Prof. Dr. Kol. Elmas Leci: Kur Enver Hoxha largoi Misionin Amerikan nga Shqipëria

Memorie historike

– Misioni Amerikan u largua nga Shqipëria më 14 nëntor 1946 ora 1800.

– Cilët ishin aleatët, që kanë vepruar njësh në zbatimin e politikës Antifashiste

NOA

– Misioni Amerikan jashtë çdo rregulli miqësie, për dy herë radhazi kërkoi nga ana e Qeverisë Shqiptare që kryqëzori “Hantingon” dhe një destrojer të vinin në Portin e Durrësit për të marrë Misionin

 

Prof. Dr. Kol. Elmas Leci

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Sigurisë dhe Mbrojtjes

Misioni Amerikan u largua nga Shqipëria më 14 nëntor 1946 ora 1800. Menjëherë Misioni u imbarkua në Durrës dhe “u transportua prej vaporëve shqiptarë në destrojerët amerikanë, të cilët qëndronin jashtë ujërave territoriale shqiptare. Për imbarkimin, Misioni u kishte kërkuar autoriteteve shqiptare për dy herë rresht që kryqëzori “Hantingon” dhe një destrojer të vinin në Portin e Durrësit për të marrë misionin, por Qeveria Shqiptare i kishte refuzuar këto kërkesa”.

Largimi i Misionit Amerikan nga Shqipëria u shoqërua me tensione mes dy vendeve, sepse thjesht ai nuk ishte largim por ishte një përzënie e tij nga Enver Hoxha. Në vijim po japim dëshmi të pasqyruara për këtë fakt në mediat e kohës: “Misioni Amerikan në Shqipëri u largua nga Shqipëria sot në orën 1800. Ai u imbarkua në Durrës dhe u transportua prej vaporëve shqiptarë në dy destrojerët amerikanë, që qëndronin jashtë ujërave territoriale shqiptare. Misioni Amerikan jashtë çdo rregulli miqësie, për dy herë radhazi kërkoi nga ana e Qeverisë Shqiptare që kryqëzori “Hantingon” dhe një destrojer të vinin në Portin e Durrësit për të marrë Misionin. Qeveria Shqiptare ia refuzoi këtë kërkesë, edhe pse populli shqiptar ushqen miqësi dhe simpati për popullin amerikan”.

Si erdhi dhe veprimtaria e Misionit amerikan në Luftën Antifashiste

Anëtarët e parë të Misionit amerikan për Shqipërinë, me emrin e koduar ERIK, zbritën në bregdetin shqiptar, në Karaburun të Vlorës, më 17 nëntor të vitit 1944 dhe qëndruan në zonën e kontrolluar nga “Balli Kombëtar” për një periudhë gati 6-mujore. Në mars të vitit 1944, në Shqipëri kishte ardhur një mision tjetër amerikan dhe kështu në mënyrë graduale do të shtohej numri i amerikanëve të OSS-së në Shqipëri. Më 13 mars 1944, kishte ardhur në Shqipëri edhe togeri dhe më pas kapiteni i Ushtrisë amerikane, me origjinë shqiptare, Thomas Stephani. Thomas, u emërua shef i një misioni sekret të zyrës së shërbimeve operative, një lloj aneksi i CIA-s në atë kohë dhe për shkak të detyrës ai u bë rezident pranë Shtabit të Përgjithshëm komunist dhe vetë Enver Hoxhës. Misioni i dytë me emrin e koduar BESA, u shpërnda pranë forcave ushtarake të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, duke përfshirë edhe në disa divizione dhe njësi partizane. Ardhjes së misionit të parë amerikan në Shqipëri, i parapriu një studim gati 200 faqe për Shqipërinë, i hartuar nga kapiteni David De Bardeleben, shef i Grupit Planifikues të OSS-së. Në dallim nga të dy vendet fqinje, me qeveri në mërgim, të cilat ishin të njohura nga të tre aleatët e mëdhenj, Shqipëria nuk kishte ndonjë qeveri të njohur prej tyre dhe më kryesorja, nuk bënte pjesë në listën e vendeve që përfitonin nga program “LendLease”, i nënshkruar nga Presidenti Roosvelt. Shqipëria nuk konsiderohej një vend jetësor për interesat amerikane, një pengesë kjo që u kapërcye përmes argumentimit se qeveria amerikane nuk e kishte njohur pushtimin italian të Shqipërisë, dhe se kjo e fundit kishte vlera të veçanta strategjike, duke u konsideruar si kyç i Adriatikut.

Kërkesës së Frontit Nacional Çlirimtar, për ta njohur zyrtarisht “qeverinë e dalë nga Kongresi i Përmetit”, Qeveria amerikane do t’i jepte përgjigje negative, sepse sipas saj, ajo nuk ishte qeveri që përfaqësonte gjithë shqiptarët, as në linjën vertikale dhe as në atë horizontale. Duke besuar se këto ishin informacionet e “mbrapsha” të Misionit amerikan nga malet e Shqipërisë apo pas çlirimit nga Tirana, Enver Hoxha në kujtimet e tij e ka minimizuar, përgojuar dhe keqinterpretuar rolin e Misionit Ushtarak amerikan në Shqipëri dhe në veçanti drejtuesin kryesor të saj, oficerin amerikan me origjinë shqiptare, Thomas Stephan, i cili gjatë Luftës Antifashiste ishte i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe vetë Enver Hoxhës. Thomas u emërua shef i një misioni sekret të zyrës së shërbimeve operative, një lloj aneksi i CIA-s në atë kohë dhe për shkak të detyrës, u bë rezident pranë Shtabit të Përgjithshëm. Ndarja e pasluftës dhe mentaliteti i Luftës së Ftohtë, mesa duket e bënë punën e tyre edhe në këtë rast. Thomas Stefani apo (Thomas Stephan) ka qenë një nga drejtuesit e lartë që u dërgua me Misionin Amerikan në Shqipëri për dy vite 1943-1945, por mbetet gjithashtu një ndër personazhet më të përfolur të kohës së Luftës dhe kjo, jo më shumë për shkak të kontributit të tij të pamohueshëm në Shqipëri, sesa për një lidhje intime të supozuar mes tij dhe Enver Hoxhës. Në disa shkrime apo libra biografikë për Enver Hoxhën, hamendësohet deri edhe për një bashkëjetesë mes tyre.

Lidhur me qëndrimin e pas Luftës ndaj Misionit amerikan në Shqipëri, ka një Memorandum ai i datës 16 shkurt 1946 i nënshkruar  nga vetë Enver Hoxha si Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, ku flitet për largimin e detyruar të tyre nga Shqipëria. Në përgjigje Misioni Amerikan në Shqipëri thekson se gjithçka lidhet jo me misionin e tyre, por ky qëndrim për largimin tonë, vjen si rezultat i sulmeve të fundit të Qeverisë së Enver Hoxhës kundrejt Shteteve të Bashkuara. Kjo shikohet si nga ndjekja këmba këmbës e Misionit, por edhe nga ana e shtypit dhe e radios zyrtare të Shqipërisë. “Për më tepër, autoritetet shqiptare tani së fundi në trajtimin e Misionit Amerikan kanë vepruar në mënyrë brutale dhe jo miqësore me Misionin dhe kjo gjë, praktikisht i pengon më tepër përgjegjësitë e funksioneve të tij”.

Nisin pabesisht dëbimet e para të Misionit amerikan nga Shqipëria

“Veçanërisht Qeveria e Shteteve të Bashkuara, e quan si një gjë të padrejtë dhe jo fisnike veprimin e autoriteteve shqiptare të 28 janarit të vitit 1946, sipas të cilit urdhërohet dëbimi i disa nëpunësve të Misionit Amerikan në Tiranë. Zoti Joseph E. Jakobs Kryetar i Misionit, nuk pati më parë asnjë dijeni mbi qëllimin e autoriteteve shqiptare për këto çështje”. “Mund të vërehet që këta nëpunës ishin zgjedhur me kujdes nga zoti Jakobs dhe në kohën e ardhjes ata kishin leje të jetonin në Shqipëri. Dëbimi i tyre do ta pengojë dhe do ta vështirësojë punën e Misionit dhe po të zbatohet më 15 shkurt, do të sjellë vështirësi në mbarëvajtjen e udhëtimit ose zëvendësimit të personelit të zotit Jakobs brenda kësaj kohe të kufizuar. Ky veprim duket qartë që është i paqëndrueshëm me shpirtin dhe letrën e marrëveshjes, që u bë me shkëmbimin e memorandumeve në mars – prill 1945 midis zyrës së Këshillit Politik të Shteteve të Bashkuara në Caserta dhe autoriteteve shqiptare, me anën e të cilëve përfaqësuesit amerikanë në Shqipëri i jepen mirëpritje dhe lehtësira sipas nevojës për plotësimin e Misionit të tij”. Kjo qeveri (e SHBA-së) ka vënë re gjithashtu që javët e fundit aktivitetet e Misionit Amerikan kanë ardhur gjithnjë duke u kufizuar. Lejet e përhershme për kalimin e anëtarëve të personelit të Misionit për në Durrës, u anuluan në dhjetor dhe nuk u dhanë përsëri. Kërkesat për leje për udhëtime të shkurtra jashtë Tiranës janë injoruar. Për më tepër, kërkesa për hyrje në Shqipëri e zotit Carmel, një zyrtar i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nuk u pranua. Nga këto incidente dhe përgjithësisht nga qëndrimi jo fisnik që është shfaqur vazhdimisht kundrejt Misionit, del e qartë që nga ana e autoriteteve shqiptare nuk ekziston sensi i besimit kundrejt anëtarëve të Misionit, ashtu siç nënkuptohet nga marrëveshja që u bë për dërgimin e tij.

“Autoritetet shqiptare duhet t’i kujtojnë lidhjet miqësore, që kanë ekzistuar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, që nga vendosja e indipendencës shqiptare. Pa dyshim, ata duhet të kujtojnë gjithashtu Deklaratën e 10 dhjetorit të vitit 1942 dhe rastet e mëpastajme, për të cilat kjo qeveri afirmoi përkrahjen e saj në restaurimin e një Shqipërie indipendente. Gjatë Luftës, Shtetet e Bashkuara inkurajuan dhe përkrahën rezistencën e popullit shqiptar kundër invadimit të Boshtit. Ajo ka kontribuar gjithashtu edhe në UNRRA, organizatë, e cila për muaj me radhë i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë të rëndësishme”.

Misioni Informativ Amerikan, që erdhi në Shqipëri më 8 maj të vitit 1945 për të parë konditat, që kishin lidhje me çështjen e njohjes së Qeverisë Shqiptare, e kreu detyrën objektivisht dhe pati një kuptim simpatie mbi problemet e popullit shqiptar. Në bazë të raporteve të favorshme dhe në bazë të rekomandimeve të parashtruara nga ky Mision dhe pas konsultimeve me qeveritë e tjera aleate, që kanë nënshkruar deklaratën e Krimesë mbi Europën e çliruar, Qeveria e Shteteve të Bashkuara në nëntor 1945 njoftoi gatishmërinë e saj për të njohur regjimin e tanishëm të Shqipërisë, duke i kërkuar siguri për të bërë zgjedhje të lira dhe të afirmojë legalizimin e vazhduar të Traktateve dhe të Marrëveshjeve në fuqi midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara deri në prill të vitit 1939. Siguria e kërkuar në lidhje me zgjedhjet u dha dhe zgjedhjet u bënë, por jo demokratike. Përsa u përket Traktateve, kopjet e tyre iu dërguan autoriteteve shqiptare bashkë me ftesën për një përgjigje të shpejtë që nuk erdhi.

“Me qëllim që të largojmë çdo terren për mosmarrëveshje, që duket se ekzistojnë në mendjen e autoriteteve shqiptare (të Enver Hoxhës), për sa i përket qëndrimit të Shteteve të Bashkuara në lidhje me pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, kjo qeveri (e SHBA-së), ka rastin t’u thotë se ka dëshirë të plotë që Shqipëria të fitojë anëtarësinë e Kombeve të Bashkuara dhe është e disponuar në favor të pranimit të Shqipërisë, posa kjo organizatë të veprojë për renditjen e shteteve jo anëtare. Për më tepër, duhet theksuar se qëndrimi që duhet të mbajnë Shtetet e Bashkuara në lidhje me këtë, nuk mund të formulohet as logjikisht as në princip pa pasur lidhje me vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të plotësuar detyrimet ndërkombëtare”. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e gjen shumë të vështirë përsa i përket trajtimit jomiqësor kundrejt zotit Jakobs dhe personelit të tij. Në fillim të kuptojë ose të kërkojë ndjesë për qëndrimin e papëlqyer që tregohet tani nga ana e autoriteteve shqiptare. Me të vërtetë, në këto rrethana vetvetiu vihet në dyshim sinqeriteti i shfaqur nga ana e regjimit të tanishëm në lidhje me objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare dhe nëse, autoritetet e kanë me të vërtetë dëshirë të hyjnë përgjegjësisht në marrëdhënie normale me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Në lidhje me këtë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shpresë se këto gjëra nuk do të përsëriten dhe autoritetet shqiptare, do të rregullojnë bazën e konfidencës së përbashkët, duke u dhënë një konsideratë të sinqertë çështjeve të mësipërme. Kjo qeveri ka shpresë gjithashtu se autoritetet shqiptare do të komunikojnë pranimin e legalizimit të vazhduar të Traktateve dhe të Marrëveshjeve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, pranë përfaqësuesit amerikan në Tiranë brenda një kohe të shkurtër. Ndërkaq Qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të mos lërë asnjë dyshim në mendjen e autoriteteve shqiptare se po të vazhdojë ritmi jo fisnik i Misionit amerikan ashtu siç ka ndodhur kohët e fundit, ajo e ndien veten të shtrënguar duke ruajtur sentimentet më gjeniale të miqësisë me popullin shqiptar, të rishqyrtojë pozitën e saj vis-à-vis regjimit të tanishëm të Shqipërisë”. 7 tetor 1946 J. E. Jakobs. Përfaqësuesi amerikan.

Po cilët ishin aleatët, që kanë vepruar njësh në zbatimin e politikës Antifashiste

Po cilët ishin aleatët, qoftë ato anglezë, që erdhën të parët në ndihmë të Luftës Antifashiste në Shqipëri, qoftë amerikanët pasi ato kanë vepruar njësh në zbatim të një politike Antifashiste, ndaj janë quajtur aleatët anglo-amerikanë! Për veprimtarinë e tyre antifashiste ka mjaft dokumente në Arkivin Qendror të Shtetit, të cilët nga Enver Hoxha ishin “të groposura” por ja “Memorie. al” i ka publikuar ato, si një shërbim i vyer që kanë realizuar aleatët anglo-amerikanë ndaj Luftës tonë Antifashiste. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore forcat aleate anglo-ameriane, morën pjesë aktive që në fillimet e rezistencës antifashiste në Shqipëri duke u atashuar në çetat e para nacionaliste dhe ato partizane, ku ata financuan dhe furnizuan rregullisht me para, veshmbathje, pajisje shëndetësore, municione, armatime, teknikë luftarake e gjithçka tjetër që i duhej forcave të rezistencës. Aleatët anglo-amerikanë kryen me qindra inkursione ajrore fluturimi duke parashtuar ndihmat e duke bombarduar pa pushim të gjitha trupat dhe vend-instalimet gjermane kudo që ndodheshin në të gjithë krahinat shqiptare, fshatrat e qytetet në të gjithë territorin e Shqipërisë, përfshirë edhe ato që ndodheshin në Malin e Zi, Kosovë e Maqedoni.

Si rezultat i gjithë këtij angazhimi, gjatë viteve 1943-1946, vetëm në territorin e Shqipërisë janë rrëzuar shumë avionë anglo-amerikanë në inkursione luftarake në qiellin shqiptar duke bombarduar forcat gjermane, duke u vrarë pilotët apo ekipazhet apo kapur rob prej gjermanëve e zhdukur pa lënë asnjë gjurmë disa qindra ushtarakë anglo-amerikanë, shumica e të cilëve më pas përfunduan krematoriumeve të Aushvic-it, Mat’hauzen-it, Dakao-s, e kampeve të tjera shfarosëse, që nazistët hitlerianë kishin ngritur për këtë qëllim në shtete të ndryshme të Europës. Por të gjitha këto ndihma e sakrifica, patën një farë vlere për Enver Hoxhën deri në vitin 1946, por kur lufta kishte mbaruar, ai siç rezulton nuk kishte më nevojë për ta. Dhe Enver Hoxha i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me anglo-amerikanët e më pas, gjithçka që ata kishin bërë për Shqipërinë, u fshinë të gjitha sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Që nga ajo kohë e deri në fillimin e viteve ’90 -të, historiografia e propaganda zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm që e pasqyronte ndihmën dhe rolin e tyre në Shqipëri si tejet sporadike, por përkundrazi i konsideronte ata si pengesë e sabotatorë në Luftën Antifashiste, duke i identifikuar si “tradhtarë dhe renegatë” të kauzës e idealeve të tyre komuniste. Si rezultat i gjithë kësaj propagande afro gjysmë shekullore, gjë e cila fatkeqësisht vazhdon ende në imazhin e përfytyrimin se aleatët anglo – amerikanë, në opinion ende kanë mbetur reminishencat e sabotatorëve për ta si ata që “hidhnin dy këpucë të një këmbe”, apo “biskota të prishura”, apo jepnin “ndihma vetëm agjentin e tyre, Bazin e Canës”. Nisur nga këto, portali “Memorie. al” ka publikuar një sërë dokumentesh të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (të cilat para viteve 90 -të kanë qenë “Top Sekret”), ku pasqyrohet më së miri e gjithë veprimtaria e aktiviteti i anglo-amerikanëve në Shqipëri.