Shqiptarët shpenzuan 110 milion euro në laboratorët dhe spitalet private në vitin 2022

47

Ja kush janë operatorët e mëdhenj të shërbimeve spitalore, që mbushën xhepat nga paaftësia e Ministrisë për t’u ofruar qytetarëve shërbime dijnitoze në shëndetësi.

Sigal

Hetim, gjykim dhe pranga për të gjithë ata, që kanë abuzuar me miliardat dhe gjakun e taksapaguesve shqiptarë. Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë në krye të listës së SPAK dhe B K H, në mënyrë që t’u kthehet besimi taksapaguesve shqiptar. Shumave prej 311 milion euro për 10 vjet koncesione duhet t’u shtohet edhe kontrolli i Sigurimeve Shëndetësore, i cili duke përfituar nga pozita monopol grumbullon miliona çdo vit nga taksa e punonjësve shtetëror dhe privat si pagesë për sigurimin shëndetësor. 

Shifrat e shpenzuara nga qytetarët te privati tregojnë se mbi 55% e shërbimeve kryhen privatisht dhe paratë, që i mbahen shqiptarëve nga taskat dhe rroga, nuk dihet se ku përfundojnë. Mesa këto paratë shkojnë për llogari te oligarkët e check up, laboratorëve dhe dializës e jo për shëndetin e qytetarëve.

SPAK thirri dhe qytetarët për t’u ballafaquar në lidhje me emrat fiktiv, që kanë mbushur listat e mëdha të  check-up, sikur gjoja janë bërë  analizat, por sado i shkoi deri në fund abuzimeve në shëndetësi që nga koha kur ministër shëndetësie ishte, Ilir Beqaj e deri tani me Ogerta Manastirliun, për koncesionet multimilionëshe koha do e tregojë.

Përse nuk ka shëndetësi falas

Premtimi për shëndetësinë falas e ka përndjekur qeverinë Rama gjatë këtyre viteve. Në fakt e vërteta është se vendi ynë ka një sistem miks. Kjo do të thotë se shëndetësia financohet nga buxheti i shtetit dhe nga të ardhurat e kontributeve shëndetësore. Për vitin 2022 buxheti i shëndetësisë është rreth 77 miliardë lekë. Çdo qytetar shqiptar i punësuar derdh 3.4 % të pagës për kontributet shëndetësore.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndetësia nuk është falas për shqiptarët, madje është burimi kryesor për vështirësitë financiare të popullsisë së vendit. Në një analizë të publikuar në vitin 2020, OBSH deklaron se kostot për t’u kuruar shtyjnë drejt varfërisë 8 % të familjeve shqiptare. 

Rasti i aktorit Genc Fuga, i cili pësoi goditje në tru dhe u detyrua që të paguajë një operacion, që kushtoi 19 mijë euro në spital privat, pasi shëndetësia ‘falas’ e rilindjes nuk e menaxhoi flet haptazi për mosfunksionimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri. Lekët i mblodhën qytetarët, shteti e la në harresë.

Sipas të dhënave të buxhetit të shtetit, taksapaguesit shpenzuan për shërbime shëndetësore publike rreth 64 miliardë lekë gjatë vitit 2022, ndërsa sektori privat përfitoi nag xhepat e qytetarëve 11.7 miliardë lekë.

Shqiptarët shpenzuan së paku 11.7 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar për të paguar shërbimet e operatorëve spitalorë dhe diagnostikues privatë, shifër kjo 30% më e ulët se sa shpenzimet prej 16.4 miliardë lekësh të vitit 2021, vit kur pandemia e koronavirusit të ri shënoi kulmin. Pothuajse të gjithë operatorët e analizuar nga BIRN shënuan rënie në të ardhura, por rënia ishte më e fortë në kompanitë e specializuara në shërbimet e diagnostikimit, gjë që duket se lidhet me shërbimet e analizës diagnostikuese për koronavirusin e ri.

Operatori më i madh në treg, Spitali Amerikan, i cili është edhe aksioneri i vetëm i International Hospital kontrolloi gjatë vitit të kaluar 72% të tregut të dhjetë kompanive të analizuara. Spitali Amerikan më vete zë 47%, ndërsa International Hospital (Hygeia), zuri 24% të tregut.

Të dhjetë kompanitë e analizuara, Spitali Kontinental, American Hospital, Genius Lab, Intermedica Center sh.p.k, Biocheck Diagnostic Center, Noval Diagnostic sh.p.k, Pegasus Med sh.p.k, International Hospital, Salus dhe Spitali Europian, mbyllën vitin e kaluar me humbje prej 2.33 milionë lekësh. Këto kompani patën fituar bashkërisht 1.64 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro me kursin aktual) si pasojë e shpërthimit të kërkesës për shërbime, shkaktuar nga sëmundja COVID-19.

American Hospital, kompania më e madhe e tregut, në fakt ka pësuar humbje të vazhdueshme dhe është gjithashtu kompania me humbjet më të mëdha në treg. Viti 2022 u mbyll me humbje 336 milionë lekë. Që nga themelimi i saj në vitin 2006, kompania ka pësuar humbje kumulative prej 1.78 miliardë lekësh, gjë që kanë pakësuar kapitalin aksioner nga 2.9 miliardë që ishte në fillim, në 1.13 miliardë në fund të vitit 2022.

Të ardhurat e kompanisë gjatë vitit të kaluar ishin 5.5 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 23% në krahasim me vitin paraardhës.

Humbjet e vazhdueshme duket se nuk kanë shkaktuar ngurrim te investitorët dhe te bankat për të vijuar mbështetjen e projektit. Gjatë vitit të kaluar, kompania mori një kredi të re duke rritur asetet në 8.8 miliardë lekë, ndërsa raporti i kapitalit me totalin e aseteve ra në vetëm 13%, gjë që do të thotë se për çdo 100 lekë asete, kompania ka 13 lekë kapital aksioner dhe 87 lekë borxhe.

-27 miliardë lekë sterilizimi

-10 miliardë lekë Check Up

-5 miliardë lekë Dializa

Nga ana tjetër, International Hospital, kompania e dytë më e madhe në treg, e cila është nën pronësinë e American Hospital, mbylli vitin e kaluar me një bilanc më të qëndrueshëm. Të ardhurat e saj prej 2.8 miliardë lekësh ishin 10% më të ulëta se sa në vitin 2021, por kompania duket se reduktoi të gjitha shpenzimet për të mbyllur vitin me një bilanc humbjesh të kufizuara. Kompania u hap në vitin 2007 me një kapital prej 4 miliardë lekësh, ndërsa deri tani, humbjet e akumuluara të saj kanë qenë 3.9 miliardë lekë. Kompania ka asete me vlerë 5 miliardë lekë.

Mes operatorëve të tjerë të mëdhenj të shërbimeve spitalore, Salus pati të ardhura prej 618 milionë lekësh, ndërsa Spitali Evropian 439 milionë lekë.

Intermedica duket se është kompania më e suksesshme e shërbimit laboratorik në vend. Gjatë vitit 2022, ajo shënoi të ardhura në masën 930 milionë lekë dhe fitime në masën 127 milionë lekë.

Genius Lab rezulton kompania tjetër e madhe e shërbimeve laboratorike me të ardhura prej 794 milionë lekësh dhe fitime prej 194 milionë lekësh.

Sipas të dhënave të buxhetit të shtetit, taksapaguesit shpenzuan për shërbime shëndetësore publike rreth 64 miliardë lekë gjatë vitit 2022, ndërsa sektori privat i analizuar me të ardhura prej 11.7 miliardë lekësh sugjeron se tregu është minimalisht 75.7 miliardë lekë. Shpenzime të tjera shëndetësore, të tilla si shpenzimet për laboratorët e vegjël, të cilët nuk janë përfshirë në këtë shkrim, pagesat nën dorë në sektorin publik apo pagesat për ilaçe të parimbursuara, janë të pamundura për t’u kuantifikuar.

Një analizë e mëparshme e BIRN vërejti se gjatë vitit 2022, importi i ilaçeve në Shqipëri ishte 242 milion euro, ku përfshihen medikamentet e rimbursuara, ato të konsumuara në spitale si dhe medikamentet e paguara nga qytetarët drejtpërsëdrejti./Birn