Ilmi Qzimi: Pse nuk u shkarkua askush për djegiet masive?!

302
Sigal

 

Në verën plot vapë të këtij viti të mbrapshtë politik, të rënduar pandemik dhe tipik zjarrvënës, u bënë disa përçapje për të shuar zjarret, por më të shumta janë qëndrimet indiferente, të papërgjegjshme, shpërfillëse në njohjen, zbatimin dhe sigurimin e vazhdimësisë  ligjore  në këtë sektor. Në një dalje mediatike( për fjalime shefat tanë të thekin!) ministri i ushtrisë (realisht ministër i disa batalioneve, që përdoren për fikje zjarri, mbledhje mbeturinash plazhi, ruajtje zyrash dhe ‘si mish për top’ në shtete e vende që pëlcasin luftra, ku i planifikon OKB-ja dhe NATO),  N.Peleshi, tha ndër të tjera …” u shkarkuan…” Dhe dëgjuesi pret se kush e mori këtë dënim të merituar për tërë ato dëme që iu shkaktuan  atdheut tonë…, por ai vijoi- ” tre qindmijë m3 ujë me helikopter të ardhur nga Hollanda… mbi zonat ku ka zjarre!” Zjarre kanë rënë e do të ndodhin gjithnjë, sepse atje ku ka jetë njerëzish ka edhe zjarr, qoftë shpirtëror qoftë fizik. Por shtetet, sado të dobët që të jenë, parashikojnë masat parandaluese, dhe pastaj forca, mjete e mënyra për shuarjen e tyre, krahas ndëshkimit të fajtorëve. Duke ditur aksiomën që “zjarri  e  djeg shkakun e vërtetë të lindjes së tij”, në shtetin socialist që jetuam në vitet 1944 deri 1990, e sidomos deri në vitin 1980, kishte shumë pak zjarre. Shumë të rrallë ishin zjarrvënësit dhe shumë më të fortë ishin zjarrfikësit. Pa dashur të rëndoj situatën psikologjike, por në se do të kishte ndodhur në kohën kur udhëhiqte Enver Hoxha, që të ndizeshin për dy javë 176 zjarre (por që  gjithkush që e ka jetuar atë kohë do të thotë se kjo nuk mund të ndodhte kurrë!) do të ishin marrë masa të rrepta. Së pari për shuarjen e zjarreve dhe krahas këtij veprimi, zbulimi i fajtorëve të drejtpërdrejtë dhe ata të tjerët, që lejuan atë gjendje. Do të ishin shkarkuar nga detyra dhjetra  funksionarë duke nisur nga ministri, sekretari i parë i rrethit dhe deri tek kryetari i kooperativës apo i këshillit dhe  shefi i degës së MKZ së ndërmarrjes. Dhe ndëshkimi ishte me 20 vjet burg deri me vdekje si sabotim i rëndë i ekonomisë së përbashkët; si goditje e qëllimshme e rendit socialist…Dhe nisnin menjëherë masat për rimëkëmbjen e pyllit të djegur…Kujtojmë se edukimi  për mbrojtjen nga zjarri (MKZ) ishte i pandërprerë dhe niste që në shkollën fillore…  Ndërsa në ditët e sotme plot flakë, zjarr e tym, kur digjen mijëra hektarë me pyje e objekte të ndryshme shefi i emergjencave siç u tha në media, ishte me lejë dhe s’mund të kthehej; se shumë mjete zjarrfikëse ishin jashtë gatishmërisë, pavarësisht profesionalizmit të njerëzve të këtij sektori heroik, se iu lutëm fqinjëve për ndihmë, se  ashtu e se kështu…E thoshte mirë një artikullshkrues i spikatur” se kur shteti fle gjumë, vepron antishteti”. Kur do ta kuptojë qeveria e Edi Ramës se pylli është pasuria nr.2 kombëtare mbitokësore? Shqipërisë i ka rënë zjarri i vërtetë, (jo metaforik çajupian), dhe as kryetari e as zëvendëskryetari i qeverisë nuk duken gjëkundi për të mobilizuar tërë organizmat dhe masat e njerëzve dhe për të pakësuar dëmtimet. Si mund të qëndrohet kaq indiferent ndaj tërë këtyre strukturave vartëse  të paguara rëndshëm, të cilat merren me pyjet, me zjarret, me ujrat, me kullotat, me pjesët e tjera të mjedisit, të territorit, të atdheut tonë!? Ku është ndjenja e përgjegjësisë për detyrën? Ku është kontrolli periodik efektiv i zbatimit të detyrave? Mos vallë u janë djegur edhe hallkat e zinxhirit organizativ dhe drejtues qeveritarë? Po u vazhdua kësisoj, zjarret nuk kanë për t’u shuar as në dimër!?