Iliri vijon “Ilir”/ Drejtësia e re legalizon vjedhjen 120 mld lekë me sterelizimin, ish ministri Beqaj shpëton me akuzën ‘shpërdorim detyre’

18
Sigal

Nen- SPAK: Ish ministri Ilir Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre me koncensionin e sterilizimeve

 Në SPAK, po qëndrojnë të pluhurosura prej të paktën 4 vitesh edhe tre dosje të tjera: (Check Up), të Hemodializës dhe Laboratorëve. Në tre koncesionet e tjera, që nuk janë prekur deri më tani nga SPAK-u, përfituesit zyrtarë janë pesha të rënda të biznesit shqiptar; Vilma Nushi, Klodian Allajbeu dhe Janis Karathano

 Prokuroria e Posaçme finalizoi hetimin e parë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe e akuzon për shpërdorim detyre lidhur me Koncesionin e Sterilizimit, nën kritikat e opozitës dhe një pjese të mirë të opinionit publik se SPAK e ka toleruar mikun e ngushtë të kryeministrit Edi Rama, duke e shmangur nga akuzat për korrupsion. Hetimi, në fakt, duket se është zhvilluar me “gjysëm shpejtësie” dhe se SPAK-u po e akuzon Beqajn për “syleshësi”.

Megjithatë, përtej kritikave, ka edhe disa elemente pozitivë. Ilir Beqaj, një nga miqtë më të ngushtë të Edi Ramës që në rininë e hershme, tashmë duhet të përballet për herë të parë me akuza penale.

Afera e kontratës 100 milionë euro të “Sterilizimit” është hetuar edhe dy herë të tjera më parë dhe është pushuar. Një herë në vitet 2016-2017 në Prokurorinë e Tiranës dhe për herë të dytë, në ditët e fundit të ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Fakti që tashmë dosja e Sterilizimit shkoi për gjykim, ku krahas Beqajt, janë edhe disa persona të tjerë të akuzuar, tregon gjithsesi se, edhe pse me “gjysëm shpejtësie”, kjo aferë po i dorëzohet gjyqit.

Prokurorët e çështjes së Sterilizimit po kritikohen, pasi, në fund të fundit, ata kanë një produkt mbi të cilin mund të debatohet dhe të rrihen mendimet dhe opinionet.

Por, ndërkohë, në SPAK, po qëndrojnë të pluhurosura prej të paktën 4 vitesh edhe tre dosje të tjera, në të cilat personazhi kryesor është Ilir Beqaj.

Katër kontratat koncesionare në sektorin e Shëndetësisë u nënshkruan nga Ilir Beqaj në emër të qeverisë shqiptare në periudhën 2014-2016.

Të katërta këto kontrata janë kallëzuar në SPAK thuajse njëkohësisht, në verën e vitit 2020.

Për kontratat e Kontrollit Bazë (Check Up), të Hemodializës dhe Laboratorëve, të cilët të gjithë bashkë kanë një kosto koncesionare rreth gjysëm miliardi euro, askush nuk di asgjë se çfarë po ndodh me hetimet. Pas qelqit të fortë të godinës së SPAK-ut, askush nuk mund të thotë nëse po zhvillohen hetime për këto koncesione apo SPAK-u u ndal thjesht tek “Sterilizimi” dhe këtu e mbylli historinë me Beqajn. Koncesioni i “Sterilizimit”, për të cilën u mbyllën së fundmi hetimet, kishte përfitues zyrtar Ilir Rrapajn, një emigrant anonym, që u shndërrua në biznesmen brenda natës, falë njohjeve që kishte me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në tre koncesionet e tjera, që nuk janë prekur deri më tani nga SPAK-u, përfituesit zyrtarë janë pesha të rënda të biznesit shqiptar; Vilma Nushi, Klodian Allajbeu dhe Janis Karathano.

Ilir Beqaj është një ndër ministrat e “Rilindjes” së Edi Ramës më të akuzuar publikisht për përfshirje në korrupsion dhe pastrim parash. Megjithatë, deri më tani ai vijon të shijojë lirinë, ndoshta edhe për një trill gjuhësor. Emri i tij është “Ilir” dhe kjo ndoshta e ndihmon që të mos qëndrojë pas hekurave. Duke dalë nga sot SPAK-u, ku iu njoftua akuza e shpërdorimit të detyrës, ish ministri Ilir Beqaj nuk foli për shkeljet e dyshuara ligjore në procedurat e koncensionit, por përsëri theksoi cilësinë e shërbimit që solli ai.