Lëmosha nga qeveria/ Italia e Maqedonia e Veriut ulin me 10% çmimet, për shqiptarët s’kujtohet askush, rritja e pensioneve baraz me një vakt më shumë. Ja formula dhe kategoritë përfituese

40
Sigal

Qeveria italiane duke menduar për shtetasit e saj ka vendosur që të ulë çmimet e produkteve të shportës bazë ushqimore. Në bazë të një marrëveshje të nënshkruar mes shoqatave të prodhuesve dhe supermarketeve vendase, mishi, qumështi, sheqeri, vezët, mielli, orizi, por edhe pelenat dhe barnat pa recetë do shiten me çmim të reduktuar deri në 10%. Një ndihmë të tillë për të mirën e qytetarëve e ka dhënë edhe Maqedonia e Veriut pak javë më parë. Me vendim të Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mbi 100 produkte ushqimore përfshirë orizin e bardhë, miellin e misrit, bukën, pastat, prodhimet e mishit, bulmeti, vezët, fruta-perimet e freskëta dhe disa prodhime të tjera kanë pësuar ulje të çmimit minimum 10% nga çmimi që kanë pasur më 1 gusht të këtij viti.

Ministri maqedonas tha se këto masa do të ndikojnë në ulje të inflacionit të përgjithshëm, ndërsa vetëm në pjesën e ushqimit deri në fund të vitit inflacioni nuk do të jetë më i lartë se 5%.

Por në një kohë që vendet fqinje marrin masa të tilla për të mirën e qytetarëve të tyre, shqiptarët edhe pse paguajnë taksat si gjithë të tjerët, vazhdojnë të blejnë me çmime stratosferike.

Rasti konkret është muaji gusht ku shqiptarët janë përballur me çmime që kanë pësuar rritje deri në 8.2%.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në gusht rritja më e madhe e çmimeve prej 8,2 % është vënë re në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,3 %, “Argëtim dhe kulturë” me 6,1 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,6 %.

Me këto ritme dhe pa asnjë lloj ndërhyrje nga shteti e Ministria e Financave, duket se deri në fund të vitit, inflacioni në Shqipëri do arrijë majat.

Pasojat e rritjes së çmimeve po i shohim dita-ditës tek të gjitha shtresat e popullsisë, që po blejnë më pak e më shtenjtë.

Tallja e qeverisë me rritjen e pensioneve: “Turp! Pensionistët do hanë vetëm një vakt më shumë”

Edi Rama ka njoftuar së fundmi se pensionet në Shqipëri, nga 1 tetori do të indeksohen me 8.6 përqind. Kjo arritje është trumbetuar aq shumë sa çdo media e qeverisë Rama është duke e publikuar lajmin nga 3-4 herë në ditë.

Mirëpo, shqiptarët, përveç patronazhistëve nuk e kanë kapërdirë lajmin si arritja e shekullit, por thjesht si një propagandë, që sërish ka në plan projektimin e fitores së mandatit të katërt. Siç e dimë të gjithë, votat më të mëdha të Partisë Socialiste janë nga pensionistët dhe atyre ndoshta kaq i mjafton që në zgjedhjet e ardhshme të mos ndërrojnë vend-shënimin e votës.

Qindra shqiptarë kanë shfryrë ndaj kësaj propagande të shëmtuar, që në fakt nuk i nxjerrë pensionistët nga “balta e skamjes”, por thjesht i gënjen që po ju japim një dorë.

“Nqs një pensionist merr 100 mijë lekë të vjetra rritja është 8600 lek të vjetra në mos gaboj. Atëherë çfarë do të bëj pensionisti me këtë ngritje pensioni 8.6 %? Ngrije pensionin sikur i ngritët rrogat ju nalmadhëri dhe mos e quaj arritje këtë gjë, se është shumë, shumë pak kjo që bën për moshën e tretë.” – shkruan një qytetar.

“Vetëm 3 a 4 vitet e fundit buka është rritur me mbi 20 % vetëm buka, se s’po hyj nga produktet e tjera, dhe sa me krenari e thoni rritje 8.6%” – shkruan një komentues tjetër.

“Që në vlerë i bie 1200 lekë. Bleva para ca ditësh një kile domate, një lulelakër dhe 1 kastravec dhe vajtën 800 lekë. Domethënë pensionistat mund të hanë një vakt më shumë me këtë rritjen drastike” – shkruan një i ri.

Megjithatë, pavarësisht komenteve kritikues ka edhe nga ata patronazhistë që e quajnë “super” këtë lajm. Nuk është ndonjë gjë e re, por fjala “super”, është sugjeruar nga kryepatronazhisti për t’u komentuar. Mirëpo edhe për këtë ka përgjigje.

“Si s’u vjen turp komentuesve që thonë super rritje? Militantë pa tru apo bashkpunëtorë në përfitimet e qeverisjes? Sikur këta 767 mijë pensionistë të reagonin, çdo gjë do ishte ndryshe” – thuhet në një koment tjetër.

Qeveria miraton vendimin për rritjen me 8.6% të pensioneve, formula e përllogaritjes dhe kategoritë përfituese

Përfitues direkt nuk janë vetëm mosha e tretë, por të gjithë ata qytetarë që trajtohen me pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet në fshat, pensionet suplementare, që përfshijnë disa përfitues siç janë minatorët, naftëtarët, ushtarakët e të tjerë.

 Qeveria në mbledhjen e djeshme ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për indeksimin e pensioneve të të gjitha kategorive, në masën 8,6 për qind.

Vendimi nis zbatimin në 1 tetor, lajm ky që dhënë edhe nga kryeministri Rama ditën e sotme.

Në një intervistë dhënë në media, numër 2 i Ekonomisë dhe Financave, Olta Manjani, ka sqaruar detajet e vendimit të firmosur në qeveri bashkë me bonusin e premtuar prej 5 mijë lekësh në fund të vitit.

Gjatë vitit të kaluar janë realizuar dy indeksime, në total në masën 9.5%, me efekt financiar 5.4 miliardë lekë. Vit pas viti këto shpenzime rriten më tej, për shkak të efektit mbetës për vitin pasardhës, pasi kjo është një e drejtë e fituar dhe e garantuar për çdo qytetar, që trajtohet nga skema, si dhe për ata që në të ardhmen do të përfshihen në të.

Krahas këtyre rritjeve, Qeveria, ka dhënë edhe bonuset, si ai i fund vitit që tashmë është i përfshirë në Ligjin e Buxhetit të çdo viti dhe i cili do të akordohet edhe këtë vit. Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të garantojë përmes bashkëpunimit me Postën Shqiptare sh.a. dhe bankat tregtare zbatimin e plotë të këtij vendimi për të gjithë individët përfitues.

Si do të bëhet përllogaritja?

Ku ndryshon indeksi i konsumit të shportës së përgjithshme për gjithë popullsinë dhe pensionistët?! Për të matur shkallën e inflacionit, pensionistët kanë një shportë të caktuar ku kanë një peshë më të lartë ushqimet dhe ilaçet, duke reflektuar konsumin kryesor të tyre.

Dhe nga matjet, ky inflacion rezulton të jetë më i lartë se sa ai për popullsinë. Për popullsinë është përllogaritur në masën 7 për qind, ndërsa për pensionistët është 8.6 për qind. Më herët, qeveria ka mbështetur pensionistët me paketa sociale si bonus, jo në bazë indeksimi.

Indeksimi, sipas Manjanit, është i dedikuar, pasi siguron një rritje të pensionit dhe ka efekt edhe në vitet e ardhshme.

“Pra, rritet baza e pensionit. Me indeksimin e pensionit, rritja me indeksin e çmimeve të konsumit në vitin 2024 do të bëhet mbi një bazë më të lartë. Vetë shpenzimet në buxhetin e shtetit për indeksimin e pensioneve që kanë ardhur në rritje vazhdimisht e dëshmojnë këtë. Vetëm për 3 mujorin e fundit të këtij viti efekti në buxhet do të jetë 3.1 miliardë lekë. Duke vijuar me këtë formulë, atë të rritjes së bazës dhe vitin tjetër mbi një bazë më të lartë, efekti do të jetë më i lartë. Do të mobilizohen më shumë fonde në buxhetin e shtetit për rritjen e pensioneve”, nënvizoi zëvendësministrja.

Përfitues direkt nuk janë vetëm mosha e tretë, por të gjithë ata qytetarë që trajtohen me pensione të plota, pensione të pjesshme, pensione të reduktuara, ato të invaliditetit, pensionet në qytet në fshat, pensionet suplementare që përfshijnë disa përfitues siç janë minatorët, naftëtarët, ushtarakët e të tjerë.