Manipulimi i të vërtetës nuk është virtyt i ndershmërisë

874
Sigal

Petrit Brahollari

Ja titrat e një televizioni që jep lajmet në kohë reale:

“ Te Unaza e Re kishin dalë dhjetë protestues”. Pra, nga dhjetë mijë banorë, protestonin dhjetë. Besueshmëria u lëkund, sepse nuk kishte dhe ilustrim të pamjeve filmike. Televizioni në fjalë, u përkëdhel qysh në lindje dhe përkëdhelitë ndonjëherë të bëjnë “çun të keq“. Ndërrova kanal dhe lajmi paraqitej ndryshe: “Me dhjetëra protestues te Unaza e Re”, ilustruar me pamje. I pari, minimizonte, të veshur me manipulin, ndërsa, i dyti nuk hiperbolizonte, duke na servirur qindra e mijëra apo dhjetëra, të pranishëm për syrin dhe logjikën e shikuesit. Në shumë ekrane shikojmë që nuk i qasen problematikës, në të cilat me dashje errësohet ajo. Kamerat ndizen, jo ku duhet dhe kur duhet, e më tej vetëm televizione kthyer në radio. Ka gazetarë që mbajnë në njërën dorë lapsin e në tjetrën, gomën, duke luajtur me shifrat, sepse papërgjegjshmërinë, e mbulon jorgani i qëndisur i punëdhënësit dhe vetë pronarit, nuk i dhëmb koka, që e rehaton në jastëkun e pushtetit politik. I kthehemi problemit për dhjetë protestuesit, që nuk e dimë edhe aq mirë, ku është halli i gazetarit dhe halli i protestuesve.

Çfarë ishin ata? Ishin dhjetë të çmendur apo dhjetë dasmorë? Ishin dhjetë valltarë që po kërcenin vallen e “lumturisë” apo çfarë tjetër? Shpërfillja nuk zgjidh problemin, por rëndon hallin. Banorët kërkojnë qartazi dëmshpërblim, 100 për qind, me vlerën e tregut dhe nuk po kundërshtojnë projektin. Në protestë, ka fëmijë të tronditur, që po i nxjerrin jashtë shtëpive, në palcën e dimrit. Fëmijë që kanë pamjaftueshmëri në të ushqyer dhe në të veshur. Ka fëmijë që do lënë bankat e shkollës. Shokët e mësuesit, duke u zhvendosur brutalisht e në mënyrë të papritur, në shkolla të tjera e shtëpi gjoja sociale, larg e më larg. Fëmijë të traumatizuar dhe të goditur psikologjikisht për arrestimet e vëllezërve të tyre, e nënave dhe baballarëve. Kaq lehtë e ka goma e gazetarit t‘i fshijë këto zemra të vogla, që rrahin të shqetësuara dhe kërkojnë mbrojtjen e tyre?! Media serioze, e ka detyrë që dhimbjen e popullit ta përjetojë dhe vetë dhe ta pasqyrojë me detaje. Të pasqyrojë e ka pasur konsulencë projekti me banorët dhe nëse jo, pse? Të qartësojë mbi zbatimin e projektit, koston marramendëse, apo klientelizmin. Shkroi e shkroi si gazetar Lubonja, e la lapsin dhe zbriti të shikonte në terren. U bashkua me protestuesit, si protestues. E dërgoi ndërgjegjja për t‘u dhënë krahë, krahëve të mpirë të qytetarëve, për t’u dhënë shembull indiferentëve dhe të kërcënuarve, në profesionin e vetë, se peshën e intelektualit të vërtetë se lëkund dot era. Një gazetar që doli si protestues, ishte sa njëmijë shkrime. Pushteti i katërt është shpresa e qytetarit. Ata të duan dhe duhen respektuar.

Ata i janë bindur shtetit për taksat, sepse duhet t’i paguajnë. Shteti u ka lidhur rrjetin dhe ata kanë paguar energjinë. Po ashtu dhe kontratën e ujit e, megjithatë, ndihen të kërcënuar. Njësi matëse, sesa është e pushtuar media, nuk ka. Por, fenomenet që e largojnë nga misioni janë të dukshme. Intelektualët dhe masa e thjeshtë e popullit ndjen sesa afër dhe larg tyre është ajo. Shikojnë saktësinë dhe sinqeritetin, virtyt të gazetarit, por dhe anën tjetër të pa përgjeshmërisë dhe abuzimit. Njerëzit në demokraci protestojnë dhe nuk kanë shkelur Kushtetutën, as ata të “Astirit”dhe as të “Teatrit” dhe as “Shkozës”. Shpërfillja, terri informativ dhe manipulimi janë shpërblim i keq për ta. A ka transparencë apo origjinë te zona e Unazës? Flitet dhe për “offshor” etj. Me trillime informacionesh, zbavitje të pakëndshme, pak të vërteta, e shumë të rreme, “buka nuk shijon“, media e ka humbur davanë, nuk është e lirë, por e përmbysur. Për median të dy duart janë njëlloj. Një është e “zonjushës” së policisë dhe një e studentit protestues. Studenti protestues nuk parashikoi që me një kapsollë, do shkaktonte dëm të rëndë, apo kushdo qoftë nga protestuesit. Por, edhe dora e studentit, e shkelur me dashje, me çizmen e “torturës” së policit, që përfaqëson institucionin, kërkon pasqyrimin e një alarmi që sjell në mendje burgjet famëkeqe të diktaturës. Në gazetarinë shqiptare, ka të guximshëm, të talentuar dhe seriozë, që ngelen të vlerësuar. Më lart, folëm për ata, që i janë larguar misionit. E vërteta është e vështirë dhe ka mungesë sigurie. Duket sikur dhe në media mungon shija e lirisë. Përpjekjet në realizimin e demokracisë janë mision i saj. Atë demokraci për të cilën Shqipëria ka shumë etje. Në misionin e pushtetit që përfaqëson statusin, ta jep ndershmëria, guximi e saktësia. Indiferentizmi është rrugëkalimi i së keqes. Të manipulosh, plagos zhvillimin.