Mjekësia publike në kolaps

774
Sigal

Qytetarët mjekohen në autoambulanca. Denoncimi i gazetares: Kemi paguar 1.6 milion lekë. Tmerri në familje nisi me një viktimë nga Covid dhe përgjigjja e tamponit erdhi 5 ditë pas vdekjes. Miliardat e shëndetsisë I marrin PPP dhe qytetarët kanë shpenzuar 70 mln euro për kurim tek private.

Qytetarët mjekohen në autoambulanca.  Denoncimi i Eva Kushova: Tmerri në familje nisi me një viktimë nga Covid dhe përgjigjja e tamponit 5 ditë pas vdekjes! Kura në shtëpi 1.6 milionë lekë

Ditën e djeshme qytetarët janë janë vënë para një situate tepër skandaloze. Në vend që të mjekohen në spitalin Infektiv, janë mjekuar në autoambulanca. Mësohet se rreth 10 ambulanca qëndronin në ambientet e jashtme të spitalit dhe brenda mbanin pacientët, të cilët prisnin radhën që të liroheshin shtretërit për t’u hospitalizuar. “Babi është në ambulancë dhe akoma nuk i ka ardhur radha për t’u futur brenda. Isha te Covid 3, por nuk më pranuan pasi më thanë se i transferojnë vetë”, është shprehur një qytetare, e cila kishte sjellë të atin për trajtim mjekësor. Mbingarkesa e spitaleve Covid është konfirmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë më herët, ndaj edhe hapi spitalin Covid 3, po në Qendrën Shëndetësore “Nënë Tereza”. Por, me sa duket, kjo nuk ka lehtësuar situatën.

“Me anë të Aktit Normativ Nr.32, dt.12.10.2020 u sanksionua vendosja e detyrueshme e maskës edhe në ambiente të hapura, rrugë duke filluar nga 15 tetori. Nëse pranojmë periudhën e inkubacionit 3-7 ditë, atëherë efektet e kësaj mase duhet të fillonin të ndiheshin pas 1 jave. Grafiku tregon që jo vetëm nuk pati efekt kjo masë, por incidenca ditore është rritur me 59%.

Gazetarja Eva Kushova na ka rrëfyer betejën e gjithë familjes së saj me koronavirusin, dhe bën me dije se vjehrra i ndërroi jetë, ndërsa të tjerët u kuruan në mënyrë kaotike.

Ajo thotë se trajtimi, bashkë me burrin, i kushtoi 1.6 milionë lekë të vjetra, duke u ankuar gjithashtu dhe për vonesat e përgjigjeve të tamponëve.

“Tmerri në familjen tonë nisi me një viktimë. Për një javë, nëna e bashkëshortit, 72- vjeç, me të cilën jetonim në një shtëpi, krejt papritur zë shtratin. Kishte dalë si gjithnjë xhiro ditën e shtunë, datë 17 tetor, nga parku Rinia dhe pedonalja, dhe të dielën iu shfaqën shqetësime me bark e të vjella, e më pas temperaturë. Menduam një e ftohur. Të hënën i bëjmë skanerin që tregoi përkeqësim të veshkave, tëmthit, zmadhim të zemrës dhe një të ftohur të hershme, por jo COVID19. Vazhdojmë ta ndjekim te sëmundjet e brendshme, e çuam për konsultë te Spitali Ushtarak. Por, jo ndonjë përgjigje e saktë. Mundohemi ta ushqejmë, ta trajtojmë me paracetamol, por çdo ditë gjendja e saj rëndohej, mezi ngrihej dhe për tualet, refuzonte të hante. Ambulanca erdhi disa herë, njeherë i bënë qetësues, herën tjeter na i referuan për tampon për COVID19. Erdhën dhe i bënë tamponin të shtunën 24 tetor, pas shumë telefonatash. Të dielën në mëngjes, me vështirësi në frymëmarrje, morëm për herë të 4-t në telefon 127-ën, e cila kësaj here pasi i mati dhe oksigjenin, e mori menjëherë në ambulance drejt Spitalit  ‘Nënë Tereza’.  Aty i bënë skanerin e dytë, i cili tregoi se mushkritë ishin dëmtuar rëndë dhe e dërguan direkt në Senatorium, në intubim. Shumë, shumë vonë… U shtrua të dielën në intubim, dhe të martën më 27 tetor, mbylli sytë… Kaq ishte. Një sëmundje që pa kuptuar asgjë, të merr shpirtin për një javë. Ajo s’e donte spitalin, s’donte të vdiste atje, ishte shumë e fortë dhe aktive deri ditën që virusi, të cilin nuk e kuptuam ku e mori, i pushtoi trupin. Shkaku i vdekjes, COVID19. Aty kuptuam atë që nuk e kishim besuar kurrë. Ishim ekspozuar ndaj një sëmundjeje që të vdes për një javë.

….

Ferri sapo kishte hapur portën për familjen tonë. Me një vdekje në shtëpi, tani ishim të tmerruar. Edhe ne kishim simptoma, përveç vajzës adoleshente. Ditën që bëmë grafinë me tim shoq, rezultoi se mushkritë e mia ishin prekur, të tijat jo. Dr. Silva e Dispanserisë na dha disa analiza për të bërë dhe disa ilaçe që duhet t’i fillonim, si dhe shurup për kollën.

Meraku s’më la të flija atë natë, dhe të nesërmen herët u nisa për të bërë skaner te spitali ‘Nënë Tereza’. Skaneri vërtetoi frikën time, – mushkritë tashmë ishin prekur nga COVID19. Doktori që më bëri skanerin me sugjeroi zgjidhje të shpejtë private, dr. Mustafain dhe klinikën ‘Ikeda’, që janë ngjitur me spitalin, sepse me shtetin funksionon vetëm nëse thërret 127-ën. Unë nuk kisha ndërmend të prisja asnjë sekondë 127-ën, në radhën selektive masive popullore. Shkoj dhe doktori te klinika ‘Ikeda’ (shyqyr që ka klinika private, privati është shpëtimi për atë që e ka me ngut.

Më thotë se gjendja është serioze, nëse s’gjen infermier të vijë në shtëpi, do vish ta bësh këtu kurën. Gjeta infermier, një djalë i rrallë, i guximshëm dhe i papërtuar, që vetë e kishte kaluar COVID dhe punon çdo ditë te infektivi. Dhe pasi mora ilaçet, kura filloi në mbrëmje, brenda ditës që bëra vizitën dhe skanerin. Trajtimi filloi fatmirësisht në kohë dhe në shtëpi. Me shtetin, me 127, nuk e ke kurrë këtë luks që të nisësh kurën brenda ditës që t’i merr vesh se të janë prekur mushkritë. Ndërsa unë merrja veten, im shoq përkeqësohej çdo ditë, pavarësisht se grafia i kishte dalë shumë mirë ca ditë më parë. Vajza ime, e vetmja me shëndet të plotë, zbriste e ngjiste shkallët për çdo porosi që na vinte. Ushqimet vinin nga prindërit e motrat dhe vëllai. Çdo gjë nga njerëzit e mi të dashur.

Në dorë të privatit, të lekëve tona dhe të fatit

Sigurisht, të kurohesh në shtëpi, kushton. Mua më shkoi rreth 80 000 leke, bashkë me burrin 1.6 mln të vjetra. Por paratë para shëndetit nuk llogariten. Tmerri më i madh është stresi pa mjek te koka, si do e gdhish natën, çfarë do bësh me temperaturën, çfarë do bësh nëse të bie niveli i oksigjenit, po nëse kura në shtëpi të jep komplikacione, probleme në zemër e organe te tjera, efekte anësore, kush të monitoron shëndetin? Askush. Mjeku që na ndoqi, kuron dhjetra vetë në ditë. Por të përgjigjet vetëm nëse shkon atje, se në shtepi s’të ndjek dot, aq më pak netëve të vështira, se i binte të flinte tek ne. Infermieri e kishte shtëpinë në Kombinat, shkonte dhe në punë te infektivi me turne, vinte dy herë dita te ne. Na thoshte me humor jeni mirë në krahasim me çfarë shoh në spital. Ç’mund të bënte më shumë? Tmerri më i madh ishte si do gdhiheshim të nesërmen deri sa të vinte radha e serumit. A do kishim nevojë për oksigjen? Gjeta dhe një numër telefoni të dikujt që jepte aparate oksigjeni me qera. Çdo gjë privat. Por fatmirësisht, nuk m’u desh kurrë. Ambulancat te rruga “M. Shyri” kalonin me sirena, 5 a 6 në ditë. Kjo na trembte. Cili do ishte hapi tjetër? S’donim të përfundonim aty. Një njeri i shtëpisë na vdiq në spital.
Këto enigma, këtë stres, infermieri s’ta zgjidh dot, është tej kapacitetit të tij.

U deshën më shumë se 2 javë që ne të ndaheshim nga kjo vdekje me sy hapur, një sëmundje e pabesë që të sulmon nga të gjitha anët me shpejtësi skëterre edhe pse s’ke asnjë sëmundje tjetër, dhe çdo ditë është e panjohur dhe e frikshme.

Ne nuk e pamë spitalin, u kuruam në mënyrë kaotike në shtëpi, pa protokoll, pa vëmendjen e shtetit, pavarësisht se kemi një jetë që paguajmë taksa. Në dorë të privatit, të lekëve tona dhe të fatit. Se pa fat, as ilaçe nuk gjen dot.

Nuk gjykoj mjekët. Çdo mjek që kam folur, ka ndihmuar. Nuk e kanë fajin individët. Madje individët në këtë vend janë heronj.

Faji për mua është i sistemit kaotik të shëndetësisë, ashtu si gjithë sistemi kaotik e anarkik, jo institutional që mbretëron e qeveris këtë vend prej dekadash. Që më shumë kohë i kushton fasadës, sesa zinxhirit të funksionimit deri te hallka e fundit e shtetit. Disa herë kam pyetur mjeket e familjes, si të veproj. E ngrenë telefonin, kanë dëshirë të ndihmojnë, por janë lënë pa rol, janë të painformuar, të painstrukturuar, s’kanë protokoll të qartë, janë të trembur vetë nga Covid, mbrohen nga të sëmurët, janë të paorientuar mirë, fare të pamobilizuar. Dhe një gjilpërë për temperaturë të kërkosh prej tyre, thonë hajde ta bësh këtu. Si mund të ngrihet njeriu me temperaturë nga shtrati, të shkojë të bëjë gjilpërë paracetamol? Çfarë u kushton? Reagimi i tyre është aq i ngadaltë, sa nuk e kuptoj përse duhen? Përse dalin në punë, kur zgjidhja mbetet vetëm 127? Përse nuk u japin një rol kyç për të shpëtuar njerëz në këtë pandemi? Enveri do e bënte.

Dhe një fakt tjetër. Përse në klinikë private, COVID19 nuk është aq poshtërues, infermieret të pajisura thjesht me maskë e dorashka, por jo si astronautë të frikshëm, dhe u shërbenin dhjetra njerëzve në ditë, duke dizinfektuar shpesh duart. Eshtë sëmundje si gjithë të tjerat dhe mjekët e infermierët duhet të bëjnë detyrën. Sigurisht duke u mbrojtur, por duke shërbyer.

Check-up funksional?

Shteti ynë ka kapacitet, mjekët tanë janë të përgatitur, infermierët të papërtuar. Çfarë mungon thoni ju? Zinxhiri drejtues nuk funksionon deri në pikën fundore, nuk ka linjë drejtimi për kurimin zyrtar të kësaj sëmundje, nuk ka mobilizim dhe disiplinë, që askujt dhe atij që s’ka para dhe nuk ka miq mjekët, të mos i mungojë trajtimi. Mjeku i lagjes duhet të përgjigjet jo vetëm në telefon, por t’u dërgojë mjekimin dhe ilaçet e duhura gjithë njerëzve të zonës që kanë nevojë, të paktën për javën e parë. Mund të lidhet ambulanca e lagjes me një farmaci dhe të mos mungojë asnjë ilaç (ta mbulojë shteti se jemi në emergjencë, si kurrë më parë). Njerëzve t’u dërgohen ilaçet në shtëpi, se bëhet fjalë për një kurim në kohë rekord, ndryshe ikën nga kjo botë për një javë. Me lekët shteti mund të merret dhe më vonë, se ky reagim urgjent ka më shumë rëndësi se milionat që po paguan te check-up. Kujt i duhet check-up kur njerëzit po vdesin? Po paratë që paguajmë për këtë shërbim, a mund t’i marrim mbrapsht në këtë situatë emergjente? Dhe sigurimi i ilaçeve patjetër është detyrë e shtetit. Por nëse përurojnë spitale sa për të dalë në televizor, nëse shkëputen nga njerëzit, nga vuajtja masive e padukshme, sigurisht që do përzgjedhin me 127-ën se kë të marrin e kë të lënë, dhe shumica e njerëzve do bëjnë harakiri në shtëpira.

**
Shqiptarët gjithnjë kanë qenë në dorë të Zotit. Për mua shteti, edhe në këtë përjetim me pandeminë, është ai që ka qenë në gjithë këto dekada tranzicioni, – një fasadë jofunksionale në hallkat lidhëse të tij. Zinxhir i shkëputur nga të tëra anët. Jo në shërbim të çdo qytetari, dhe atij që s’mundet. Unë shpëtova se zgjodha privatin, pasi e pësuam me vjehrrën që ia besuam shtetit. 

Ah, dhe tamponi… tamponi i vjehrrës erdhi 5 ditë pasi vdiq, mua kur po mbaroja punë me COVID19. Po gjithsesi mos prisni tampon, por vraponi, pasi çdo simptomë në këtë kohë thërret vetëm COVID19. Edhe nëse s’keni pará, borxh t’i merrni, vetëm zgjidhni rrugën e shpejtë, sekonda mos humbni! Sekondat janë jetë. 


Maskat shpëtim?

E kam mbajtur rregullisht, pa u bërë ende e detyrueshme. Kemi qenë aq të kujdesshëm me distancimin, me higjenen. E megjithatë  u sëmurëm 5 vetë.