Eksportuesit: Destabiliteti politik, rrezik për investimet

460
Sigal

Eksportuesit: Destabiliteti politik rrezikon pasoja shkatërruese për turizmin, eksportet e investimet

Përfaqësues të eksportuesve të Shqipërisë kanë bërë një deklaratë ku kanë shpalosur të gjitha problemet dhe shqetësimet që ka sjellë gjendja aktuale e trazuar politike në vendin tonë. Sipas deklaratës së eksportuesve, kjo situatë e krijuar po krijon një rrezikshmëri të lartë për të ardhmen ekonomike të vendit tonë. Në deklaratën e tyre unioni paraqet të dhënat e rënies së eksporteve gjatë fillimit të këtij viti, si dhe shqetësimet për cenimin e sezonit të ardhëm turistik dhe largimin e investuesve potencialë nga Shqipëria.

Deklaratë e Unionit të Eksportuesve të Shqipërisë

Unioni i Eksportuesve Shqiptar po ndjek me vëmendje e shqetësim të thellë situatën politike, ekonomike e sociale të vendit – bojkot të institucioneve e proceseve politike institucionale, dhunë reale e verbale kudo. Maksimumi i diskutimeve rreth çështjes, në termat e efekteve reale të drejtpërdrejta në ekonomi, është se kjo situate do ketë ndikim të madh negativ në sezonin turistik të ardhshëm – që padyshim përbën shqetësim serioz. Mirëpo, Unioni i Eksportuesve Shqiptar ngre alarmin që aktorët e faktorët që kanë sjellë këtë situatë apo/dhe kanë detyrim për menaxhim e stabilitet të vendit, duhet të ekspozojnë realisht pasojat tejet negative tashmë të ndodhura për ekonominë, për eksportet, për investimet e reja me kapital vendas apo të huaj dhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi, si dhe të marrin përgjegjësi e angazhim konkret për të gjetur zgjidhje e stabilitet që të mos agravojnë më tej dhe të minimizohen këto pasoja. Evidentojmë për ilustrim se sipas statistikave, muaji i parë i vitit u mbyll me 7.3% rënie të eksporteve krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2018 – tendencë e cila nëse vijon edhe më tej do japë impakt drejtpërdrejtë në mos hapjen e vendeve të reja të punës, rënien e investimeve nga sektori më vital i ekonomisë. Gjithashtu, krahas problemeve të zhvlerësimit të euros, mungesës së fuqisë punëtore dhe mos rimbursimit të TVSH-së, po t’i shtohet dhe destabiliteti, do ishte fundi i eksportuesve dhe fasoneve. Goditja e iniciativës dhe e besimit të sipërmarrjes se ‘në këtë vend mund të bëhet biznes qetësisht’, ku siguria e pronës dhe kapitalit ‘nuk rrezikohet nga dinamika revulocionare apo zhvlerësimi i proceseve institucionale’ do e dëmtojnë drejtpërdrejtë dhe në afatgjatë zhvillimin e shpresën për zhvillim të këtij vendi. Për rrjedhojë edhe Unioni i Eksportuesve Shqiptar u bashkohet gjithë zërave dhe faktorëve politik, institucional, social e mediatik vendas e të huaj, të cilët kërkojnë që arsyeja, kushtetuta, ligji, dhe institucionalizmi të jenë udhërrëfyes në vendimmarrjet e qëndrimet politike si e vetmja rrugë që garanton stabilitetin dhe progresin ekonomik të vendit – në emër të të cilit deklarohen të gjitha palët. Kryesia e Unionit të Eksportuesve Shqiptarë