Një listë e detajuar me 44 artikuj të shportës, ku dominojnë ushqimet, tregon se ndërmjet janarit 2024 dhe atij 2025, çmimet në shumicën e tyre u rritën më shumë se inflacioni mesatar prej 2.1% i vitit të kaluar.Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritjen më të madhe të çmimeve në janar 2025 në krahasim me janar 2024 e kishin limonët me 42% më shumë, fasulet me 37.5%, mishi i pulës me 24.4%, patatet me 13.1%, ullinjtë me 12.2%, mishi i viçit me 8.6% etj. Një kilogram fasule kushtoi mesatarisht 317 lekë në janar 2025 nga 230 lekë në të njëjtin muaj 2024. Ndërsa një kilogram nga mishi i pulës kushtoi 596 lekë nga 479 lekë që ishte në janar 2024 (shiko grafikun e mëposhtëm).
Gjithashtu zarzavatet dhe bulmetrat u rritën me ritme dy herë më të larta se inflacioni. Në janar 2025 një kilogram domate kushtoi mesatarisht 177,6 lekë 5.2% më shumë se në janar 2024, ndërsa një kg kastravec kushtoi 184 lekë ose 6.3% më shumë se në janar 2024.
Në krahun tjetër 10 artikujt kryesor të shportës shënuan rënie të çmimeve ndërmjet 2024 dhe 2025. Në janar të këtij viti një kg spec kushtoi 14.5% më lirë se në janarin 2024, qepa e thatë 13.2% më lirë, molla-13%, Benzina -1.4%, nafta -8.1%, Gazi -5.8%, Vaji i Lulediellit -5.7%, etj.