Bashkia e Pustecit më e vobekta e qarkut Korçë – Nuk ka mjete për transferimin e mbetjeve në landfillin e Maliqit

832
Sigal

Aktualisht Bashkia e Pustecit gjendet në pozicion të vështirë financiar. Ndërsa i duhet të mbyllë tri fushat e mbetjeve në territorin e saj, në të njëjtën kohë i duhet të mendojë edhe për transportin e tyre në landfillin e Maliqit, por mundësitë financiare të saj janë minimale; ajo është bashkia më e varfër e rajonit të Korçës, e lënë pas dore për vite të tëra me radhë. Gjithsesi, kryetari i Bashkisë Pustec, Edmond Themelko, duke e parë si përgjegjësi realizimin e këtij projekti, përpiqet të gjejë zgjidhjet më të mira brenda mundësive që ka, por blerja e automjeteve nga ana e Bashkisë mbetet e pamundur, gjë që tregon gjendjen e mjeruar të saj. Në këtë bashki edhe shkalla e papunësisë paraqitet më e lartë se mesatarja e papunësisë për vendin tonë. Dhe kjo pamundësi financiare ndodh në një bashki që ka statusin e Parkut Kombëtar të Prespës, zonës së mbrojtur në nivel ndërkombëtar.Gjithashtu që nga shtatori i vitit 2008, Prespa është e përzgjedhura nga Lonely Planet si një nga njëzet destinacionet evropiane, por sërish ekonomia e saj lokale, ashtu si vite më parë dominohet nga bujqësia, nga një ekonomi tipike rurale me një aktivitet jo shumë produktiv, kur realisht duhej të ishte tejet ndryshe. Sot kjo bashki gjendet në dilemë si të dalë nga situata ku ndodhet me qëllim që mbetjet e riciklueshme të shkojnë në landfillin e Maliqit.
Në gjetjen e një zgjidhjeje
Kryetari i Bashkisë Pustec, Edmond Themelko, bën të ditur se në projektin për mbetjet e riciklueshme, Bashkia e Pustecit nuk figuron të ketë një pikë transferimi. Për këtë arsye Bashkisë do t’i duhet t’i çojë mbetjet direkt në landfillin e Maliqit, mirëpo automjete për kryerjen e këtij lloji transporti bashkia nuk ka. Dy mjete që kemi janë të amortizuara dhe e kanë të pamundur të transferojnë mbetjet në Maliq. Megjithatë, ne do të përmbushim pjesën tonë të detyrimeve, siç është mbyllja e tri pikave të grumbullimit të mbetjeve urbane, ndërsa në vijim do të shohim gjetjen e një zgjidhjeje për transferimin e tyre, pasi për Bashkinë e Pustecit është e papërballueshme. Madje edhe pse është kështu, në hartimin e buxhetit për vitin 2019 u munduam të planifikojmë mbulimin e kostove të transportit për në landfillin e Maliqit, por blerjen e automjtetit e kemi të pamundur. Gjithsesi, jemi në pritje të një automjeti të premtuar nga ana e shoqërisë aksionere. Me ardhjen e mjetit do të nisë dhe transporti i mbetjeve drejt landfillit të Maliqit, ku do të çohen vetëm mbetjet e riciklueshme. Ndërkohë, për mbetjet inerte do të caktojmë një venddepozitimi në territorin e Bashkisë. Me dy makinat që kemi, të cilat mund ta kryejnë këtë transport, do të bëjmë mbledhjen e mbetjet inerte në fshatra. Pra, mosecuria me ritmet e duhura në realizimin e këtij projekti është mungesa e mjeteve financiare, sepse buxheti i Bashkisë Pustec është i vogël, i paaftë për investime të qenësishme
Varfëria e Bashkisë Pustec e pajustifikueshme
Varfëria e Bashkisë Pustec në qarkun e Korçës është e pajustifikueshme, pasi në territorin e saj gjenden atraksione të shumta, si: Liqeni i Prespës me pamjet panoramike dhe ndërtesat e hershme të shekujve 13 dhe 14; ishulli i Maligradit, Kisha e Shën Mërisë, ishulli i Neolitit në afërsi të fshatit Kallamas; kompleksi nënujor në Staro Sello, rruga romake etj. Nuk mungojnë as shpellat dhe manastiret, pa folur për peisazhet piktoreske, për gërshetimin e vlerave tradicionale, kulturore e historike, me vlera të pasura arkeologjike dhe biospeleologjike, me biodiversitet shumë të pasur. Përreth vijës liqenore, Kallamas-Liqenas, zonë e përcaktuar si parësore për zhvillimin e turizmit, ekzistojnë plazhe ranore dhe shkëmbore, të cilat mund të kthehen në pika të preferueshme për vizitorët, nëse investohet për sistematizimin tyre, ndërsa Parku natyror kombëtar i Prespës ofron potenciale të tilla që mund të ndikojnë fort në rritjen ekonomike të popullatës lokale. Por Bashkia Pustec, sërish është e varfër!