Gruaja e Klodian Zotos në arrati komandon nga pasuritë e sekuestruara te biznesi i farmaceutikës

I arratisuri i drejtësisë vazhdon të kontrollojë bizneset përmes së shoqes, Ilza Zoto (Bezhani) krijoi ‘PharmaLife Southeast’ pa deklaruar asnjë xhiro, u bë ortake në ‘ONE Albania’ të mafiozit hungarez dhe iu bashkua grupit të kontrabandës së ilaçeve, ndërsa SPAK hesht…

Prej dhjetorit 2021, Klodian Zoto i landfilleve Elbasan, Tiranë e Fier, është në kërkim si i dënuar për mashtrim, falsifikim dhe vjedhje të fondeve publike, i arratisur 3 ditë para se ta arrestonin.

Por përveç 8 bizneseve të tij që vazhdojnë aktivitetin dhe iu rikthyen pasuritë e sekuestruara, biznese ekzistuese të paprekura dhe biznese të reja të hapura pas goditjes nga SPAK, ka biznese edhe Ilza Zoto (Bezhani), gruaja e Klodian Zotos.

NOA

Ajo i është futur biznesit të ilaçeve dhe produkteve farmaceutike, me kompaninë e saj “PharmaLife Southeast”, të krijuar më 17 shtator 2024, me adresë: Rruga “Jeronim De Rada”, Ndërtesa nr. 1, Hyrja 25, Njësia nr. 2 – Tiranë, që është adresa e disa bizneseve të bashkëshortit Klodian Zoto.

Megjithëse Ilza Zoto (Bezhani) ushtron aktivitet të regjistruar prej 20 muajsh në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe Tatime, kompania e saj “PharmaLife Southeast” nuk ka të dhëna për xhirot, kontratat, të ardhurat, shpenzimet dhe fitimet.

Por ka informacione se në këtë biznes, gruaja e Klodian Zotos është bërë pjesë e grupit të kontrabandës së ilaçeve, në bashkëpunim me deputetin e PD-së, Kliti Hoti, dhe kunatin e tij Dorian Sadiku, të dy importues, tregtarë ilaçesh me shumicë e pakicë dhe me rrjet farmaceutik në pronësi të tyre.

Më 28 dhjetor 2023, SPAK ushtroi kontroll në ambientet e kompanisë “Delta Pharma” në Tiranë, si dhe në disa farmaci të tjera të lidhura me deputetin Hoti dhe kunatin Dorian Sadiku, ngaqë kur Ilir Beqaj ishte ministër, ata përfituan kontrata të manipuluara me vlerë miliona euro.

Ndërsa deputeti Kliti Hoti u shkarkua nga detyra si drejtor përfaqësues i kompanisë globale farmaceutike “Novartis” në Shqipëri me qendër në Bazel të Zvicrës, pas informacioneve se bënte kontrabandë ilaçesh, duke abuzuar me emrin dhe dokumentet e kësaj kompanie.

Bashkë me të në tregun abuziv të ilaçeve dhe produkteve farmaceutike është futur edhe bashkëshortja e Klodian Zotos, zonja Ilza Zoto (Bezhani), duke përdorur kompaninë e saj për dokumente fiktive të shpërndarjes në rrjetin farmaceutik dhe furnizime të kompanive, që marrin tenderë ilaçesh.

Njëkohësisht, ajo është bërë pjesë e Shoqatës Shqiptare të Farmacive, që drejtohet nga deputeti i PD-së, Kliti Hoti, dhe pjesë e shoqatës “Unioni i Bizneseve Farmaceutike”, që drejtohet nga kunati i tij Dorian Sadiku.

Sipas dokumentave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Ilza Zoto (Bezhani), 5 muaj para themelimit të kompanisë së saj “PharmaLife Southeast”, konkretisht më 24 mars 2024, bleu aksione dhe është bërë ortake në kompaninë celulare “ONE Albania” sipas pamfleti.Siç është vërtetuar me dokumenta, kompania “ONE Albania” është në pronësi të një klani mafioz hungarez, të regjistruar në emër të Gellért Zoltán Jászai, me lidhje miqësore dhe interesi me ish-kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán.