Në 2013 kur Kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet u ndje i frustruar për shkak të borxheve, që kishte lënë qeveria e Berishës në atë kohë. Kreu i qeverisë u zotua se gropa e borxheve po paguhej nga qeveria e tij dhe kjo ishte një shembull i keq menaxhimeve të fondeve duke u zotuar se borxhet e prapambetura tashmë i përkisnin së kaluarës, pasi vendin nuk do e linte më në pikën që e gjeti. Por mesa duket jemi rikthyer në pikën zero, por akoma më keq në nivelin minus. 61 bashkitë në vend kanë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura gjatë tremujorit të dytë të vitit me 0.6 miliardë lekë, trend, i cili mund të jetë nxitur edhe nga fushata zgjedhore. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në fund të qershorit 2023, pushteti vendor regjistron një stok borxhi të papaguara kundrejt bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e rreth 6.6 miliardë lekëve. Afro 3 miliardë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, rreth 600 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1.9 miliardë lekë shpenzime të tjera. Por cilat janë bashkitë, që kanë më shumë detyrime? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës. Konkretisht në vendin e parë renditet Bashkia Tiranë me 2 miliardë lekë detyrime të papaguara, e ndjekur nga bashkia Kavajë me 777 milionë lekë borxhe, më pas renditet bashkia Vorë, detyrimet e secilës regjistrohen në 413 milionë lekë, Bashkia Pogradec me 273 milionë lekë dhe Lezhë me 230 milionë lekë. Më pas renditen bashkitë, Durrës, Kamëz, Mirditë, Dimal dhe Cërrik. Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Pustec, Shkodër dhe Kolonjë. Ka nga ato bashki që kanë bërë përparim në drejtim të shlyerjes së detyrimeve duke dalë nga top lista, siç ka edhe nga ato që kanë bërë të kundërtën. Këto borxhe janë detyrë e kryebashkiakëve të rinj për t’u shlyer, ndërsa për kryetarët që janë konfirmuar në detyrë situata financiare është më e qartë dhe ndoshta do t’i gjejnë me lehtë hapësirat për të ulur stokun. Tashmë me ligjin e ri të miratuar, bashkitë kanë si detyrim që 30 për qind të fondeve të papërdorura nga një vit më parë t’i përdorin për të shlyer detyrimet e prapambetura, ndërsa Ministria e Financave do të vërë në jetë një skemë që synon mbështetjen e tyre sipas performancës.






















