Kompania fantazëm mori 53 mijë m2 plazh në Gjirin e Manastirit

593
Sigal

Nuk u desh të kalonte shumë kohë nga skandali i ndodhur në Komisionin Parlamentar të Edukimit me ministreshën Elva Margariti për t’i dalë era planeve për Parkun Kombëtar të Butrintit. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, Edi Rama ka vendosur t’i japë Gjirin e Manastirit një “investitori strategjik”. 53 mijë metra katrorë, përfshirë edhe plazhin do t’i jepen për 30 vjet dy kompanive, shoqërisë “Alb-Star” dhe shoqërisë “Andi”.

E para, kompani shumë e përfolur, që ndërtoi stadiumin që prej 28 prillit do të jetë edhe “investitor strategjik për Qeverinë Shqiptare.

E dyta, shoqëria “Andi”, është aq e re në moshë sa QKB e kërkon gjithandej që të shkojë të plotësojë dokumentacionin sipas pamflet. Por ç’rëndësi ka kjo! Rama i ka mbyllur marrëveshjet dhe pjesën më të madhe të tortës do ta shijojë, miku i Kryeministrit, Aleksandër Sarapuli, njëri prej drejtorëve ekzekutivë të AADF. Sarapuli, një personazh jo i ekspozuar në jetën publike të Tiranës. Njihet për miqësinë e ngushtë dhe disa kryetare ojf-sh që kanë ndarë paratë e projekteve shumë-milionëshe të marra këto 8 vitet e fundit. Për t’ia arritur kësaj dite, Elva Margariti me urdhër të Edi Ramës, i hoqi Parkut të Butrintit 800 hektarë në fund të vitit të kaluar. Kjo zonë, e ruajtur dhe me mbrojtje të veçantë u ekspozua për ndërtime dhe ende pa u tharë boja e vjedhjes së 800 hektarëve, u firmos dhënia e 53 mijë metrave të para katror mbi të cilat do të hidhen tonelata betoni. Sipërfaqja e hequr së fundi prej 800 hektarësh, në një pjesë të së cilës do të ngrihet “Manastiri Resort” ishte përfshirë në zonën e Parkut të Butrintit prej vitit 2005 dhe gëzonte statusin e mbrojtur në kategorinë “B”, ku nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Projekti “Manastiri Resort” që do të zbatohet, fitoi statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021 me një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

Kjo shpjegon edhe prishjen, në vjeshtën e vitit të kaluar, e të vetmit hotel që gjendej në atë zonë, pavarësisht se kishte leje ndërtimi të dhënë që në vitin 1999. Në këtë mënyrë i ka hyrë me oreks të madh zonës së bregut, Edi Rama. Pasi ushqeu mirë burrin e Olta Xhaçës, pasi nxori paturpësisht nga morali Gazmend Pajën, duke i dhënë kartat e “investitorit strategjik”, Edi Rama po i vjedh Shqipërisë edhe Gjirin e Manastirit në Sarandë. Ku është SPAK? Ku është Prokuroria?