Vaji i palmës po helmon shqiptarët. AKU bën “fushata informuese” dhe lë konsumatorin në rrezik
Të pretendosh sot se në dyqanet e bulmetit mund të gjesh produkte vërtet të shëndetshme, vetëm gënjen veten, rrezikon shëndetin në shumë raste dhe thuajse në të gjitha rastet je i mashtruar. Kjo ndodh rëndom dhe me nënprodukte qumështi, të cilat konsumatorët drejtohen t’i blejnë si të zgjedhura, por në të vërtetë, në brendësi të tyre ka vaj palme e kushedi sa shtesa të tjera ushqimore, të padeklaruara në etiketa, por edhe pa afate prodhimi e përdorimi. Kjo ndodh kryesisht në tregje, por edhe hapur në markete me salcat e kosit ose nënprodukte të tjera qumështi, që shiten me kilogramë e shpesh herë me mbishkrimin “bio”. Ndryshe ndodh me produktet e ambalazhuara, që kanë apo jo shtesa ushqimore, si vaj palme etj, të paktën e kanë të deklaruar dhe secili e merr vetë riskun përsipër. Një pjesë e madhe e nënprodukteve të qumështit që tregtohen në marketet vendase kanë në përbërje edhe vajin e palmës.

Ja produktet ushqimore ku gjendet gjerësisht
Në Shqipëri zhvillohet prej vitesh një aktivitet kriminal nga ajo që quhet mafia e ushqimeve. Vaji i palmës hidhet në sasi të mëdha dhe pa kriter në nënproduktet e qumështit, sidomos në gjalpë dhe djathë, duke dëmtuar rëndë shëndetin e qytetarëve. Arsyeja se pse mafia e ushqimeve përdor vajin e palmës ka të bëjë me faktin se ky produkt është shumë i lirë, rrit peshën dhe volumin si dhe i ruan produktet për një kohë të gjatë. Vaji i palmës nuk është ndaluar ende zyrtarisht si produkt me ligj, por për shkak të rrezikshmërisë së tij, vitet e fundit janë ndërmarrë masa të forta ligjore për ta kontrolluar dhe kufizuar. Por, siç ndodh në Shqipëri, ligjet zbatohen vetëm në letër, pasi në realitet mafia e ushqimeve ka kapur jo vetëm AKU, por edhe deputetët, dhe këtë e tregoi javët e fundit mafia e qumështit që bleu deputetët për të hequr taksën për qumështin pluhur.
Vendimi i Këshillit të Ministrave me Nr/434, datë 11.7.2018, “Për Etiketimin e Ushqimeve dhe Informimin e Konsumatorit”, i cili i detyron të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që të mos tregtojnë produkte ushqimore pa etiketa, si dhe mënyrën e etiketimit, të deklarimit të përbërësve etj, duket qartë që nuk gjen zbatim, ndërkohë që institucionet ligjzbatuese, ngjajnë të paafta për garantimin e sigurisë ushqimore. Më herët “Alert” faktoi prani të vajit të palmës. Ndërkaq, referuar këtij vendimi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, më 15.06.2020, iu dërgoi të gjitha shoqatave të biznesit ushqimor, një informacion të detajuar për mënyrën se si duhen etiketuar produktet ushqimore e çfarë duhet deklaruar në të. Por, duket qartë që as VKM dhe as “fushata informuese” e AKU, në shumë raste nuk merren në konsideratë, duke e lënë kështu konsumatorin në mëshirë të fatit.

Studiuesit: Ky vaj nuk duhet konsumuar! “Kërcënim serioz për zemrën dhe bllokim i enëve të gjakut”
Kur bëhet fjalë për çështjet e zemrës, kolesterina e lartë mund të jetë një nga kërcënimet më të mëdha. Kjo është për shkak se kur nivelet e kolesterinës rriten shumë, trupi zhvillon depozita yndyrore që mund të bllokojnë rrjedhën e gjakut në enët e gjakut. Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se arteriet e bllokuara mund të rrisin ndjeshëm rrezikun për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, dy nga shkaktarë kryesor të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara. Kjo çështje serioze nuk është e pazakontë. Mes viteve 2015 dhe 2018, rreth 12 për qind e amerikanëve mbi moshën 20-vjeçare kishin nivele të larta të kolesterinës së keqe e njohur ndryshe si LDL, dhe nivele të ulëta të kolesterinës së mirë apo HDL. Kjo mund të jetë për shkak të një sërë faktorësh si dieta e varfër, mungesa e stërvitjes ose konsumimi i tepërt i alkoolit dhe pirja e duhanit. Ndërsa të gjithë këta faktorë mund të kontribuojnë në rritjen e niveleve të kolesterinës. Ne mund të përqendrohemi në atë që mund të bëjë ndryshime të vogla, e që është dieta juaj. Për shembull, edhe ndryshimi i llojit të vajit me të cilin gatuani është zbuluar se ndihmon në menaxhimin e niveleve të kolesterinës. Sipas një studimi të publikuar në gazetën “The Journal of Nutrition”, vaji i palmës është prej vajrave më të dëmshme për njeriun, sepse përmban shumë yndyra të ngopura. Sipas këtij hulumtimi, krahasuar me vajrat vegjetale më të ulëta në yndyra të ngopura, konsumimi i vajit të palmës rrit ndjeshëm nivelet e kolesterinës së keqe. Po ashtu, yndyrat e ngopura, që gjenden në vajin e palmës, vajin e kokosit, mishin e kuq, gjalpin dhe shumicën e akulloreve, janë të dëmshme për shëndetin tuaj të përgjithshëm dhe duhet të konsumohen gjithmonë me kujdes të shtuar. Dhe ndërsa teknikisht nuk janë aq të këqija sa yndyra trans, sërish është vërtetuar se rrisin nivelet e kolesterinës në gjak. Zëvendësimi i vajit të palmës me yndyrë të pangopur mund t’ju ndihmojë të zvogëloni rrezikun e kolesterinës së lartë. Studiuesit zbuluan se vajrat e farave si vaji i lulediellit apo farave të lirit, janë më të mirat për uljen e niveleve të kolesterinës. Pavarësisht nëse luftoni me kolesterinën aktualisht ose keni zbuluar se jeni në rrezik të lartë, zgjedhja e vajit me të cilin gatuani ose konsumoni rregullisht mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës suaj. Nëse mundeni, provoni të zëvendësoni vajin ose gjalpin e palmës me vajra të farave, lulediellit ose ullirit.
Por çfarë rreziku sjell kjo? Kosova ndalon importin e vajit të palmës.
Në vitin 2019-2020 industria e përpunimit në Kosovë, braktisi qumështin e freskët të baxhove duke preferuar që zgjidhjen ta gjente tek vaji i palmës. Përballë kësaj situate qumështi i fermerëvë përfundoi në kanal. Më pas ishte protesta e fermerëve në Kosovë që vuri në lëvizje qeverinë vendase, duke ndaluar kështu kategorikisht importin e vajit të palmës dhe përdorimin e tij tek induastria e bulmetit.






















