Koncesionet e dështuara të porteve mbajnë peng ekonominë blu të Shqipërisë

319
Sigal

 

Politika e nxitjes së turizmit të marinave nga qeveritë e dekadës së fundit përmes dhënies së koncesioneve për ndërtimin e porteve të jahteve kanë mbetur në letër, duke mbajtur peng zhvillimin e zonave strategjike të vendit.

Ola Xama

Olen Çezari njihet në arenën ndërkombëtare si një nga violinistët më të talentuar, por një nga pasionet e tij të mëdha, përveç muzikës, është  lundrimi me varka me vela. “Lidhja ime me detin lidhet me faktin që kam lindur në Durrës, kam lindur në det, jam rritur në det, jam çun Durrësi,” -thotë Çezari, ndërsa shton se deti për të është si oksigjeni. Këtë vit, Çezari bleu një varkë me vela dhe vendosi që pushimet e para me të t’i kalonte në bregdetin shqiptar. Ai lundroi fillimisht nga Franca në Itali dhe pasi kaloi kanalin e Otrantos – që ndan gadishullin Apenin me Ballkanin, ndaloi në portin e jahteve në Orikum brenda gjirit të Vlorës. Edhe pse kostot e portit të jahteve në Orikum ishin disafish më të larta se në Itali, Çezari thotë se andralla më madhe për t’u ankoruar ishte mungesa e një pike kufitare. Kjo i detyron turistët që të lundrojnë deri në Vlorë për të marrë vulën hyrëse- rrugë e cila zgjat gati 3 orë vetëm në një drejtim me varkë. “Nëse bëhet natë, nuk mund të ankorosh dot, duhet të rrish me spirancë në mes të detit dhe të presësh të zbardhë dielli,” tha Çezari. Violinisti i talentuar tha se këto vështirësi dhe kosto i kanë dhënë një nam të keq bregdetit shqiptar mes lundërtarëve – një komunitet shumë i lidhur që ndajnë vazhdimisht mes tyre pengesat që hasin në udhëtime. “Mua më vjen keq për këtë që ndodh në Shqipëri, sepse kjo i largon shumë turistët e këtij lloji,” tha ai. Gjatë dekadës së fundit, qeveritë shqiptare kanë hapur disa procedura konkurrimi për dhënien e koncesioneve në këtë fushë si dhe kanë finalizuar 5 kontrata për ndërtimin dhe operimin e marinave turistike –por asnjëra prej tyre nuk ka përfunduar. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se këto projekte koncesionare kanë mbetur në letër për shkak të mungesës së kapaciteteve investuese të kompanive koncesionare, konflikteve midis aksionerëve, problemeve me pronësinë dhe burokracive me lejet e ndërtimit. Sipas ekspertëve, kompanitë koncesionare që kanë marrë kontrata për zhvillimin e porteve janë kryesisht të interesuara në ndërtimin e njësive akomoduese, duke e  lënë të pazhvilluar ekonominë blu në Shqipëri – një sektor i rëndësishëm i të ardhurave për vendet e Mesdheut. Ata theksojnë gjithashtu se vendimi i fundit i qeverisë për heqjen e TVSH-së së importit të jahteve apo mjeteve të tjera ujore për qëllime turistike është një hap i parakohshëm, që më shumë se të zhvillojë turizmin, rrezikon hapjen e hapësirave për mashtrime fiskale.

Akuza për përfitime të paligjshme

Shoqëria koncesionare “Finsec Port” e ka vendosur traun disa qindra metra larg Kalasë së Turrës, skaji më jugor i gjirit të Durrësit në ish-komunën Synej të Kavajës dhe një nga plazhet më të bukur të Adriatikut në Shqipëri. Kontrata mes Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike me konsorciumin e një firme zviceriane – Finsec Ltd me  80% të aksioneve dhe asaj sllovake, Doprastav me 20% të aksioneve, u nënshkrua në 8 maj të vitit 2013. Kjo marrëveshje koncesionare parashikonte ndërtimin e një marine turistike të quajtur Porto Albania për një vlerë investimi prej 35.8 milionë eurosh, e cila do të shfrytëzohej për 35 vjet nga kompania koncesionare. Kontrata parashikonte gjithashtu ndërtimin e 700 vendeve për ankorimin e mjeteve lundruese. Dy muaj pas nënshkrimit të kontratës, zviceranët blenë aksionet e sllovakëve për 5 mijë euro dhe ia shitën ato kompanisë shqiptare “Victoria Invest” kundrejt shumës 600 mijë euro. Një këst prej 150 mijë eurosh u pagua menjëherë, ndërsa 450 mijë eurot e tjera do të shlyheshin përmes punimeve civile për portin. Në vitin 2014, shoqëria koncesionare arriti që të siguronte edhe lejen e zhvillimit nga qeveria e sapoardhur në pushtet e kryeministrit Edi Rama, ndërsa lejen e ndërtimit e mori në vitin 2016. Kompania zotohej që ta përfundonte ndërtimin brenda 3 vitesh. Pronari i kompanisë “Victoria Invest”, Fatmir Kuçi i tha BIRN se pavarësisht kontratës, nuk janë kryer ende më shumë se 10 për qind e punimeve. “Në vitin 2013 kam blerë 20% të aksioneve dhe kemi nisur punën për ndërtimin e portit, por nuk pashë asnjëherë kapital të tyre për ta investuar,”- kujton Kuçi. “U prezantuan si biznesmenë të fuqishëm, por rezultuan mashtrues,” shtoi ai.  Problemet mes ortakëve të shoqërisë koncesionare “Finsec Port” nisën kur aksioneri shqiptar në minorancë po kryente një pjesë të investimit, ndërsa kapitali nga ana e zvicerianëve nuk po dukej. “Kapitali i kompanisë mëmë në Zvicër është 100 mijë franga, ndërsa i imi disa herë më i madh. Që nga këtu, kuptohet se ata nuk janë të aftë t’i përgjigjen vlerës së plotë të investimit,” tha Kuçi. Zvarritja e ndërtimit të portit e shtyu Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që të anulonte kontratën me kompaninë koncesionare në nëntor të vitit 2018, duke e konsideruar projektin të braktisur. Në bazë të kontratës, braktisja e punimeve konsiderohet nëse shoqëria ndërpret plotësisht mbi 50% të punimeve që duhet të kryhen, sipas grafikut për të paktën 30 ditë.  Por në 2 prill 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e anuloi vendimin e saj të parë dhe lejoi vazhdimin e punimeve nga kompania “Finsec Port”.

Në shkurt 2020, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi një shtesë në lejen e ndërtimit, duke zgjatur afatin e përfundimit të veprës. Aksioneri Fatmir Kuçi thotë se miratimi i lejes së re nuk e ndryshoi situatën me zvarritjen e punimeve. “Nuk janë bërë më shumë se 500 mijë euro investime nga miratimi i lejes së re, sa për t’i shpëtuar syrit të qeverisë dhe sërish zona është lënë kantier i hapur,” tha ai. “Unë u bëj thirrje institucioneve që vetëm të shkojnë dhe të shohin se sa punime janë bërë dhe sa janë deklaruar se janë bërë nga ana e zvicerianëve dhe aty do të dalë e vërteta,” shtoi Kuçi. Në një mbledhje bordi të kompanisë “Finsec Port” të mbajtur në korrik 2019, kompania “Victoria Invest” si aksionere e pakicës depozitoi një listë me 22 fatura me vlerë totale prej 698 mijë eurosh, të cilat pretendon se janë fiktive dhe nuk përbëjnë objekt për zhvillimin dhe ndërtimin e portit. Kontratat e denoncuara bazohen kryesisht në shërbime konsulence, të cilat kompania koncesionare përmes administratorit dhe një anëtari bordi i ka miratuar dhe dorëzuar si punë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kuçi pretendon se përmes këtyre parave, ata kanë paguar për shërbime, kompani të cilat janë në pronësi të anëtarëve të bordit dhe familjarëve të tyre. “Projekti është tërësisht jashtë afateve të përcaktuara në kontratë, aksionari mazhoritar ka tërhequr fonde, duke mos i justifikuar shpenzimet dhe duke paguar konsulenca për kompani në emrin e familjarëve të afërt të anëtarëve të bordit të kompanisë Finsec ltd,” pretendoi kompania “Victoria Invest” gjatë mbledhjes së bordit. “Si do të sigurohen fondet për financimin e punimeve, burim huaje apo kontribut i aksionarëve,”pyeti ajo. Kompania “Victoria Invest” pretendoi në këtë mbledhje për një detyrim në vlerën e 5.6 milionë eurove si dëm ekonomik që i është shkaktuar nga ana e zviceranëve. Përpara mbledhjes së bordit, “Victoria Invest” i ishte drejtuar prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal ndaj kompanisë Finsec Ltd më 24 dhjetor 2018, duke e akuzuar atë se kishte kryer mashtrim dhe evazion fiskal. Fatmir Kuçi thotë se Prokuroria i pushoi hetimet, duke sugjeruar zgjidhjen e mosmarrëveshjes në gjykatë si një çështje civile. Kuçi po e ndjek çështjen në Gjykatën e Kavajës, por shprehet i pakënaqur me vendimin e prokurorisë. “Nuk ka pse drejtësia të vonojë dhe të mos hetojë apo ta kalojë çështjen në gjykim civil. Për mendimin tim, aty ka vepër penale të mashtrimit dhe të evazionit. Unë si qytetar prisja zgjidhje nga sistemi i drejtësisë, por nuk e mora,” thotë Kuçi. Kuçi ngre dyshime se kompania zviceriane nuk ka interes për ndërtimin e portit, por e ka shfrytëzuar kontratën koncesionare për gjetjen e financimeve nëpër banka. Ai dyshon gjithashtu se kompania mëmë në Zvicër ka shitur aksione me vlerë të lartë menjëherë pas rritjes së tyre në bursë nga marrja e kontratës koncesionare në Shqipëri, ndërsa paratë kanë kaluar për përfitime personale të aksionerëve. “Unë vetë kam takuar persona që kanë ardhur dhe më kanë thënë se kanë blerë aksione te kompania mëmë, madje ka edhe qytetarë nga Kosova që kanë blerë aksione, pasi firmës iu rrit vlera kur mori kontratën e Portit,” tha Kuçi. “Këto para ata nuk i kanë investuar, por përvetësuar,” shtoi ai. Në një kërkesë për informacion lidhur me ecurinë e hetimeve të kësaj çështjeje, prokuroria nuk u përgjigj.  BIRN nuk mund t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet e Victoria Invest dhe deklaratat e administratorit të saj Fatmir Kuçi në lidhje me kompaninë Finsec Port. Kompania Finsec Port nuk iu përgjigj një kërkesë për koment të dërguar me email në lidhje me akuzat të aksionerit në minorancë.

Zgjidhje në arbitrazh

“Porto Albania” nuk është i vetmi koncesion portesh turistike që ka mbetur në letër. Në shtator 2015, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës firmosi një tjetër kontratë për ndërtimin e një porti turistik në Durrës me kompaninë koncesionare Albania Bay Marina. Pjesa më e madhe e aksioneve të Albania Bay Marina zotërohet nga pronari i i RTV Ora, Ylli Ndroqi me 50%, ndërsa gjysma tjetër ndahet mes kompanisë shqiptare ISDC me 30% dhe asaj bullgare, Quentin Ltd me 20%. Projekti i këtij porti turistik parashikonte ndërtimin e një marine me kapacitet prej 500 mjetesh lundruese kundrejt një vlere investimi prej 10.9 milionë eurosh, ndërsa gjatë operimit kompania do t’i paguante shtetit 2% të të ardhurave vjetore para taksave, tarifë e cila do të rritej deri në 2.5% pas vitit të trembëdhjetë të koncesionit. Katër vjet pas nënshkrimit të kontratës, jo vetëm që nuk është vënë ende asnjë gur, por konsorciumi pretendon se nuk po gjen tokën e plotë që i është dhënë sipas kontratës koncesionare, pasi toka ekziston në dokumenta, por jo në terren. “Problemi kryesor lidhur me këtë projekt ka të bëjë me çështjen e pronësisë së truallit. Shoqëria koncesionare ka bërë kërkesën në Bashki të Durrësit dhe Agjencinë e Kadastrës, por ndërkohë që në letra ekziston, në terren nuk ka truall,” pretendoi Albania Bay Marina pas një kërkese të BIRN lidhur me ecurinë e këtij projekti. Një tjetër problem që po haset në zbatimin e kontratës është edhe lëvizja e një fibre optike në këtë zonë, që shërben për të dërguar të dhëna në Itali. “Edhe pse i kemi bërë kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për lëvizjen e fibrës optike, nuk është marrë asnjë masë për këtë çështje që është pengesë,” shtoi kompania koncesionare. Për problemet dhe vështirësitë e hasura, firma koncesionare deklaron se do të bëj padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. “Ndodhur para këtyre fakteve, shoqëria ka dërguar qindra shkresa dhe nuk ka marrë kurrë përgjigje, ndërsa kjo situatë ka vite që vazhdon. Shoqëria po përgatitet t’a dërgojë këtë çështje në Arbitrazh,” shtoi koncesionari i portit të Jahteve në Durrës. Në 8 tetor 2020, Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar, e mbështetur në ligjin anti-mafia urdhëroi sekuestrimin e aseteve të Ylli Ndroqit.  Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, duke u mbështetur në këtë vendim ka vendosur që mes kompanive të tjera të z.Ndroqi, të sekuestrojë edhe 50% të aksioneve të tij në këtë koncesion, duke vendosur dy administratorë të përkohshëm. Një muaj më pas, aksionerët e tjerë të koncesionit e kanë rrëzuar këtë vendim, duke rikthyer në drejtimin e kompanisë administratorin e mëparshëm. Megjithatë, kompania koncesionare e konsideron më problem çështjen e pronësisë, se sa sekuestron e Gjykatës së Posaçme. “Problemet për këtë investim nuk kanë lidhje me sekuestron. Pa u zgjidhur çështja e pronësisë për të cilën është bërë kontrata, ky koncesion nuk mund të vazhdojë më tej të zhvillohet si projekt,” përfundon shoqëria. Një burim nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës i tha BIRN se qeveria pritet të ndërmarrë hapa për ta revokuar këtë kontratë koncesionare.

Koncesione të reja

Në tetor 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli ofertën e bashkimit të kompanive “Praslin Investment” dhe “R&T” si fituese të koncesionit të portit të jahteve “Marina Rodon”. Marina turistike projektohet të ndërtohet në Gjirin e Rodonit, pavarësisht kundërshtive të disa grupeve mjedisore për mundësinë e ndotjes së zonën në Kepin e Rodonit. Ekspertët e turizmit janë të dyzuar lidhur me nevojën e ndërtimit të një porti në këtë zonë, të cilin në çdo lloj rrethane e rekomandojnë të vogël dhe me standarde për mbrojtjen e mjedisit.

Në të njëjtën datë me koncesionin e portit të jahteve “Marina Rodon” u shpallën fitues për ndërtimin e një porti tjetër jahtesh në Sarandë edhe kompanisë Edil-Al-It dhe Kastrati. Koncesioni i portit “Marina Limion” në Sarandë u miratua nga qeveria më 1 korrik 2020. Pronarët përfitues të kompanisë Edil-Al-It, Artan dhe Genci Dulaku, janë po ashtu aksionerë të kompanisë “Concord Investment”, e cila në vitin 2018 mori për shfrytëzim kundrejt një tarife simbolike prej 1 euro të drejtat e vendosjes së depozitave të furnizimit me naftë në këtë zonë me afat 20 vjeçar. Gjatë fazës së dytë të investimit, parashikohej që porti të përshtatej për mallra dhe për pasagjerë.