Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përkujton 105-vjetorin e themelimit të teqesë së Dervish Iliasit, në Kulmak të Skraparit

634
Sigal

Edmond Brahimaj: Përvjetor që përkon me ditët e pelegrinazhit në malin mistik të Tomorrit. Dervish Ilias Qafoku, ka lënë gjurmë si klerik, atdhetar e bamirës

 Përkujtohet 105-vjetori i themelimit të teqesë së dervish Iljasit, në Kulmak-Skrapar

Nga Nuri Çuni

Sekretar i Përgjithshëm,

i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Përkujtimi i 105-vjetorit të themelimit të teqesë së njohur në Kulmak, mali i Tomorrit-Skrapar, që përkon me ditët e pelegrinazhit tradicional vjetor, ka ngjallë më shumë interesin për qindra mijëra besimtarë që marrin udhën këto ditë (20-25 gusht) për tek ky objekt i shenjtë bektashian. Njëkohësisht, ka rritur më tej mirënjohjen për dervish Iljas Qafokun, klerikun, atdhetarin e bamirësin e njohur që ndërtoi këtë teqe me emër. “Përvjetori i 105-të i ngritjes së teqesë së Kulmakut nga dervish Ilias Qafoku, përkon me ditët e pelegrinazhit në malin mistik të Tomorrit, në këtë rit tradicional që na mbledh në këtë vend të shenjtë e mistik. Dervish Iliasi ka lënë gjurmë si klerik, atdhetar e bamirës, jo vetëm në Jugun e Shqipërisë, por shumë më gjerë, ndaj është kujtuar, vlerësuar e do kujtohet ndër breza…”-pohon ndër të tjera Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.  Ka një risi të veçante ky pelegrinazh, pasi për herë të parë, Drejtori i Përgjithshëm  i ‘Ecoenergia sh. p. k, Rako Paja, po administron ndriçimin e tyrbes ‘Abaz Ali’, në majën e Tomorrit me energji elektrike nga panele diellore.

Pak për Dervish Iliasin

Dervish Iliasi, lindi më 19 shtator të vitit 1875, në Vërzhezhë të Skraparit. Gjithë jetën e tij e shkriu për fe dhe atdhe. Gjurmët e tij i kemi në gjithë Jugun e Shqipërisë. Ishte ndërkohë një bamirës i rrallë, bëri rrugë, ura, çezma, ngriti teqenë, të cilën e ktheu në një bujtëse, të rrallë duke i dhënë famë pelegrinazhit mbarëkombëtar dhe botëror në Çukën-Abaz Ali të Tomorrit. Në veprat ndërtuese është i rrallë, jo vetëm vizionar, se ç’farë duhet të bëjë, por me nisiativën e vet, se çfarë shikon, që njerëzia vuan, për rrugë, ujë, ura etj. Me shembullin e vet të paparë, u mësonte të gjithëve, se po iu përveshe punës, s’ka gjë që të mos bëhet. Puna dhe vepra e tij, pasqyrohet shumë mirë në shtypin e kohës. Ai ndërtoi rrugë, ura, ujësjellës në Skrapar, Korçë, Kolonjë, Përmet, Tepelenë, Vlorë, Berat, Leskovik. Shtypi i kohës, jep gjithashtu një informacion interesant dhe të qartë për ndërtuesin e rrallë. Sipas medies së kohës e kujtimeve të shumta, Dervish Iljasi, ndërtimin e udhëve në Skrapar, e ka filluar në vitin 1906. Në gazetën “Liria” (1909-1910) thuhet se “Dervish Iljasi ka tre vjet me kazmë në dorë, fshat më fshat, që bën dhe riparon udhë…”. …Në një letër tjetër prej Frashërit nga Hasan Hoxha (mësues në Frashër), publikuar në gazetën e kohës, thuhet: “…Një dervish Iljas, bektashi nga Skrapari, ka dy vjet që po përpiqet për të ndrequr vendet dhe me kazmë në sup fshat më fshat mbledh fshatarët dhe punon për këtë punë kaq të nevojshme. Dervish Iljasi kështu ka ndrequr shumë rrugë dhe tani ka ardhur në kaza të Përmetit, duke mos humbur asnjë ditë kot dhe duke dhënë të kuptojë bota se puna bëhet me të punuar veta, e jo duke pritur nga bota.”

Ndërtimi i teqesë

Ndërtimi i saj, daton 28 korrikun e vitit 1916. Dervish Iliasi kishte njohuri për pelegrinazhin e hershëm në malin e Tomorit, jo vetëm njohje që në vegjëli kur prindërit e tij nga Vërzhezha e çonin të mëkohej me hyjnizimin në këtë mal, por edhe në Turqi, ku ai mori njohuri për pelegrinazhet në vendet e shenjta të lindjes, të cilat edhe i vizitoi, në Qerbela, Nexhef, në Egjipt dhe vizita me disa baballarë në vitin 1910 në vendet e shenjta të Lindjes: baba Ahmet Turani i Tepelenës, baba Sulejmani i teqesë Shtufit, dede Kamberi ishin prej tre muajsh në këto vende të shenjta. Teqeja është ndërtuar në një lëndinë të bukur, që nuk e rrahin erërat e forta të luginës (Stoçeni i Tomoricës), pasi ky vend i bukur i plotësonte disa kërkesa të domosdoshme të një objekti ndërtimi, për të jetuar, si dhe për të zhvilluar dhe veprimtari fetare. Lëndina kishte një sipërfaqe rreth 2000 metra katror. Afër kishte një burim uji, i cili ishte mbi nivelin e lëndinës dhe kjo bënte të mundur, që uji të qarkullonte lirshëm në teqe. Vendi është i mbrojtur nga rreziku i rënies së ortekëve të borës dhe nuk e rreh era e jugperëndimit. Dervish Iljasi, me përvojën e ndërtimeve në rrugët, puset dhe çezmat, vendosi të ndërtonte teqenë në këtë lëndinë. Ai e ngriti me mur guri e llaç gëlqereje, mbuluar me rrasa guri, në traditë të ndërtimeve që përdorej në shekuj në Skrapar. Ky e ndërtoi teqenë sipas parimeve bektashiane, me element arkitekturor: kafe oxhaku, mejdani, ashefi, kuzhina, salla e ngrënies. Bëri dhe furrën e bukës, fjetore. Ndërtesa kishte një dhomë në katin e dytë që quhej dhoma e babait (mejdani). Dhoma e Babait shërbente edhe si mejdan, siç edhe e përshkruan Joseph Sëire (në librin “Mbretëria Zog”: “Dhoma e madhe. Në fund të saj, dukeshin, një konstruksion druri si një shkallë e gjerë lëvizëse me tri shkallë, mbi të cilat digjeshin qirinj në shandanët e verdhë. Në të djathë mbuluar me sixhade, qëndronte babai dhe në të djathtë të tij, ishte një kandidat për dervish… Mbi mur vareshin piktura të shenjtorëve bektashinj dhe një orë e madhe me pendul.”

Dhomat ishin me dysheme dhe tavan, të veshur me dru pishe, të stazhionuar në vite. Secila nga dhomat kishin oxhak për ngrohje. Ndërtesën e zinte dielli pothuajse gjatë treçerekut të ditës, pasi ishte në krahun verior të Tomorit dhe plotësoheshin gjithë ambientet me dritë. Me ngritjen e teqesë dhe shërbimet fetare që bëheshin çdo ditë nga dervish Iljasi, dita-ditës teqeja u kthye në një vend të mirë pritës, jepte shpresë te çdo vizitor i thjeshtë dhe besimtar, sa të gjithë kur ktheheshin në shtëpi thoshin: “Kjo teqe, është e bekuar nga dervish Iljasi dhe ka sjellë dhe do të sjellë vetëm mbarësi për të gjithë njerëzit të çdo besimi e etnie.”

“Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Përvjetori i 105-të i ngritjes së teqesë së Kulmakut nga dervish Ilias Qafoku, përkon me ditët e pelegrinazhit në malin mistik të Tomorrit, në këtë rit tradicional që na mbledh në këtë vend të shenjtë e mistik. Dervish Iliasi ka lënë gjurmë si klerik, atdhetar e bamirës, jo vetëm në Jugun e Shqipërisë, por shumë më gjerë, ndaj është kujtuar, vlerësuar e do kujtohet ndër breza…”

Dëshmi arkivore

Nga hulumtimet në dokumente e dëshmi të shumta gojore të trashëguara, dervish Iljasi ka kontribuar në këto punime: Udha këmbësore për karvanë, Vërzhezhë-Çorovodë, në Skrapar, 1906; udha, Gjurma Abaz Ali, Novaj, në Skrapar, 1906; udha Vërzhezhë-Kulmak, në Skrapar, 1907; udha, Shkalla e Bargullasit, Bargullas, në Skrapar, 1907; udha Bogovë-Novaj-Kulmak, në Skrapar, 1908; udha Zaloshnje-Kulmak, në Skrapar, 1908; udha Poliçan-Bargullas, në Skrapar, 1909; udha e Kolonjës, 1909; udha e Kalldrëmit të Poliçanit, në Skrapar, 1909; udha Kakos-Surropull-Frashër, në Përmet, 1910; udha Frashër-Përmet, 1910; udha Dushar, zona e Oparit-Korçë etj… Ja se çfarë shkruan ndër të tjera drejtori i gazetën “Lirija”, atë kohë (viti 1910): “…Shpirtmiri punonjës i palodhur, varfi Iljas, i cili edhe vjet të lajmërova, ka tre vjet me kazmëm në dorë katund më katund, ku janë prishur udhët i ndreq dhe kështu: Skrapar, Përmet dhe në ca vise si Kolonjë, Leskovik i ka bërë mirë. Sivjet doli përsëri, bëri një udhë që s’ta pret mendja, Surropull-Kakos, ku ish një lumë (degë e lumit të Malindit) që hidhej njëzetë herë; ato që hiqnin varfëria kur vinin në tregun e Frashërit! Udhën e bëri anës së lumit, katundarët punuan tri ditë; mbi këtë rrugë dhe ku gjen pak ujë dhe e bën krua.” … Në këtë zonë kalonin banorët e fshatrave, Sevran, Rok, Malind, Muzhënçkë, Strenec, Qeshibes, Kakos… Ata bënin pazarin në Frashër, që ishte qendra e Dangëllisë së Përmetit. Për këtë gjendje shkruan Gazeta “Bashkimi”, nr. 18, e enjte 7 janar 1910: “... Të ketë udhë qerreje nga Korça në Berat dhe rrugët Përmet, Skrapar, Tomor. Të kalojë në mal të Kakozit, duke ndjekur lumin Osum, në mullinjtë e baba Xhaferit e në Çorovodë andej në Berat. Nga teqetë janë ngritur mullinj: Sukë, Çorovodë, Gërmënj, Backë, Dervishije të Përmetit (Gostomickë). Dervish Iliasi para se të ndërtonte një urë, kishte parasysh mendimet e popullit, shikonte me kujdes vaun dhe vendin ku ndodhte përmbytje në fshatra. Merrte mendimin e parisë së fshatit dhe grumbullonte vullnetarët për ndërtimin e urës. Fillonte së pari bërjen e furrave të gëlqeres (kamina) i digjte dhe më pas i shuante gurët e gëlqeres në gropa të posaçme, në afërsi të urës. Njëkohësisht priste drurët e drejtë për urën dhe siguronte lëndë tjetër drusore të stazhionuar, grumbullonte lesh dhie për të përzier me to, gëlqeren e shuar. Merrte ustallarët më të mirë që dinin të bënin ura, si nga Panariti e vende të tjera. Lëndët e ndërtimit që përdorte ishin: gëlqere, rasa guri, lëndën e drurit, trarë, etj. Në filli të ndërtimeve do siguronte lëndën e parë që ishte gëlqerja, për këtë organizonte punën. Kërkonte vullnetarë nga çdo familje e fshatit, i ndante në detyra: disa prisnin dru e shkurre, të tjerë punonin tek furra e gëlqeres. Në 4-5 ditët e para dervish Iljasi kujdesej të fillonte mbarë djegia e gurëve gëlqerorë. Mbasi mbaronte djegia, i shuante gurët e gëlqeres në gropa të posaçme, afër ndërtimit që do bëhej. Në rastet e tjera dervishi do të caktonte një person për të ndarë në mënyrë të barabartë gëlqeren. Kishte merakun që seicili t`i kishte shtëpitë të pastra brenda dhe jashtë saj të lyera me gëlqere…”

“Dervish Iljasi ka një veprimtari gjithëpërfshirëse në vite si fetar, atdhetar e bamirës. Ai hapte puse, ndërtonte rrugë, bënte çezma, pajtonte grindje dhe mëritë në çdo fshat; përhapte diturinë me punë dhe djersë; ndihmonte në hapjen e shkollave dhe ishte në krye të veprimtarive për arsimin dhe lirinë e Shqipërisë. Si bamirës, shkoi edhe në fshatin Radësh dhe Koritë ku bëri puse e çezma…”

KLERIK ATDHETAR E MËSIMDASHËS

Dervish Iljasi ka një veprimtari gjithëpërfshirëse në vite si fetar, atdhetar e bamirës. Ai hapte puse, ndërtonte rrugë, bënte çezma, pajtonte grindje dhe mëritë në çdo fshat; përhapte diturinë me punë dhe djersë; ndihmonte në hapjen e shkollave dhe ishte në krye të veprimtarive për arsimin dhe lirinë e Shqipërisë. Si bamirës, shkoi edhe në fshatin Radësh dhe Koritë ku bëri puse e çezma. Në një takim të rastit, një udhëtar nga Labëria, mbi Pirogosh takoi dervish Iljasin dhe bëri një bisedë interesante, e midis të tjerave udhëtari shtoi, ky vend i bukur do edhe ujë. Ai u largua për në Korçë në hallin e tij. Të nesërmen dervish Iljasi mblodhi banorët e fshatit e u tha për hapjen e një pusi në fund të Radshit. Aty ku i thonë Pirogosh, e hapi të thellë 13 metra, mori si specialist Hasan Gurin nga Radëshi, i cili ishte punëtor i rrallë. Kur përfundoi së hapuri pusin, dervishi mori dy fidanë lisi, i fërkoi mbas shpatullave të tij (i bekoi) duke thënë: “Lisat do të rriten për hije, të pushojnë udhëtarët e lodhur, pranë pusit me ujë”. Udhëtari që u kthye mbas shumë ditësh e gjeti pusin të hapur, piu ujë dhe u freskua i lumturuar, mori vesh se këtë pus e kish bëri dervish Iljasi. Pastaj u shpreh: “Unë mora bekimin e dervishit.” Gjithë udhëtarët që vinin nga Çorovoda në të përpjetën e Pirogoshit aty do çlodheshin e freskoheshin me ujin e pusit të dervish Iljasit….

 

Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI

DETAJ

KONTRIBUTE TË DERVISH ILIAZIT

Fjala, puna dhe mendja e dervishit janë materializuar dhe tek: ura e Lapnit, Lapan, (riparim) në Skrapar 1910; ura e Sharovës (riparim), në Skrapar, 1910; ura mbi Vjosë në Tepelenë, (1908); ura mbi lumin Shushicë, në Lubonjë dhe Penkovë, të Vlorës, në vitet 1909-1911; ura e Vlushës në Skrapar; ra e Bogovës, në Skrapar; Pusi tek Mëni fshati Vërzhezhë, në Skrapar; pusi në lagjen Qafok, riparim i plotë, fshati Vërzhezhë, Skrapar, viti 1913; pusi në Pirogosh, në Skrapar; pusi në hyrje të Grykës Dëvri, në Skrapar; pusi në të dalë të Grykës Dëvri, në Skrapar; usi në fshatin Vlushë, lagje Mançe, në Skrapar; pusi në fshatin Dushar në Korçë; pusi në fshatin Surropull, në Përmet; pusi në fshatin Podë, në Kolonjë…