Dr. Dasho: Nga QSUT te TVSH, urojmë të mos e bëjnë e pilot avionësh

245
Sigal

Nga QSUT, në krye të TVSH! Urojmë të mos e bëjnë dhe pilot avionësh!

 

Joti këta vjet të drejtimit të tij në QSUT, që gjatë pandemisë pati ndoshta performancën më të turpshme dhe tragjike të ndonjë qendre universitare në botë

Drejtori i QSUT-së largohet nga drejtimi i institucionit pasi fitoi konkursin për të drejtuar TVSH-në. Para 3-4 viteve, i njëjti person “fitonte” konkursin në QSUT duke konkurruar me një panel mjekësh dhe menaxherësh shëndetësorë nga më të aftët dhe me përvoja të gjata e të suksesshme në drejtim. Sot, në një “déjà vu” ai mund specialistë të spikatur të artit e kulturës apo intelektualë të njohur dhe gdhihet drejtor i TVSH-së.Por me ç’bilanc po ikën z. Joti nga shëndetësia? Po përmend disa fakte, të cilat çdo shqiptar i ka të freskëta në memorie.

Së pari, z. Joti la pas një QSUT të dorëzuar. Institucioni dikur lider i mjekësisë shqiptare sot shërben si furnizues pacientësh për spitalet dhe klinikat private. Reputacioni midis pacientëve është më i keqi që ka qenë ndonjëherë.

Së dyti, një QSUT që po braktiset nga mjekët dhe specializantët. Në dy konkurset e fundit të Fakultetit të Mjekësisë, për herë të parë në histori ka pasur më tepër kuota se specializantë. Së treti, një institucion që u bë armiku i mjekëve dhe infermierëve kritikë dhe me integritet. Dr. Vargu, Dr. Allkja dhe z. Jaçaj kanë qenë tre shembujt më të mediatizuar, por ka edhe shumë kolegë të tjerë që u zbuan nga z. Joti këta vjet të drejtimit të tij. Së fundi, një QSUT që gjatë pandemisë pati ndoshta performancën më të turpshme dhe tragjike të ndonjë qendre universitare në botë. 100% e pacientëve të prekur nga COVID që u intubuan, vdiqën. Çdo koment i mëtejshëm do të ishte i tepërt. Nuk dua ta paragjykoj konkursin e djeshëm të fituar nga z. Joti, por konkursi i tij i parë ishte një maskaradë. Secili prej qindra mjekëve që kishte në atë kohë QSUT-ja duhej të dilte fitues në një konkurrim të ndershëm me të…Sot, ne mjekët e shohim z. Jotin të ikë sikundër kemi parë të ikin edhe shumë të paaftë të tjerë para tij. Pyetjet që unë dhe shumë kolegë të tjerë kemi për shefat e z. Joti janë: A do të vijë koha kur vlerat e vërteta të QSUT-së të vijnë në krye të këtij institucioni?A do të përzgjidhet një drejtor i aftë ta nxjerrë QSUT-në nga llumi dhe ta rivendosë aty ku i takon, me një strategji të qartë afatgjatë dhe me një plan veprimi konkret për 2-3 vitet e ardhshëm?! Të presim dhe të shohim…

Zotit Joti që nga drejtor në Top Channel, “fiton” konkursin dhe bëhet drejtor në QSUT, pastaj “fiton” konkursin tjetër dhe bëhet drejtor në TVSH! Urojmë që një ditë të mos i teket të bëhet pilot avionësh se do të na marrë në qafë të gjithëve…