Presidenti Bajram Begaj / Takim me studentët e Universitetit të Mjekësisë: Do të shqyrtoj argumentet e tyre për ligjin për trajtimin e studentëve

55
Sigal

Presidenti i Republikës, prof. Bajram Begaj, priti në një seancë dëgjimore një përfaqësi të studentëve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe ndoqi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve, që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë. Ky ligj është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21/07/2023 dhe është aktualisht në fazën përmbyllëse pranë Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës, prof. Bajram Begaj, konsideron se konsultat me palët e interesuara gjatë procesit legjislativ janë një instrument i çmuar për vendimmarrjen institucionale. Në mbyllje të takimit, Presidenti siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese.

Studentët: Ndryshe nga të tjerët, Presidenti na dëgjoi

Studentët e mjekësisë dhanë një deklaratë për mediat këtë të martë, pas përfundimit të takimit të tyre me presidentin Bajram Begaj. Një nga përfaqësuesit e studentëve, Dea Guri tha: “Presidenti na dëgjoi së bashku me këshilltarët e tij në një tryezë diskutimi, më shumë një dëgjesë, për problematikat tona. Shprehu dhe ai qëndrimin e tij, ku do të konsultohet dhe shqyrtojë këtë projektligj, tanimë ligj të miratuar nga parlamenti i Shqipërisë dhe sigurisht, do të pritet në ditët në vazhdim se si do të jetë reagimi. Ne shkuam në takim si një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë, siç kemi bërë deri tani duke kërkuar takime me instanca apo me zyrtarë të ndryshëm. Takimi i sotëm ishte mëse serioz dhe paraqitëm çdo problematikë tonën në një tryezë, por se çfarë qëndrimi do të mbahet, nuk mund të japim deklarata mbi atë pjesë. Të shohim se si do të procedojnë. Presidenti u shpreh se do të shqyrtojë këtë ligj të miratuar tashmë nga parlamenti shqiptar dhe sigurisht do pritet në vazhdim se si do të jetë reagimi. Ne bëmë një takim si përfaqësi e studentëve të mjekësisë, siç kemi bërë deri tani duke kërkuar takime me instanca apo dhe me zyrtarë të ndryshëm, ky takim ishte mëse serioz dhe paraqitëm çdo problematikë tonën në një tryezë, por se çfarë qëndrimi do të mbahet s’mund të japim deklarata”. Studentët thanë pas takimit se presidenti i dëgjoi me vëmendje, ndryshe nga çfarë kanë bërë institucionet e tjera pararendëse dhe se takimet ku ata do të japin sugjerimet e tyre për politika përfshirëse dhe jo detyruese, do të vazhdojnë edhe në instanca të tjera.