Gjykata mbyll dosjen 28 mln euro për ARRSH dhe OST

955

Gjykata pushon çështjen për ARRSH-në , mbyllet dosja korruptive për aferën “DH Albania” te Unaza e Madhe

 Gjykata vulos mbylljen e hetimit ndaj ARRSH dhe OST për skandalin e kompanisë fantazmë “DH Albania”, e cila u shpall fituese e dy tenderëve të njëpasnjëshëm me vlerë 28 milionë euro

 Vijojnë akuzat kundrejt Kryeministrit Edi Rama në lidhje me kompaninë “DH Albania” pas publikimit të lajmit për tenderin tjetër që kishte fituar nga OST, i cili ashtu si ai i “Lotit 1” të Unazës së Re u pezullua.

Prokuroria ngriti vetëm akuzë për falsifikim ndaj një 26 vjeçari, ndërsa vendosi mbylljen e hetimeve pa akuzë për zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, të cilat i dhanë tenderët. Prokuroria pretendon se 26 vjeçari ka vepruar i vetëm dhe asnjë zyrtar shtetëror nuk është akuzuar. Gjykata pranoi arsyetimin e prokurorisë.

Gjykata e Tiranës vulosi të premten, më 24 janar mbylljen e hetimeve për aferën e falsifikimit të tenderit të Unazës së Re, duke pranuar dy kërkesat e prokurorisë, njërën për pushimin e hetimit për zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe institucioneve të tjera që kishin për detyrë të verifikonin dokumentet e falsifikuara të DH Albania dhe tjetrën për pranimin e kërkesës për gjykim për “falsifikim të dokumenteve” të përfaqësuesit 26-vjeçar të kësaj kompanie, Avdjol Dobin. Hetimet për kompaninë fantazmë nisën në dhjetor 2018, pasi emisioni “Të paekspozuarit” zbuloi se kompania DH Albania u shpall fituese e njërit prej loteve të tenderit të Unazës së Re përmes falsifikimit të datës së regjistrimit në Delawere të Shteteve të Bashkuara dhe bilancit të tre viteve.

DH Albania fitoi gjithashtu një tender tjetër nga Operatori i Sistemit të Transmetimit – të dyja me vlerë rreth 30 milionë euro. Gjyqtari Ardian Kalia shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimit të nisur rreth një vit më parë për një numër zyrtarësh të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët kishin për detyrë të verifikonin dokumentacionin e dorëzuar nga DH Albania të paraqitur për tenderët dhjetëra miliona euro, të fituara kompanisë fantazmë. Pasi u njoh me aktet e dosjes hetimore, gjyqtari Kalia vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes.

Kërkesa për dërgimin në gjyq të Avdjol Dobit të akuzuar për “falsifikim të dokumentve” u shqyrtua nga gjyqtari Besnik Hoxha, i cili edhe ai e vlerësoi të drejtë kërkesën e prokurorisë duke e pranuar atë. Prokurori Gjergji Tako, i cili përfaqësoi në gjykatë Prokurorinë e Tiranës gjatë shqyrtimit të të dy kërkesave, tha gjatë një komunikimi të drejtëpërdrejtë pas mbarimit të seancave, se zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar ishin vetë kallëzues të DH Albania dhe se nuk ishte gjetur asnjë provë që t’i lidhte ata me falsifikimin e kryer. “Për këtë arsye, ne dërguam në gjykatë dy kërkesa të ndara, njërën për pushimin e hetimit për zyrtarët dhe një për dërgimin në gjyq për “falsifikim të dokumenteve” për Avdjol Dobin”, tha prokurori Gjergji Tako, i cili shtoi se në të dyja rastet gjykata i kishte pranuar kërkesat e organit të akuzës. Në prag të festave të fundvitit, Prokuroria e Tiranës mbylli pa zhurmë hetimin për skandalin e falsifikimit të tenderit të Unazës së Re dhe dërgoi në gjykatë si të pandehur të vetëm Avdjol Dobin, përfaqësuesin në arrati të kompanisë DH Albania. Ndërsa dërgoi një kërkesë të dytë për pushimin e hetimit ndaj zyrtarëve të ARrSh dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

Skandali DH Albania është një ndër çështjet korruptive të profilit të lartë në Shqipëri, që u përcoll drejt Gjykatës me rezultate minimale, ndërkohë që kjo e fundit e vlerësoi të drejtë konkluzionin e organit të akuzës.

Kompania me përfaqësues 26-vjeçarin Dobi u regjistrua në Shqipëri në korrik 2018, si degë e kompanisë amerikane Dunwell Haberman, e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara- e njohur si parajsë fiskale. Në dokumentet e dorëzuara në QKB, Dunwell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh. Vetëm katër muaj pas regjistrimit, DH Albania u shpall fituese e dy tenderëve të njëpasnjëshëm; rreth 18 milionë euro për Unazën e Re dhe 10 milionë të tjera nga OST për ndërtimin e linjës së energjisë Burrel-Peshkopi.

Në një investigim të mëparshëm, mediat zbuluan lidhje të shumëfishta mes kompanisë fantazmë dhe kompanisë së njohur Gener 2; punonjës të së cilës kishin aplikuar për hapjen e një adrese dytësore në Unazë të Re dhe veprime të tjera për llogari të DH Albania. Opozita akuzoi atëherë kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri se qëndronin pas aferës. Kryeministri i hodhi poshtë akuzat, ndërsa ish-ministri Gjiknuri deklaroi, se menjëherë sapo ishte njohur me falsifikimin, kishte urdhëruar anulimin e kontratave si dhe kishte denoncuar çështjen në Prokurori.

Në një dalje publike nga selia e Partisë Demokratike të enjten, më 23 janar, ish-deputeti Agron Shehaj aludoi se ishte kryeministri Edi Rama që kishte urdhëruar prokurorinë për mbylljen e dosjes. Në janar 2019, Prokuroria e Tiranës premtoi hetime të plota mbi një numër zyrtarësh të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit si dhe mbi lidhjet e dyshuara me kompaninë Gener 2 të biznesmenit Bashkim Ulaj. Ajo kërkoi gjithashtu një masë arresti për Avdjol Dobin, duke i regjistruar hetimet fillimisht për tre vepra penale; “falsifikimi i dokumenteve”, “mashtrim” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Një vit më pas, Prokuroria e Tiranës dështoi të ngrinte akuzë mbi ndonjë zyrtar publik, ndërkohë që i rrudhi akuzat edhe për të pandehurin e vetëm të kësaj çështjeje, Avdjol Dobin.