Minierat e vdekjes/ Punëtori i nëntokës: Galeritë si në mesjetë, çdo ditë na rrezikohet jeta

Minierat e Bulqizës vazhdojnë të jenë një nga zonat më problematike në vend për sigurinë në punë. Aksidentet janë të shpeshta, shpesh me pasoja të rënda për jetën e minatorëve, ndërsa përgjegjësitë rrallëherë mbërrijnë në gjykatë. Në pesë vitet e fundit, dhjetëra procedime penale janë regjistruar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, por shumica e rasteve janë pushuar. Kjo situatë tregon mungesë kontrolli, neglizhencë institucionale

 

Minierat e Bulqizës vazhdojnë të jenë një nga zonat më problematike në vend për sigurinë në punë. Aksidentet janë të shpeshta, shpesh me pasoja të rënda për jetën e minatorëve, ndërsa përgjegjësitë rrallëherë mbërrijnë në gjykatë. Në pesë vitet e fundit, dhjetëra procedime penale janë regjistruar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, por shumica e rasteve janë pushuar. Kjo situatë tregon mungesë kontrolli, neglizhencë institucionale dhe një realitet ku puna nëntokë vijon të jetë sinonim i rrezikut dhe padrejtësisë.Një minator nga Bulqiza ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të sigurisë në minierë, duke e cilësuar situatën “skandaloze dhe jashtë çdo standardi”. Në një deklaratë për Replike.al, ai tregon se instalimet elektrike janë të pasigurta dhe ashensorët e transportit përdoren në mënyrë të rrezikshme.“Kabujt elektrik janë jashtë standardeve, pa mbrojtje. Pjesa ku merr elektricitet vagoni është e zhveshur, mbi kokat tona, sa mund ta prekim me dorë. Panelet elektrike janë të paveshura dhe rreziku për jetë është i përditshëm”, – shprehet minatori.Ai shton se ashensori që duhet të transportojë vetëm minerale dhe vagone, përdoret edhe për njerëz, diçka që, sipas tij, “nuk ndodh në asnjë vend të botës”.

NOA

“Trarët janë të gjitha të dëmtuara, shpërthimet bëhen jashtë çdo standardi, dhe ne punojmë me mjete primitive, si në mesjetë,” – përfundon minatori.

Këto dëshmi nxjerrin në pah mungesën e kontrolleve teknike dhe neglizhencën institucionale që prej vitesh rrezikon jetën e dhjetëra minatorëve në galeritë e Bulqizës.Familjarët e viktimave mbeten për vite me radhë pa pergjigje, për pasojë edhe pa dëmshpërblim të pasojave.E në rastin më të keq, subjektet minerare e kalojnë shkeljen me një gjobë që për ta nuk kushton asgjë dhe rastet përsëriten.

Në kushte të tilla, duket se duhet të ketë një dorë të hekurt, që përgjegjësia të mos jetë sa për të kaluar radhën, por akt ekspertimet të jenë të rregullta dhe të jepen masa shembull, që nuk “vrasin” për së dyti punëtorin.

Në jo pak raste, subjektet minerare kanë tentuar që të fshehin ngjarjen e rënda të ndodhura brenda galerive të tyre. Më flagranti është ai i ndodhur në fillim të tetorit në galerinë nr.5 në zonën e quajtur Maja e Drenit, Patin, Klos, ku ndërroi jetë brenda subjektit minerar “Dema-Patin” shpk, Hajri Dibra.

Punëtori u gjet i pajetë 30 metra në thellësi të minierës, ndërsa nga punonjësit e firmës u raportua në sallën operative si vdekje për shkaqe natyrale, pra sikur ky i fundit kishte pësuar infarkt.

4 viktima brenda vitit!

Një aksident me pasojë vdekjen e një minatori u shënua edhe me 24 shtator, në minierën e Bulqizës. Viktima u identifikua si Kujtim Dangri, 38 vjeç, i cili ka humbur jetën gjatë punës në galeritë e minierës. Ai kishte pësuar dëmtime të shumta dhe, pavarësisht përpjekjeve për ta ndihmuar, nuk mund të bëhej asgjë për ta shpëtuar.Referuar të dhënave në Regjistrin e Lejeve Minerare, aksidenti ka ndodhur në galeritë e kompanisë “TRUE – L Sh.p.k.”, e cila është në pronësi të Roland Kaçit dhe Lejdon Gjonit. Roland Kaçi mban edhe detyrën e administratorit të subjektit.

Ky aksident përbën ngjarjen e katërt me pasoja fatale në sektorin minerar në zonën e Bulqizës dhe Klosit gjatë këtij viti.

Vetëm një muaj më parë, një 66-vjeçar humbi jetën teksa punonte në një nga galeritë e kromit në Bulqizë. Policia e Dibrës njoftoi arrestimin e pesë punonjësve të stafit teknik të subjektit minerar “GERTI Sh.p.k.” pas aksidentit tragjik që i mori jetën minatorit Fari Veliu.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të ndaluarit janë: Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç. Ata akuzohen se, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë në punë, duke çuar në vdekjen tragjike të minatorit.

Gjithashtu, disa muaj më parë, edhe një punëtor i ri humbi jetën teksa punonte në një fabrikë pasurimi kromi në Klos. Trupi i tij u gjet vetëm pas disa javësh kërkimesh intensive, ku morën pjesë banorët e zonës si dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Kosovës.

Referuar të dhënave zyrtare, pas ndërtimit, sektori i minierave dhe karierave mbetet ndër më të rrezikshmit në vend, duke përbërë rreth 18% të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024.

Minatorët e Bulqizës në grevë për paga dhe kushte më të mira pune

Në muajin mars, mbi 300 minatorë të minierës kryesore të Bulqizës bojkotuan punën dhe shpallën grevë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe zbatimin e kontratës që kanë me kompaninë që kontrollon galerinë. Albchrome, e cila prej disa vitesh kontrollohet nga kompania turke YILDIRIM HOLDING, ka rreth 600 punonjës, nga të cilët rreth 350 janë minatorë. Por pavarësisht këtyre protestave dhe grevave, minierat e Bulqizës vijojnë të marrin jetë minatorësh që shpesh herë punojnë në kushte ekstreme në qindra metra thellësi të nëntokës.