Sigal

(Pjesa e dytë)

Sevo Tarifa

Është edhe kjo një çështje që e ngatërrojnë jo pak njerëz. Shumë prej tyre vënë shenjën e barazisë midis dashurisë dhe seksit. E reduktojnë dashurinë vetëm në marrëdhënie intime. Të mendosh kështu e ke kufizuar tepër dashurinë gjinore, e ke zvogëluar atë para dhe pas martesës. Ka disa arsye, pa shpjegimin e të cilave nuk mund të rrëzohet teza se “Dashuria dhe seksi janë baras”:

E para, dashuria është e pandarë nga seksi, por nuk është vetëm seks. Baza natyrore e dashurisë është vërtet prirja seksuale, por përmbajtja e saj është shumë e gjerë. Në përgjithësi dashuria dhe seksi shkojnë bashkë, por s’janë sinonime, s’janë e njëjta gjë. Ato shtrihen në kohë dhe në hapësirë. “Njeriu nuk mund të dashurojë gjithë ditën”. Ai e mbush kohën me veprimtari të ndryshme jetësore, familjare, shoqërore. Marrëdhëniet burrë-grua s’janë vetëm marrëdhënie intime. Janë marrëdhënie të ndërlikuara. Dashuria është e ndërsjellë, karakterizohet nga disa tipare me vlerë jetike: përzemërsi, emocione, nevojë, dëshirë, adhurim, shoqëri, simpati, miqësi, pasion. Dashuria është gjithçka, përveç urrejtjes. Raportet intime të çiftit zënë fare pak kohë në praktikën jetësore. Njeriu me kulturë dhe edukatë dashuron tek partneri me seks tjetër, para së gjithash, shokun e jetës, që i qëndron kurdoherë pranë e të dy bashkë kapërcejnë çdo problem familjar që u del përpara. Bota e njeriut është e pasur. Kërkesat e tij janë të shumta. Ato nuk janë vetëm biologjike e fiziologjike, por janë edhe ekonomike, kulturore, estetike, sociale. Mbi të gjitha është puna, pa të cilën nuk jetohet. I pari sigurisht është shëndeti, pastaj janë dashuria, bukuria dhe çdo gjë tjetër e nevojshme. Dita është e gjatë. Njeriu e zë atë me punë njerëzore të ndryshme. Jeta e tij është shumë dimensionale. Kur ka fëmijë kujdeset për rritjen, shkollimin dhe edukimin e tyre. Mendon e vepron si të përmirësojë jetën e familjes, si të pajisë më mirë shtëpinë. Bashkëshortët merren vesh dhe bëjnë një shëtitje, një vizitë tek të afërmit e tyre, tek shokë e miq; lexojnë etj. Atëherë, si na qenka dashuria baras seks? Një rrëfenjë e vjetër kineze thotë: “Mund të blesh seksin, por jo dashurinë”.

E dyta, njeriu prej kohësh është ndarë nga shtazët, nga epshet e tij. Është qenie e ndërgjegjshme dhe s’ka të bëjë aspak me instinktin seksual të botës së kafshëve. Dashuria gjinore e njeriut nuk është një shpërthim ndjenjash të pakontrolluara. Njeriu është i aftë të vetëpërmbahet. Vetëpërmbajtja e tij sundon mbi pasionet, mbi qejfet e çastit. Logjika e tij qëndron mbi ndjenjat. Zemra mund të dojë, por ç’thotë mendja? Zemrës nuk i duhen plotësuar të gjitha dëshirat. Tek njeriu komandën e ka dhe duhet ta ketë gjithmonë truri. Këto janë veçori që e dallojnë njeriun nga bota shtazore. Po të pranojmë që dashuria është baraz seks, atëherë do të arrijmë në përfundim të gabuar se edhe kafshët dashurohen. Dhe në këtë rast njeriun nuk do ta dallonte asgjë prej tyre. Realisht ndodh krejt ndryshe: epshet shtazore nuk pyesin, shpërthejnë kudo, në mes të qytetit, rrugëve, midis njerëzve. Kurse njeriu s’mund të krahasohet kurrë me kafshët. Ai ka nderin, turpin, arsyen dhe nuk lëshohet në dashuri si i eturi për ujë, që zhytet edhe dhe në baltë kudo që ndodhet.

E treta, nuk ka dashuri pa seks, por ka edhe seks pa dashuri. Ai që shkon në shtëpinë publike nuk ka dashuri për atë me të cilën kryen marrëdhënie seksuale. Ai shkon atje për t’u çliruar, mbaron “punë”, paguan dhe ikën. Ky është seks pa dashuri, seks për kuletë e përfitime të pështira. Ose ai që përdhunon, nuk niset fare nga ndjenja dashurie, por nga epshe shtazarake, nga një mendim dhe veprim çmendurie, aspak njerëzore. As ai e as vajza ose gruaja që përdhunohet, nuk ndiejnë asnjë lloj dashurie. Përkundrazi, këto të fundit ndiejnë neveri, urrejtje të thellë gjatë gjithë jetës për përdhunuesin. Në përdhunim s’ka dashuri, ka vetëm biologji. Nga ana e mashkullit ka instinkt, forcë. Kjo forcë e tij është një veprim jo vetëm fizik, por biologjik, seks pa dashuri. Përdhunimi është i dënueshëm me ligj. Madje diku dënohet edhe po ta ushtrojë dhunën edhe burri tek gruaja e vet! Kurse seksi me dashuri është përjetues, ai prek, bashkon dhe shkrin në një dy zemra që dashurohen, plotëson ndjenjat e tyre të pastra e të ndërsjella. Seksi është i bukur kur është rrjedhim i dashurisë së vërtetë. Marrëdhëniet seksuale nuk janë një akt i izoluar. Para këtij akti rëndësi kanë përkëdheljet. “Gruaja dhe mushka shtrohen vetëm me përkëdhelje”, – thotë një fjalë e urtë spanjolle. “Përqafimet, përkëdheljet, që të frymëzonte pasioni yt i çmendur, më bën të njoh, mund të them me gojën plot, një lumturi shumë të madhe, se ç’mund të ëndërronin të gjitha qeniet e tjera në këtë botë” (Y. Inue) Dashuria e vërtetë karakterizon gjithë jetën e njeriut, kurse çastet e marrëdhënieve intime janë vetëm një pjesë fare e vogël e saj. Pra, dashuria dhe seksi s’janë e s’mund të barabiten. Për sa i përket marrëdhënieve homoseksuale, as ia vlen kurrsesi të ndalemi, sepse ato nuk kanë të bëjnë fare me dashurinë e vërtetë, me këtë ndjenjë kaq të bukur njerëzore, të përjetshme sa vetë njeriu. Të më falë lexuesi i respektuar, se për ata kinse sot flitet për të drejtat e njeriut, për lirinë e tij., etj., po ka kaq shumë të drejta që duhen respektuar e vlerësuar dhe s’ka pse të shtojmë ndonjë “të re”, të cilën shoqëria e shëndoshë e mohon. Për mendimin tim e të psikiatërve, shfaqjet homoseksuale hyjnë në perversione mendore të fushës së seksit.