Pensionistët financiarisht të harruar

47
Sigal

Varfëria ka arritur  kulmin, 60% e qytetarëve nuk bëjnë dot as një javë pushime, pjesa dërrmuese mezi po blen ilaçet.Milionat e mbledhura nga taksapaguesit shkojnë për një grusht “oligarkesh”. Ndërsa pensionistët që kanë kontribuar një jetë të tërë për vendin dhe për ngritjen e pasurive publike mbeten në thërrimet e mazhorancës me 14 mijë lekë në muaj,kurse një deputet shqiptar merr pension suplementar mbi 1 milionë në muaj. Ja reagimet e ish-ushtarakut Pali Nito dhe Luftar Kuka

Pali Nito/ Çështja dhe problematika e keqtrajtimit financiar të pensionistëve është bërë legjendë alarmante dhe shqetësuese dhe që ka fituar tashmë të drejtën qytetare e që mesa duket zgjidhja ka mbetur e gozhduar, e ngrirë dhe që do të mbetet në kalendat greke. Opozita e tejngopur me premtime dhe me ovarda, ndërsa mazhoranca aktuale i josh me thërrime që janë asgjë dhe për asgjë, pasi me ato thërrime që u jep pensionistëve nuk zgjidhin asgjë, pasi ato janë hiçgjë dhe për asgjë. Armata e pensionistëve ka autorësinë, mundin, djersën dhe përpjekjet në ndërtimin e fabrikave, uzinave dhe veprave madhore e gjigande të ndërtuara prej tyre para viteve 90-të e që neve na duhet t’ju jemi mirënjohës përjetësisht. Në lidhje me këtë çështje E.Kant ka thënë: “Mosmirënjohja është kulmi i poshtërsisë” Përsa i përket aspektit financiar e theksojmë pa mëdyshje dhe pa ekujvokë se pensionistët me atë që marrin janë në kufijtë e mbijetesës dhe me shumë vështirësi përballojnë nevojat jetike. Për hir të së vërtetës kjo problematikë sociale për pensionistët është cekur, atakuar dhe analizuar disa here, por mazhoranca aktuale, as sheh, as dëgjon dhe as që e ka vënë ujin në zjarr që të reagojë, madje duhej që të reagonte me reflekse të shpejta për një zgjidhje dinjitoze ndaj problemit të rritjes së pensioneve, por mesa duket kësaj mazhorance nuk i funksionojnë shqisat e shikimit e të dëgjimit. Është e trishtueshme, e dhimbshme dhe është vërtetë për të ardhur keq pasi jo pak pensionistë po vdesin duke pritur pasi ligji i natyrës vepron verbërisht dhe ashpërsisht ndaj moshës së tretë që nuk i kursen jetët e pensionistëve.

Nga informacioni që disponoj mësova se qeveria do të japë në shtator një bonus prej 5000 lekësh për pensionistët ,por më duhet të theksoj dhe njëherazi të nënvizoj se ndaj problemeve të shumta sociale që kanë pensionistët ky bonus shteron , mbaron dhe firon sa hap e mbyll sytë. Zgjidhja e rritjes së pensioneve nuk janë bonuset, por rritja e pensioneve të paktën në atë masë sa t’u afrohemi vendeve të rajonit, përkundrazi vërejmë dhe konstatojmë një harresë, nëpërkëmbje, zhvleftësim dhe keqtrajtim nga politika, shoqëria dhe veçanërisht nga mazhoranca qeverisëse. Bonusi që do të jepet në shtator as që ua ndjen fare pensionistëve pasi është hiçgjë dhe për asgjë. Pensionistët nuk duan bonuse, por rritje pensionesh. Mësuam se para disa ditësh qeveria mori vendimin absurd për rritjen e pagave të deputetëve, funksionarëve dhe zyrtarëve të lartë qëndror dhe vendor. Themi vendimin absurd pasi pagat e funksionarëve dhe zyrtarëve janë goxha të larta dhe nuk ka motiv dhe arsye të arsyeshme e të justifikueshme për ngritjen e tyre. Në vend që mazhoranca të hidhte vështrimin dhe qasjen për rritjen e pensioneve, bën të kundërtën duke i lënë ata në harresë, të shpërfillur e të abandonuar e të keqtrajtuar. Është krejt absurde, paradoksale dhe e paprecedentë dhe po kaq e dhimbshme dhe e trishtueshme që pensionet kanë mbetur të stakuara e të ngrira prej dekadash dhe çuditërisht asnjë reagim, asnjë qasje dhe asnjë reflektim për zgjidhjen dinjitoze të këtij fenomeni social dhe arsyeja është jo se mungojnë paratë në buxhetin e shtetit, por sepse paratë vidhen dhe gllabërohen nga etja dhe pangopësia e pushtetarëve qëndrorë dhe vendorë. Më duhet të theksoj dhe njëherazi të nënvizoj forcërisht se sikur të mos kishte korrupsion dhe sikur të mos vidhej, shpërdorohej dhe gllabërohej përherë e në vazhdimësi, paratë do të mjaftonin e tepronin edhe madje duke i dyfishuar pensionet e duke e zgjidhur përfundimisht këtë plagë dhe gangrenë sociale që po i diskriminon, shpërfill dhe torturon materialisht, financiarisht, shpirtërisht, mendërisht dhe ekonomikisht pensionistët që janë shtresa më fisnike e shoqërisë.