmuese e tyre shkon për një grusht kompanish dhe jo tek qytetarët. Rasti më flagrant është ai i shfrytëzimit të naftës, shkruan Top-Channel. Vitin e kaluar, Bankers Petroleum, fitoi 24 milionë euro nga prodhimi i naftës në vendburimin e Patos Marinzës. Por, edhe pse ishte kompania e pestë me fitimin më të lartë në Shqipëri për 2018-n, ajo nuk derdhi asnjë lekë tatim fitimi në Buxhetin e Shtetit, duke pretenduar se ende nuk ka rikuperuar plotësisht kostot e investimeve të kryera. Marrëveshja koncesionare e lidhur në vitin 2004 i lejon kompanisë të mos paguajë asnjë lekë tatim fitimi deri sa të ardhurat nga shitja e naftës të rikuperojnë plotësisht të gjitha investimet që ajo ka bërë nga dita e parë e koncesionit. Por edhe pse shfrytëzon vendburimin më të madh të Evropës kontinentale prej 15 vitesh duke arkëtuar mbi 3.5 miliardë euro nga shitja e naftës, Bankers vazhdon të deklarojë se të ardhurat që ajo fituar nuk i kanë barazuar ende investimet. Autoritetet shqiptare dyshojnë se një pjesë e kostove që Bankers deklaron si investime, janë fiktive dhe të fryra artificialisht. Por kompania nuk e pranon. Kjo përplasje vazhdon prej disa vitesh dhe deri më tani ka fituar gjithmonë Bankers, e cila nuk i paguan shtetit asnjë lekë tatim mbi fitimin. Por jo vetëm kaq. Këtë vit aksionerët e Bankers do të përfitojnë një tjetër favor; uljen e taksës mbi dividentit. Sipas bilancit zyrtar, aktualisht Bankers ka rreth 300 milionë euro fitime të pashpërndara. Kur këto para t’u shpërndahen aksionerëve si dividentë, ata nuk do të paguajnë më taksë 15 për qind, por vetëm 8 për qind. Nafta e Patos Marinzës, një nga pasuritë më të mëdha publike të shqiptarëve ka prodhuar qindra milionë euro fitime. Por pjesa dërrmuese e këtyre parave janë tretur në llogaritë e Bankers dhe nuk kanë shkuar asnjëherë në arkën publike.