Ja si të gjeni kontributet e viteve të punës gjatë kohës së kooperativave dhe procedurat e llogaritjes për pensionet me Italinë

51
Sigal

Si bëhet llogaritja e kontributeve për pensionet me Italinë?

Ratifikimi i marrëveshjes së rëndësishme për pensionet me shtetit italian ishte tema e ditës në emisionin televiziv. Deputetja socialiste, Milva Ekonomi, tha se kjo nismë u ndërmor vite më parë.“Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë, të cilën kanë punuar dhe kontribuar në shtetin Italian, por nga ana tjetër do të përfitojnë edhe shtetasit italianë, të cilët aktualisht janë të pajisur me leje qëndrimi në vendin tonë dhe ushtrojnë profesionet e tyre në kompani kryesisht italiane ose kompani të tjera me bashkëpunim të përbashkët. Një prej pikave kryesore të kësaj marrëveshjeje është edhe totalizimi i periudhave të kontributeve,” -tha ajo.

Deputetja Ekonomi ka dhënë detaje dhe për vetë procesin, që është dashur deri në momentin final të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

“Vetë procesi i ratifikimit në vetvete bazohet në pesë parime kryesore, së pari; parimi i barazisë, së dyti që të përdoret legjislacioni i vendit ekzistues, së treti; që të ketë shkëmbime në administratë së katërti; që të ketë import-eksportin e përfitimeve për personat, që kanë përfituar pension për këto vite, dhe së pesti; që të mos jetë një ligj diskriminues.”

Pjesë e marrëveshjes janë tri degë kryesore të sigurimeve shoqërore është pensioni i pleqërisë, pensioni i invaliditetit dhe pensioni familjar, gjithashtu janë sigurimet për sëmundje dhe për lindjet dhe sigurimet për papunësinë.

“Në këto kushte kemi marrë përsipër që nëpërmjet këtij ratifikimi që të njihen vitet e punës për gjithë ata shtetasit tanë që kanë punuar në Itali që t’i bashkohen të dy përfitimet për periudhën Shqipëri-Itali dhe të përfitojnë në vendbanimin e tyre. Gjithashtu të bëhet kujdes për mbulimin e sigurimeve shëndetësore dhe mbulimin e shërbimeve që kanë nevojë për përkujdesje.”

Më tej gjatë intervistës, Milva Ekonomi sqaron dhe procedura që do ndiqen përllogaritjen e pensioneve për përfituesit.

“Përllogaritja e kontributeve do të bëhen nga Instituti Italian i Sigurimeve, sepse ata kanë kontribuar atje por agjencitë do të bashkëveprojnë për të gërshetuar kontributet në vendin tonë dhe atje ku kanë punuar. Rruga që do ndiqet këto etapa janë përcaktuar nga BE-ja por ato do të ndiqen hap pas hapi në momentin kur shtetasi për deklarimin për pension.”

Sakaq ajo shton se, “qytetari thjesht duhet të bëjë kërkesën dhe nuk ka nevojë të paraqitet fizikisht, sepse i gjithë sistemi është i dixhitalizuar. Ajo që duhet të dinë qytetarët është se shuma e pensionit që përfiton në Itali i shtohet dhe shuma e kontributeve që ka në Shqipëri”.

 02- Mënyra për të përfituar pensionin nëse nuk figuroni në regjistra

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, i bën thirrje ISSH për ngritjen e një grupi të posaçëm për identifikimin e personave, të cilët hasin problemin e gjetjes së kontributeve të viteve të punës gjatë kohës së kooperativave bujqësore. Çoçoli rekomandon se dokumente aktivore mund të gjenden pranë ish-Komiteteve Ekzekutive të rretheve përkatëse pasi aty bëhej dhe regjistrimi i dyfishtë i fuqisë punëtore.

-A ka ndonjë skemë që pensionistët të mos u drejtohen gjykatave për të gjetur zgjidhje?

Kam frikë se përveç kalvarit të humbjes së kohës se ne e dimë që sistemi gjyqësor për momentin, sidomos dhe pas rezultateve të vettingut është shumë vështirë që t’i jap në kohë reale zgjidhje të kërkesave të qytetarëve. Por kur nuk ke një bazë të dhënash ku dhe vetë gjykatësi të mund të gjykojë, është shumë e vështirë që të arrihet në një vendim të Gjykatës në dobi të gjithë atyre qytetarëve, të cilët shikojnë me të drejtë që kanë realizuar vite pune e këto të fundit kur sheh se në arkiva nuk ekzistojnë më pasi janë zhdukur ose kanë humbur. E si të tillë, nuk ka edhe mundësi të vërtetojë me përjashtim të vërtetimit të faktit, të sjellë para gjykatës dëshmitarë, pavarësisht se edhe kjo për shkak të kalimit të shumë viteve, por bëhet fjalë për një periudhë pune me një diferencë prej 4 dekadash e si e tillë është shumë e vështirë. Është gati mision i pamundur për gjykatësit që të kenë informacion mjaftueshëm për të dhënë një vendim. Është një rrugë, por shumë shumë e vështirë për kohën që do të kërkojë, e sot hapja e gjyqeve kushton financiarisht. Në gjykimin tim, që të jetë një mënyrë të paktën përmes vërtetimeve faktike përmes deklaratave të dëshmitarëve, shok e miq, kuptohet jo me konflikt interesi të atyre që kërkojnë marrjen e pensionit në ato vite që kanë punuar, duke kërkuar të drejtën e ligjshme në vite për 2-3 dekada në kooperativat bujqësore, periudhë kur ato kanë ekzistuar së funksionari. Mirë do të ishte që qeveria të nxirrte një fond sado modest për përballimin e shpenzimeve gjyqësore, sepse në rast se nuk do të jetë e mundur nga një grup i posaçëm që mund të ngrihet me disa specialistë të veçantë që ende i ka në gjirin e vetë ose kanë dalë në pension dhe mund t’i riaktivizojë ISSH-ja, të mund të bëhet një rikuperim sado i vogël i të dhënave të humbura. Për mendimin tim, përmes arkivave të ish-Komuniteteve Ekzekutive të rretheve mund të rikuperohet diçka. Ndërsa, rrugën gjyqësore e shikoj vetëm në rast se qeveria do ta mendoj pasi është një e drejtë e ligjshme e këtyre dhjetëra mijëra vetëve në mos edhe më shumë, kur iu bëhen gati letrat e dokumentet e pensionit nuk iu figuron koha e punës në këto kooperativa. Ndaj qeveria duhet të nxjerr një fond sado modest, por mund të vlejë në momentin e vërtetimit të faktit që nga viti 1970-1980, kur ka qenë në funksion këto kooperativa. Nëpërmjet vërtetimit të faktit me dëshmi të faktohet para trupës gjykuese të ISSH-së se kanë punuar në x kooperativë bujqësore.