Ministria e Bujqësisë ‘pulë’ para gripit të pulave, pas Vlorës, gripi i shpendëve shfaqet edhe në Paskuqan

39
Sigal

Ja si Ministria e Bujqësisë la të zgjerohet harta e gripit të shpendëve. S’i paraqitet situata dhe çfarë duhet të dini?

Ministria e Bujqësisë nuk duhet të lejojë që situata të përkeqësohet , pasi kujtojmë se në SHBA është raportuar rasti i parë i vdekjes njerëzore nga virusi H5N1 i gripit të shpendëve. Ky është një paralajmërim serioz për nevojën e forcimit të masave të mbikqyrjes dhe kontrollit të zoonozave  edhe në Shqipëri.

 

Pas Vlorës, gripi i shpendëve, i njohur edhe si influenca aviare, është shfaqur edhe në Paskuqan.

Ministria e Bujqësisë konfirmoi këtë të mërkurë se nëntipi i influencës aviare H5N1, është konstatuar në shpendët e oborrit të një familje. Shpendët, sipas të njëjtave burime, janë asgjësuar sipas procedurave sanitaro-veterinare, si dhe është kryer dezinfektimi rigoroz i mjediseve dhe mjeteve të kontaktit me shpendët. Deri më tani, nuk konfirmohen persona të infektuar nga gripi i shpendëve. Por duhet marrë parasysh që Ministria e Bujqësisë nuk duhet të heshtë, apo të ketë reagime të vonuara lidhur me të tilla situata, pasi kujtojmë se në SHBA është raportuar rasti i parë i vdekjes njerëzore nga virusi H5N1 i gripit të shpendëve. Ky është një paralajmërim serioz për nevojën e forcimit të masave të mbikqyrjes dhe kontrollit të zoonozave edhe në Shqipëri.

Rasti në Zall-Herr

Para ndërrimit të viteve, një vatër u konstatua në Cekrez-Morinë të Zall-Herrit.Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi se janë marrë të gjitha masat për kontrollin dhe monitorimin e fermave të ndodhura në zonat e mbrojtjes (3 kilometra) dhe atë të mbikqyrjes (10 kilometra) nga vatra e shpërthimit të sëmundjes, prej datës së konfirmimit të infeksionit 28.12.2024 në fshatin Cekrez-Morinë, njësia administrative Zall-Herr. Por kemi zgjerim të hartës së infeksionit.

Rasti në Paskuqan

Sipas MBZHR-së, sektori veterinar i Qarkut Tiranë ka kontrolluar me anë të 11 grupeve të kontrollit ditor, njësitë administrative dhe fshatrat e vendosura nën mbik qyrjen veterinare, duke bërë të mundur identifikimin e menjëhershëm të një rasti të ri në Paskuqan, në datën 06.01.2025. Ferma e oborrit familjar me 10 krerë shpendë është kontrolluar pa vonesë dhe janë marrë masat për analizimin laboratorik me metodën konfermatore RT-PCR, e cila ka konfirmuar praninë e virusit të Influencës Aviare të nëntipit H5N1.

Rasti në Vlorë

Më herët, analizat laboratorike konfirmuan praninë e H5N1 në shpendët e gjetura në zonën e “Plazhit të Vjetër” në Vlorë.

Nuk ka persona të infektuar

Të njëjtat burime shtuan se Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, përveç intensifikimit të kontrolleve ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me autoritetet vendore të Zonave të Mbrojtura, Pushtetit Vendor, Policisë së Shtetit dhe Njësive të Kujdesit Shëndetësor, për informacion dhe monitorim të ndërsjellët.Gripi i shpendëve transmetohet nga shpendët tek njerëzit në raste të rralla, sipas ekspertëve, kur njeriu bie në kontakt të ngushtë me shpendët e infektuar, ose me sipërfaqe të ndotura nga feçet apo sekrecionet e tyre.Megjithatë, zyrtarisht konfirmohet se në vendin tonë nuk ka asnjë person të prekur.

Ndërkohë janë në fuqi urdhrat e menjëhershëm të ministrit, për ndalimin e shitjes dhe tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në territorin e: Njësisë Administrative Vlorë; Njësisë Administrative Qendër; Shushicë; Orikum; Kotë; Paskuqan; Dajt; Tiranë; Farkë; Bërxull; Vaqarr; Kashar; Kamëz; Zall-Herr; Zall-Bastar.

***

Pyetje të Shpeshta rreth Influencës Aviare – Informacioni i përgatitur nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë 

Çfarë është Influenca Aviare?

Influenca Aviare (IA) është një sëmundje virale me ngjitshmëri të lartë, që prek një sërë speciesh të shpendëve shtëpiake, si dhe zogjve që mbahen si kafshë shtëpiake dhe atyre të egër në sistemin e frymëmarrjes, tretës dhe/ose atë nervor. Ajo shkaktohet nga Virusi i Influencës i Tipit A. Influenca Aviare njihet ndryshe dhe si “Gripi i Shpendëve”.

Si përhapet influenca aviare?

Të gjitha viruset e influencës aviare mund të transmetohen ndërmjet zogjve nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore nga zogjtë e infektuar, si glasat, ose nëpërmjet ushqimit, ujit, pajisjeve dhe veshjeve të kontaminuara të njerëzve. Viruset mund të transmetohen edhe ndërmjet vendeve të ndryshme si pasojë e lëvizjes së zogjve të gjallë, njerëzve (mjetet dhe veshjet e punës) dhe nga pajisjet, ushqimet dhe kafazet e kontaminuara.

A mund të transmetohet influenca aviare te njeriu nëpërmjet ushqimit?

Nuk ka asnjë dëshmi që influenca aviare mund të transmetohet te njeriu nëpërmjet konsumit të ushqimeve të gatuara në mënyrën e duhur.

Kujt i takon përgjegjësia për të kontrolluar influencën aviare në Shqipëri?

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është përgjegjëse për hartimin e politikave dhe AKVMB-ja është përgjegjëse për mbikqyrjen dhe kontrollin e influencës aviare te zogjtë dhe gjitarët e tjerë jonjerëzore.

Si duhet të veproj nëse shoh kafshë/shpend të ngordhur?

Kontaktoni Veterinerin e Shërbimit Veterinar (AKVMB) për ta njoftuar për çdo rast që shihni kafshë/shpendë të sëmurë/oborresh, zbukurimi e të egra.

A më mbron vaksina e gripit të njeriut nga influenca aviare?

Jo, vaksina e gripit ju mbron vetëm nga infektimi virusit të gripit të njeriut, që përfshihen në vaksinën e gripit të njeriut.