Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar një tarifë të re për energjinë elektrike të përdorur në stacionet publike të karikimit, e cila do të hyjë në fuqi më 1 nëntor.
Sipas vendimit, çmimi i karikimit do të jetë 22 lekë për kWh gjatë orarit normal dhe 25.3 lekë për kWh në orarin e pikut, nga ora 18:00 deri në 23:00.
ERE argumenton se vendimi është marrë për shkak të ndikimit që kanë stacionet e karikimit në rritjen e konsumit të energjisë elektrike, duke krijuar kosto shtesë për balancimin e rrjetit kombëtar.
Tarifat e reja do të aplikohen menjëherë nga operatorët e stacioneve të karikimit dhe pritet të reflektohen në çmimin final që paguajnë përdoruesit.
Kjo është hera e parë që ERE vendos një strukturë të diferencuar çmimesh për karikimin e automjeteve elektrike në Shqipëri, duke e bërë më të kushtueshëm përdorimin gjatë orëve të mbrëmjes.
Në përputhje me parimet e vendosura për çmimet – si kosto-reflektimi, transparenca dhe mosdiskriminimi – ERE ka vendosur të shtojë këtë kosto të re për konsumatorët që përdorin pika karikimi me fuqi të instaluar mbi 11 kË. Sipas vendimit, çmimi i ri prej 22 lekë/kËh do të aplikohet nga data 1 nëntor 2025 për të gjithë abonentët familjarë dhe jofamiljarë që kërkojnë një linjë të veçantë ose shtesë fuqie për qëllime karikimi të makinave elektrike.
Me këtë vendim, në vend që të stimulohet përdorimi i mjeteve elektrike për të reduktuar ndotjen dhe varësinë nga karburantet, penalizohen pikërisht ata qytetarë që kanë zgjedhur një mënyrë më të pastër dhe më efikase transporti.
Edhe pse në fund të vendimit ERE lë hapësirë për ankim brenda 7 ditëve kalendarike, në rast se paraqiten prova të reja apo gabime materiale, nuk ka asnjë referencë se janë konsultuar grupet e interesit përpara miratimit të kësaj mase. Vendimi është marrë pa transparencë dhe pa asnjë përpjekje për të kuptuar ndikimin real tek mijëra konsumatorë dhe bizneset që operojnë në këtë fushë.
Në një kohë kur Europa subvencionon karikimin e makinave elektrike, Shqipëria vendos t’i taksojë më rëndë. Dhe sërish, faturën e paguan qytetari.
Ndikimi i menjëhershëm: rritje çmimesh dhe frenim investimesh
Pre e këtij vendimi bëhen:
- Transporti publik elektrik, përfshirë taksitë elektrike, të cilat pritet të rrisin çmimin e shërbimit;
- Bizneset private, që kanë investuar në stacione karikimi në të gjithë vendin;
- Konsumatorët, të cilët kishin filluar të konsideronin blerjen e makinave elektrike si një alternativë më ekonomike dhe më ekologjike.
Rritja e tarifës për energjinë e karikuesve pritet të ulë ndjeshëm interesin për importin dhe përdorimin e mjeteve elektrike, duke frenuar kështu një nga sektorët më premtues të zhvillimit të qëndrueshëm në vend.




















