Gëzim Zilja: Udhë e mbarë Silvana ! Atdheun që do, nuk e merr dot me vete, as mallet,as detet dhe as varret e të parëve

856
Sigal

Udhë e mbarë Silvana! Atdheun që do, nuk e merr dot me vete

Nga Gëzim Zilja

Sot emigracioni është një dukuri e zakonshme botërore, një zgjedhje, që e bën  njeriu me vullnet të lirë, për një jetë më të mirë, për zgjidhjen e problemeve ekonomike, për t’i shpëtuar diktaturave ose vendeve në luftë, për të bërë karrierë ose thjesht për qejf . Disa ikin me kokën mbrapa pa e harruar dheun amë, disa të tjerë ndihen për mrekulli madje fillojnë e dashurojnë atdheun e ri këndej apo andej oqeanit, të tjerë mundohen të rrojnë mirë pa e vrarë mëndjen shumë, duke përsëritur atë shprehjen e njohur: atdheu është ai që më siguron punë, bukë e qetësi.. Unë bëj pjesë në ata që u thonë me gjithë zemër: diell t’ua bëjë përëndia andej nga do të shkoni, u realizofshin ëndërrat për ju, për fëmijët tuaj dhe ata që do të lindin më vonë! Por e quaj të pavend rastin, kur disa që largohen lënë pas një tufë këshillash, parashikimesh e  dëshirash për ata që mbeten aty në dheun amë. Kohë më parë një vajzë e talentuar me emrin Silvana, pedagoge universiteti u largua nga Shqipëria të gjejë fatin në vende të tjera, ku dija vlerësohet, jeta është e sigurt, paguhesh më shumë etj.etj. Letra e saj e lamtumirës u botua gjërësisht në shtypin shqiptar dhe rrjetet informative. Diskutantë të panumërt, të mallëngjyer, i jepnin të drejtë vajzës dhe kritikonin ose ironizonin si zakonisht Shqipërinë, ku jeta është bërë e padurueshme, ku sundojnë njerëzit e paskrupull, intrigantët, hajdutët etj, etj.

Ajo shkruan: “Mirupafshim Shqipëria ime! Po lë çdo gjë në duart e të paepurve, krimit, drogës, injorancës. Unë nuk mund ta bëj shpirtin pis në emër të dashurisë për këtë vend!” Ndjej një trishtim të parrëfyer për këtë vajzë dhe fjalët e mësipërme. Kam parë të largohen këto tridhjetë vjet miq të mi: pedagogë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, muzikantë, ushtarakë, zanatçinjë duarartë, të gjithë të mençur, punëtorë e guximtarë. Ja kanë dalë të kenë shtëpi, të jetojnë mirë, të arsimojnë fëmijët, por kam menduar e mendoj se duke ikur rregulluan veten, por shkretuan  dhe vazhdojnë ta shkretojnë dheun amë. Nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë prej tyre të thotë: po iki se nuk dua të bëj shpirtin pis, në emër të dashurisë për këtë vend. Nëqoftëse flasim për shpirtin, ku më shumë se në këtë vend që e ka pllakosur zezona, shpirti mund të pastrohet e fisnikërohet? Nuk është heroizëm të marrësh nota dhjeta ashtu si nuk mjafton ta pikasësh të keqen, e të largohesh nga ajo; të keqes duhet t’i rrish përballë dhe ta luftosh , sepse po flasim për Atdheun.

Më tej Silvana shprehet: “Mirupafshim Shqipëri! Do iki dhe do gjej një vend për qetësinë e shpirtit tim. Një vend që mos të ketë aq vrasje çdo ditë. Kam nevojë të di që jam e sigurt se jam shumë e re të vdes nga rastësia.” Vajza do t’ia “mbathë” që të shpëtojë me shpresën se do të kthehet një ditë, kur ata “të tjerët” do ta bëjnë vendin e saj një Zvicër, Norvegji apo Danimarkë. Dhe atëherë nuk do të gjejë më dekanët e shefat hileqarë, servilë të qeverive, jo rrallë me diploma false e pijanecë, mjeshtra të tenderave dhe hatëreve.  Shqipërinë veç “të vjetërve të kuq e të blu” e kanë zenë për fyti të rinjtë e llojit Spiropali e Veliaj moshatarë me Silvanën. Po përsëritet gabimi i brezit tim. Pjesa më e ndershme, më e kultivuar, më atdhetare që kreu përmbysjen e madhe në vitet ’90 dhe vuri bazat për një shtet demokratik, zgjoi ëndërrat për një Shqipëri evropiane, duke mos përballuar dot pengesat  e trysninë e varrmihësve të demokracisë, ia lanë në dorë pushtetin komunistëve të rinj, veshur me uniforma blu apo rozë. Ata nuk kuptuan se përjashtimi ose mënjanimi i tyre ishte i qëllimshëm, që partitë të mbushnin rradhët me një numër të pafund adhuruesish të pushtetit, propaganduesish, hafijesh, funksionarësh akrobatë, intelektualë llapaqenë, të gatshëm të mbrojnë çdo parim, çdo teori mjaft që të shërbejnë dhe të jenë në politikë. Madje ata janë të gatshëm  për këtë, të kapërxejnë ylberin e të ndryshojnë formulat matematike. Një pjesë e idealistëve “të pandreqshëm” në përpjekjet për një Shqipëri Demokratike, të lodhur e telendisur nga shpifjet e intrigat e pafundme të liderve të partive, që i po i shndërronin partitë në prona e biznese private, emigruan, me sytë e mendjen nga Shqipëria, me shpresën se zoti do e bëjë më mirë. Pjesa tjetër  që nuk u largua, pushtetarët pasi i përgojuan në gazetat e partisë, i lanë pa punë, rrugëve, duke i detyruar të punojnë, ku të munden për bukën e gojës. Këta idealistë të orëve të para u lodhën shpejt, nuk kuptuan se koha u kishte ngarkuar detyrën historike për të shndërruar Shqipërinë në një vend ku të sundojë drejtësia. Nuk kuptuan se lufta për demokraci do të ishte e ashpër, e gjatë dhe pa rregulla. Qënia në parti tashmë ishte kthyer qëllim në vetvete për tu pasuruar dhe për të vënë emër. Këtë gabim që bënë gjyshërit e baballarë po bën dhe ti  Silvana me shoqet e tua. Prandaj thuaj “Lamtumirë” jo “Mirupafshim”, se atdheu nuk lulëzohet, nuk ndreqet vetvetiu. Atdheu ka nevojë për njerëz të mençur, guximtarë e vizionarë.

Nëse vazhdojmë kështu, Shqipëria do të shkojë keq e më keq. Unë e kuptoj që ty të dhëmb shpirti dhe shryn: “Mirupafshim Shqipëri e Gjergj Kastriot Skënderbeut! Luftuam kaq vite për ty dhe në fund të shesim me politikë. Turqia që të deshi aq shumë të ka marrë, ka kohë me xhamitë e saj dhe telenovelat turke, e Serbia të mori me marrëveshje zotërinjsh.” Gjergj Kastriot Skënderbeu është shëmbull i qëndresës, heroizmit, patriotizmit e vazhdon edhe sot të habisë botën me bëmat e tij. Nuk e pushton dot Shqipërinë as Turqia ( nuk e bëri dot me zjarr e hekur për 500 vjet) me telenovela e xhamia e as Sërbia ( megjithëse ka 200 vjet që përpiqet) me marrëveshje mbi e nën tryeza. Fli rehat nga ky krah! E keqja qëndron, se ju të mençurit, profesionistë e ekspertë plot vlera, duke gjetur zgjidhje te largimi dhe jo përballja me qeveritë e korruptuara shqiptare, mbrothësia, mirëqënia dhe e drejta do të vonojë ende për popullin martir tëndin e timin. Dhe lëri rehat Skënderbeun e Naimin se nuk ke kuptuar asgjë nga lufta e tyre e pashëmbullt për të ndërtuar një Shqipëri ZONJË. Ti thua: “Po të lë me vendet e tua të bukura që Naim Frashëri shkruante ditë e natë! Po të lë me dy detet më të bukura të rruzullit, me malet më të thepisura, po të lë me ajrin më të ëmbël dhe me diellin që ndriçon më shumë! Tani që e mendoj, po të lë dhe me hënën që të qan hallet çdo natë.” Bukur e ke shprehur artistikisht këtë punën e hënës që i qan hallet Atdheut por nuk vlen. Hallet Shqipërisë Sonila ia qajnë bijtë dhe bijat e saj. Dhe më tej përfundon: “Hap sytë Shqipëri! Lufta nuk sjell fitore! Tradhëtarët sjellin fitore të pisët!” Çfarë do të shprehësh me këto fjalë: kujdes, ironi, dashuri, dhimbje, sfidë, artin e fjalës kotekot?!  Ikë Sonila dhe e florinjtë qoftë rruga jote, por atdheun me natyrën e bukur nuk e merr dot me vete, as varret e të parëve, as detet, as malet, as ullinjtë e lisat shekullorë. Ato që ia fali me bollëk perëndia shqiptarët pakepak do të dinë t’i vënë në shërbim të një jete më të mirë. Ndoshta diku andej ku do të shkosh  bëhesh njeri i madh, i shquar. Gjatë   pushtimit turk dhe pushtimeve të tjera, me dhjetëra apo qindra shqiptarë u bënë kryeministra, vezirë e gjeneralë. Po asnjë prej tyre nuk mbahet mend në Shqipëri. Në dheun amë mbahen mend, nderohen e u thuren këngë për ata që punuan për Shqipërinë, sepse vetëm atdheu të jep vulën e heroit, e të përjetësisë. Ndërkaq fati i Shqipërisë, me bijtë e bijat e tij, me diploma të arta, që kërkojnë mirëqënie e lavdi në dhera të tjera, është të braniset rrugëve të vështira drejt demokracisë. …