Ilirian Lluri: Historia e fotografisë 100-vjeçare dhe imazhi që ripushtoi kalanë e Gjirokastrës me fisnikëri

1047
Sigal

Historia e fotografisë 100 vjeçare dhe imazhi që ripushtoi kështjellën e gurtë me humanizëm, fisnikëri e solidaritet

Gjirokastra 100 vjet më parë   1920 – 2020

Kanë kaluar tashmë 4 vjet, nga koha kur miku im, historiani dhe arkeologu i njohur Vladimir Qirjaqi më surprizoi me një dhuratë. Brenda një zarfi kishte vendosur një fotografi të hershme. Gjithmonë nxitës në biseda, ai shpesh improvizonte situata nga më të ndryshmet, si një mundësi për të të tërhequr në diskutime interesante, të cilat i pasuronte me argumenta nga leximet apo zbulimet gjatë ekspeditave  arkeologjike. E ke dhuratë – më tha duke u larguar. Flasim njëherë tjetër. Nxitonte. Covid 19, shoqëruar me karantinën e stërzgjatur, më detyroi që për herë të parë ta shoh disi më ndryshe vendlindjen time, Gjirokastrën. Nga dritarja e shtëpisë, kam shijuar më gjatë se kurrë më parë, pamjen magjepsëse të qytetit dhe të kështjelllës së tij madhështore. Ndalimi i qarkullimit duket sikur i ka kthyer shtëpitë e tij, ashtu si i përshkruan ato Kadareja, në kështjella të vogla, në të cilat banorët ruajnë shëndetin, duke privuar lirinë e tyre. Kështjella, monumenti më i madh i trashëgimisë historike dhe arkitekturore edhe në rang kombëtar, ka qënë dhe ka mbetur simboli i qytetit të gurtë. Historikisht flamuri që ngrihej mbi të, përcaktonte edhe në dorë të kujt sundimtari apo pushtuesi kishte rënë qyteti. Mbi kalanë e Gjirokastrës në rrjedhat e kohës janë ngritur shumë flamuj. Ftakeqësisht ata nuk kanë përfaqësuar vetëm pushtetin e sundimtarëve vendas, por edhe atë  të pushtuesve të huaj që e shkelën qytetin përgjatë historisë së tij 1500 vjeçare. Flamuri i Zenevizëve, Zenebishëve, i Gjin Bua Shpatës u zëvëndësua nga ai i perandorisë turke në 1417. Flamuri ynë kombëtar do të rikthehej mbi të disa shekuj më vonë, me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Patriotët gjirokastritë me në krye Hasan Xhikun e ringritën atë mbi kalanë shekullore në 4 dhjetor të vitit 1912. Por flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dy krenore u valvit fare pak. Lufta e Parë Botërore e gjeti qytetin të pushtuar nga ushtria greke dhe më pas edhe nga ajo italiane. Flamuri shqiptar do të ringrihej përsëri vetëm kur të largohej nga vendi, pushtuesi i rradhës. Përballja me fotografinë e vjetër në kohën e karantinës, ndoshta, do të kishte kaluar ashtu si ç’do herë tjetër, duke më zhytur në kujtime të largëta, të dashura dhe prekëse që më lidhnin me mikun tim më të mirë Ladin. Që pas atij takimi të beftë në sheshin e qytetit, ne nuk u takuam më. Ai u nda nga jeta krejt papritur dhe për pasojë fotografia kishte mbetur e çmuar, si dhurata e fundit nga ai, ndërkohë që ajo ishte ende pa emër, pa një histori të saj. Por, leximi i disa rradhëve në një fletore kujtimesh që “Mësuesi i Popullit” Thoma Papapano ka lënë në Arkivin Qëndror të Shtetit i dhanë fotografisë, një vlerë krejt tjetër dhe të rrallë për historinë e qytetit tim. Në një nga fletët e saj, poshtë titullit “Vatranët nga Amerika drejt Shqipërisë”, ishte shënuar viti 1920. Midis rreshtave të shkruar më tërhoqi vëmendjen paragrafi :

Në vitin 1920 erdhi në Gjirokastër, Batalioni i Vullnetarëve Shqiptarë, i atyre të rinjve patriotë, që u nisën që nga Amerika ku kishin emigruar, të vendosur të luftonin e të linin kokën për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së tyre të dashur.

Lufta për egzistencë e popullit shqiptar një shekull më parë filloi të më vijë para syve përmes informacionit mbi historinë e Shqipërisë që kisha marrë në shkollë. Por risi ishte fakti se, asnjëherë nuk e kisha ndjerë kaq afër atmosferën në të cilën jetonin banorët e qytetit tim në atë periudhë, kur kufijtë shqiptarë ishin më të kërcënuara se kurrë. Kjo atmosferë mund të ndjehej e plotësuar vetëm përmes gërshetimit të informacionit të fiksuar në foton e vjetër, me atë të fiksuar mbi fletoren e Papapanos. I ngarkuar nga populli ky mësues i nderuar, themeluesi i shkollës së parë shqipe të Gjirokastrës, i kishte pritur vullnetarët e Vatrës, në Hanin e Subashit.

Kur ata mbrritën në fund të brigjeve të qytetit, zuri një shi i madh me breshër, por ata të veshur më së miri u rreshtuan dhe me bandën “Vatra” përpara hynë në qytet.

Trupa e vullnetarëve të Vatrës përbëhej nga 215 djem emigrantë, shumica e të cilëve ishin nga Shqipëria e Jugut. 34 prej tyre ishin djem gjirokastritë. Vullnetarët shoqëroheshin edhe nga Banda Kombëtare e Vatrës e cila përbëhej nga 37 antarë. Misioni i tyre ishte rivendosja e autoritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Kjo po ndodhte edhe në Gjirokastër. Pikërisht për këtë moment flet fotografia që miku im më dhuroi 4 vjet më parë. E shkrepur në prill të vitit 1920 ajo feston këtë pranverë të munguar, 100 vjetorin e saj. Në të është fiksuar ceremonia e aktit çlirues të qytetit. Fotografia dëshmon se festa e çlirimit ndiqet nga qindra banorë të Gjirokastrës. Qeleshja e bardhë, pjesë e kostumit tonë kombëtar, ka pushtuar sheshin. Të tërheq vëmendjen gjithashtu rregullsia e organizimit të saj, protokolli i ndjekur që shfaqet, jo vetëm në mënyrën e pozicionimit në sheshin qëndror të qytetit, që atëherë quhej “Sheshi i policisë”, por edhe të personaliteteve pjesmarrëse në të. Bien në sy përfaqësuesit e komuniteteve fetare, klerikët e nderuar Baba Sulejmani, At Stafrovor Papapano dhe rradhë të gjata ushtarakësh. Kushtet e motit për të cilat flet Papapano në kujtimet e tij, janë fiksuar në foto përmes dhjetra çadrave të hapura që banorët mbajnë në duar. Pjesmarrja e vullnetarëve të Vatrës dhe bandës së tyre i dhanë, jo vetëm peshën e duhur, por edhe atmosferën paqësore ceremonialit të dorëzimit të Gjirokastrës nga pushtuesit italianë tek përfaqësuesit e pushtetit vendor. Rrugëtimin e gjatë e plot sakrifica të flamurit shqiptar mes akteve pushtuese dhe çliruese, populli e ka gdhendur në vargjet e njohura

Shqipëria shkëmb e gur

Vritet, pritet për flamur

Ata hiq, e tinë vur…

Tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë patriotët Hasan Xhiku, Thoma Papapano, Kapo Topulli e Idriz Guri po e ringrinin atë për herë të dytë mbi kështjelllë. Vetëm pas marrjes së qytetit, patriotët gjirokastritë u nisën në mbrojtje të Vlorës. 100 vjetori i fotografisë dhuratë, përkon kështu me 100 vjetorin e Luftës madhështore të Vlorës.

Pamja e kalasë së qytetit që nga dritarja e shtëpisë sime, vijon të më shoqërojë përgjatë karantinës Covid 19. Por pavarësisht madhështisë që ajo ka, në ditët e kësaj pranvere të pa shijuar, ngjan e trishtë. Ky është ndoshta rasti i vetëm në historinë e saj, kur ajo nuk i afron dot mbrojtje banorëve të qytetit. Mungesa e vizitorëve e ka lënë atë të heshtur gjatë ditës dhe në erresirë gjatë mbrëmjes, errësirë e cila e ndihmon të fshehë sadopak, kontrastin midis forcës së dikurshme të gdhendur në arkitekturën e saj, dhe pamundësisë së tanishme. Këto rrija e mendoja një mbrëmje, kur papritur mbi muret dhe bedenat e kalasë shekullore u projektuan tre ngjyra; jeshile, e bardhë dhe e kuqe. Flamuri Italian i hequr 100 vjet më parë po “ringrihej” mbi simbolin e qëndresës së qytetit tim. Ashtu si shumë të tjerë edhe unë isha pjesëe atyre që e përshëndetën me gjithë shpirt këtë gjest kaq fisnik, kaq njerëzor. Kishte ditë të tëra që Kovd 19, kishte gjunjëzuar vendin fqinj, Italinë. Ndoshta për herë të parë që nga koha e Skënderbeut, dy vendet tona kishin përsëri të njëjtin armik të përbashkët, i cili po trondiste dhe pushtonte ndërkohë gjithë botën. Mbyllja e kufijve për tu mbrojtur nga komshiu i virusuar, sepse më kujtoi fjalën e urtë: Ç’ndodh në gjitoni, prite në shtëpi. Nuk e di pse bota po më dukej më e vogël se kurrë, dhe kufijtë me fqinjët, si gardhet që ndajnë avlitë dhe bahçet gjirokastrite nga njera – tjetra.

Vullnetarët e dikurshëm të ardhur nga Amerika për të mbrojtur vatrat e tyre, më ngjasonin kaq shumë sot me vullnetarët e bluzave të bardha shqiptare, që po i linin këto vatra, për të  shpëtuar jetët e banorëve të vendit kufitar, ku në ç’do 24 orë shuheshin njëmijë jetë njërëzore. Padashur ju ktheva përsëri fotografisë dhuratë. Në datëlindjen e saj të 100 – të, ajo po e gjente qytetin krejt ndryshe. Përfaqësuesit e pushtetit vendor të Gjirokastrës flamurin e ulur para një shekulli, e kishin “ringritur” mbi kështjellë. Simboli nuk ka ndryshuar. Ashtu si atëherë edhe tani, kjo është shenja  treguese se nën pushtetin e kujt ka rënë qyteti. Gjirokastra dhe banorët e saj në një farë mënyre ishin pushtuar përsëri, por kësaj here nga humanizmi, ndjenjat e fisnikërisë, dhe solidaritetit. O zot sikur të gjitha kështjellat e botës të “pushtoheshin” njëherazi nga kjo ndjenjë, mendova për një çast. Përfundimi i hymnit kombëtar të vendit fqinj, që shoqëroi kohëzgjatjen e projektimit të flamurit italian mbi kështjellë, më ngjau me mbylljen e një spektakli madhështor në fund të të cilit nuk mund të qëndrosh pa duartrokitur. Duartrokita. Duartrokita edhe pse më duhet të pohoj se, shpesh imazhit të fotografisë së vjetër, i mbivendosej imazhi i flamurit të projektuar mbi muret e kështjellës. Në të dy ngjarjet ishte në qendër e njëjta kështjellë, i njëjti flamur. Megjithëse në pamje të parë, kjo e gjitha ngjante tejet kontradiktore, në fakt nuk ishte aspak e tillë. Nën tronditjen dhe ankthin që kishte sjellë Covid 19, dukej se gjithçka po ridimensionohej me shpejtësi. Individi si qënie shoqërore, raportet ndërnjerëzore dhe ato ndërshtetërore.  Në kushte e rrethana të tjera, përvjetori i 100-të i çlirimit të qytetit sigurisht që do të ishte festuar me madhështi të jashtëzakonshme. Por para nesh, ashtu si edhe para gjithë botës u shfaq një tjetër pushtues, Covid 19. “Flamuri” i tij me kurorën e njohur ishte ngritur mbi planetin tonë. Përveç të tjerash kjo do të thoshte se toka jonë e përbashkët, ashtu siç kishte një ditë pushtimi do të kishte sigurisht edhe një ditë çlirimi.

Mora edhe njëherë në dorë fotografinë dhuratë e cila tashmë ishte plotësuar me historinë e saj. Poshtë emrit të dhuruesit të saj, mikut tim të mirë Ladi, shënova edhe faktin se fotografia, ishte porosia që banori i lagjes Meçite, Kasëm Shaqir Çabeu i kishte bërë fotografit të qytetit  në 24 prill të vitit 1920. 100 vjetori i saj më nxiti të nëvizoj edhe disa përvjetorë të tjerë që e bashkëshoqërojnë atë në vitin 2020.

105 – vjetori i krijimit të Trupave Vullnetare të Mbrojtjes nga Akif Përmeti.

105 – vjetori i Krijimit i Bandës Kombëtare të Vatrës me dirigjent Thoma Nasi.

100 -vjetori i performimit të parë të një bande frymore në Gjirokastër.

Katër muaj pas shkrepjes së kësaj fotografie, populli shqiptar do të shkruante epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës.

U shfrytëzuan :AQSH Thoma Papapano Kujtime, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit botim 2014, Foto Gjirokastra sot Vilson Kuçi

   ILIRJAN LLURI