Në përvjetorin e 75- të ditëlindjes së Xhevahirit tonë po e postoj këtë foto ku rasti a fati na bëri bashkë. Ishim ngjitur përmes pyllit me bredha e pisha të Hotovës, kishim folur për Naimin e për të tre vëllezërit me radhë e, sa mbëritëm në Frashër, Xhevoja tha: “E di, nga ana tjetër e Frashërit është Malindi im”. Sot e mendoj: trevë poetësh njerëzish të mëdhenj! Atë ditë ishim thjeshtë dy shokë, rastësisht bashkëpatriotë, të ardhur me shërbim për reportazhin e ngjarjes. Xhevoja edhe atëherë ishte poet, po jo me emrin që ka sot. Ajo shprehja ” nga ana tjetër e Frashërit është Malindi im” sot nuk ka kuptim thjesht gjeografik, si themi Frashëri i Vëllezërve Frashëri themi dhe Malindi i Xhevahir Spahiut! Xhevoja u vë emër gjërave. Duket si në përrallë: ai e gjen fjalën, e bën varg, e kthen në gjerdan xhevahiresh. Tek gjithçka që prek e që bën vë diçka nga zemra e vet e nga emri i vet: xhevahiri i poezisë, xhevahir në tavolinë, mik xhevahir! Ndihem mirë që jam në krah të tij në këtë foto. Jam krenar që e kam mik e që e ndjej përditë në krah Jetë të gjatë, Xhevo i dashur, me poezitë e tua ke kapërcyer kohën, ke mbëritur në shekullin e ardhshëm!