Bizneset dhe emigrantët / Rënia e euros po na falimenton, Banka Shqiptare po saboton ekonominë kombëtare duke mos ndërhyrë për stabilizimin e kursit

Bizneset eksportuese kanë akuzuar Bankën e Shqipërisë se po saboton ekonominë kombëtare duke mos ndërhyrë për stabilizimin e kursit, por edhe duke mos bërë transparencë. Në një konferencë për mediat, ata kanë paralajmëruar falimente dhe pasoja të rënda në ekonominë e vendit dhe janë treguar mjaft të ashpër në gjuhën ndaj institucioneve, teksa shtuan se bizneset prodhuese dhe eksportuese janë në limitet e ekzistencës së tyre.“Tashmë pasojat tepër të rënda nga mbiçmimi i lekut me kursin e këmbimit po shfaqin efektet e para. Në tërësi në ekonomi, humbje dyshifrore prej disa muajsh radhazi po japin efekte drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve, që të ardhurat i kanë nga remitancat, jo pak nga ata që i kanë kredi për shtëpi në euro”, tha Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve. Ai shtoi se specifikisht për bizneset eksportuese është i garantuar falimenti. Po ashtu, ata thonë se Banka e Shqipërisë ka refuzuar për të bërë transparencë për përmbushjen e detyrave ligjore që ka lidhur me ecurinë e këmbimit valutor. Këto stafe, që këshillojnë ekonominë është fakt që efektivisht po e çkëshillojnë atë, për shkak të mos njohjes së ekonomisë reale, por edhe papërgjegjshmërisë që ato kanë. Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë rol për të stabilizuar tregun e këmbimit valutor, por ka refuzuar për të bërë transparencë për përmbushjen e detyrave ligjore, që ka lidhur me ecurinë e këmbimit valutor për të shpjeguar me statistika e të dhëna të kuptueshme se çfarë ka ndodhur që po mbiçmohet monedha vendase në Shqipëri ndryshe nga kudo në Evropë, çfarë projeksioni dhe perspektivë ka kjo çështje? Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar nga banka e Shqipërisë. Bizneset eksportuese të parat, por edhe të gjitha bizneset e tjera dhe qytetarët ushtrojnë aktivitet ekonomik dhe financiar në ambient të pasigurt. Më tej, gjatë konferencës, një prej përfaqësuesve të tjerë, deklaroi se nga kursi i këmbimit kanë humbur 9 milionë euro. Më tej, ai paralajmëroi se nëse nuk merren masa do të ngrihen në protesta. Euro ka shënuar një rënie të ndjeshme vitet e fundit, por më e fortë ka qenë tkurrja këtë vit. Aktualisht një euro këmbehet afër nivelit të 100 lekëve, që është niveli historik më i ulët që kur euro doli si monedhë fizike në vitin 2002. Në krahasim me fillimin e vitit, kur këmbehej me 117.5 lekë euro ka rënë me 14.4%. Gjithashu edhe emigrantët janë të shqëtësuar për këtë situatë, siç dihet ato janë ndër kontribuesit më të mëdhenj në ekonomi .

NOA