Rama: Duam ta kthejmë Këshillimin Kombëtar në praktikë të qeverisjes, për komunikim më të afërt me njerëzit

189
Sigal

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me qytetarë të Durrësit për nismën “Këshillimi Kombëtar” tha sot se po kërkohet pjesëmarrja e qytetarëve për çështje që kur të kthehen në vendime të jenë mundësisht opinioni i shumicës.

“Nuk është se nuk i kemi votat që të bëjmë një zgjedhje, por nuk duam ta bëjmë zgjedhjen, sepse kemi dyshimet tona. Duam të marrim më shumë opinionin e njerëzve dhe duam që mundësisht kur t’i marrim këto vendime të jetë opinioni i shumicës”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama theksoi se “duke qenë se janë çështje jopolitike, në sensin partiak, duke qenë se janë çështje për të gjitha shtresat dhe ku shprehja bëhet anonimisht, ne mendojmë që të gjithë do të shprehen lirisht dhe nuk do ndahet kjo punë që do shprehen socialistët e nuk do shprehen demokratët, qoftë edhe për të thënë jo”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “më vjen mirë që përtej problematikës së kësaj që po ndodh në Kuvend me atë komisionin, të paktën u krijua një mundësi për ata që duan të dëgjojnë dhe të shikojnë që e vërteta është diçka krejt tjetër. Nuk po flas më gjatë për këtë, se do të shkoj nesër, kështu që po nuk patët ndonjë punë më të mirë për të bërë, mos e humbni nesër”.