Kryebashkiaku Veliaj : Tirana do presë Konferencën Botërore të Komisionerëve të Drejtën për Informim, u përzgjedhur si një nga qytetet më transparente

36
Sigal

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Aksesit në Informacion, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilluan një takim me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë. Kujtojmë se Tirana është përzgjedhur si organizatore e Konferencës së 15-të Botërore të Komisionerëve për të Drejtën për Informim, eventi më i madh botëror përsa i përket të drejtës për informim. Në këtë takim në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se bashkia e Tiranës ka qenë gjithnjë e hapur për qasjen në informacion ndaj kujtdo që e ushtron këtë të drejtë. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme fakti që kemi vënë njerëz në dispozicion të së drejtës së informimit dhe të këtij misioni, jo vetëm si një detyrim ligjor, por edhe një misioni ku ne besojmë. Qasja e lirë në informacion nuk është privilegj, është domosdoshmëri për një shoqëri,- tha Veliaj. Përpos kësaj, ai tha se informacioni sot ka shumë armiq. -Nëse shikoni çfarë ndodhi me Iranin, ju kuptoni që po, sot të dhënat janë vulnerabël. Prandaj, sot Komisionieri i të Drejtës së Informimit, por edhe shumë kolegë të tjerë, janë përfshirë në një sipërmarrje të jashtëzakonshme për t’i ruajtur këto të dhëna dhe për të parë se si mund të kemi një nivel sigurie më të lartë”, u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai vuri në dukje faktin se informacioni shpesh shpërdorohet dhe përdoret edhe nga parti të ndryshme, që i duan të dhënat për të shantazhuar biznese të ndryshme. “Asnjë prej nesh nuk është naiv, kur një parti politike kërkon lejet e ndërtimit e kur ti e di fare mirë se ato janë vetëm “certifikata” gjobë-vënieje për ndërtuesit. Por nuk është detyra jonë ta bëjmë këtë arsyetim. Edhe pse e dimë që ky është justifikim, edhe pse ne e dimë që filan parti apo filan personazh politik jetojnë vetëm duke marrë informacion nga shteti se ku janë lejet e ndërtimeve dhe duke thirrur disa media prapë problematike, për t’i vendosur gjobë atij ndërtuesi, për të mbajtur me financa partinë e tyre, kjo nuk është detyra jonë. Nëse është e tillë, atëherë ka organe të drejtësisë që merren me këtë,- deklaroi Veliaj. Kryebashkiaku solli edhe një rast konkret në bashkinë e Tiranës:- Kishim një rast ku kërkohej informacion për një procedurë të pastrimit që ne e gjetëm në Bashkinë e Tiranës nga administrata e kaluar. Nga administrata e kaluar ka pasur një interes për inceneratorët dhe për të zgjidhur çështjen me plehrat e Tiranës me një ofertë me 37 euro/toni. Një gazetare kërkoi informacion dhe ne e dhamë, edhe pse kishim një nuhatje që ai informacion do përdorej gabimisht. Por, në finale, s’ka fare rëndësi kjo. Ka të drejtën të informohet, t’i japim informacionin, edhe pse informacioni u përdor gabim, u përdor për të gënjyer përkohësisht, për të thënë që këtë e ka kërkuar Bashkia e Tiranës, ndërkohë është si të krahasosh mollët me portokallet. Një studim i IFC dhe Bankën Botërore në vitin 2015, për të cilën qeveria thoshte që s’kishte interes me atë çmim të lartë, ngatërrohej me diçka tjetër që erdhi pas dy vitesh, u shpreh Veliaj. Më tej, kryetari i Bashkisë së Tiranës garantoi se ndonëse disa të dhëna keqpërdoren, do të vijohet me inkurajimin për të drejtën e informimit. “Administrata jonë s’duhet të dekurajohet pse 1 në 1000 vetë e përdorin marrjen e informacionit si vegël politike për një portal. Unë e di se për çfarë e kërkon informacionin. Jeta është Gallatë: Që t’i vërë gjobë dikujt tjetër për tenderat e IT. Jetojmë në një ambient toksik dhe të kontaminuar, ndaj është shumë e rëndësishme të mos harrojmë misionin tonë. Misioni ynë nuk është të bëjmë drejtësi, as të bëjmë gjykatësin. Misioni ynë është të inkurajojmë të drejtën e informimit, -theksoi kryebashkiaku i Tiranës. Duke folur për transparencën e institucionit që drejton, Veliaj shtoi se Tirana është përzgjedhur si një nga qytetet më transparente. Ky qytet sot është bërë një model i Open Data. Sapo u kthyem nga Talini, ku Tirana ishte përzgjedhur si një nga qytetet më transparente. Ndoshta, transparenca s’mbaron kurrë, është si ai mali që sa ke hipur në një majë, maja e atij mali është rrëza e një mali tjetër, akoma edhe më të lartë. Ndaj, jam i sigurt se në çdo majë mali, ka edhe një majë tjetër më të lartë. Por, fakti që sot Tirana është në këtë situatë, unë besoj se duhet të na bëjë të ndihemi krenarë dhe jo të tutemi nga ata armiq të transparencës dhe të së drejtës së informacionit, ose keqpërdorues të të dhënave, qofshin këta të huaj, qofshin vendas,” tha mes të tjerave Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.