Fermerët e fshatit Veliternë në Maliq kanë protestuar këtë të premte për mungesën e ujit vaditës.
Ata shprehen se sasia e ujit që shpërndahet nëpërmjet kanaleve vaditëse është e pamjaftueshme, duke rrezikuar dëmtimin e prodhimeve bujqësore gjatë sezonit të verës.
Sipas tyre, kjo situatë përsëritet prej vitesh, për shkak të mungesës së menaxhimit të duhur nga autoritetet përkatëse.
Nga ana tjetër, Besnik Dervishaj, roja i ujit të fshatit, pohon se uji ndahet në mënyrë të barabartë mes fshatrave të zonës së Maliqit. Megjithatë, sipas tij, gjatë sezonit të verës është e pamundur që rrjeti ujitës të përballojë fluksin e kërkesave për vaditje nga të gjithë fermerët njëkohësisht.
Fshati Veliternë është një nga zonat me prodhimtari të lartë bujqësore, veçanërisht në kulturat e qepës dhe patates, të cilat kërkojnë ujitje të shpeshtë për të arritur rendimentin maksimal.