Denoncohet tenderi 123 mln lekë për mbetjet te Materniteti ” Glozheni”

27
Sigal

Pastrimi i mbetjeve të rrezikshme është kthyer në një problem shqetësues për spitalet, pasi paratë shpenzohen, ndërsa plehrat mbeten aty. Nëse shkoni në spitale do të shihni përreth shiringa e mbetje të tjera të përhapura kudo. Dhe jepen fonde të mëdha për këtë qëllim. Tenderi për të cilin po raportojmë është me objekt “Eliminimi i Mbetjeve të Rrezikshme Spitalore me afat MK 12 muaj”, i cili është hapur në datë 7 shkurt 2024 dhe ka në dispozicion 123 milionë lekë. Drejtori i Maternitetit “Koço Gliozheni”, Genci Hyska, padyshim me një miratim të ministres Albana Koçiu, ka hartuar kriteret e duhura për një kompani të caktuar, për të mos e lënë rezultatin e tenderit në dorë të “rastësisë”.

Dy denoncime kundër

Ashtu sikur ndodh zakonisht ata kanë menduar që këtë herë të mbushin arkën e një prej oligarkëve që bashkëpunon për këtë lloj shërbimi. Gjithsesi, debati për ndarjen e parave të tenderit ka dalë jashtë institucionit tashmë, sepse dy nga kompanitë pjesmarrëse kanë denoncuar procedurën.

Kështu, më datë 13 shkurt 2024, firma ‘Eco Riciklim’ ka dorëzuar një ankesë pranë KPP për tenderin e Genci Hyskës. Në ankesë, pronari Arbër Teqja shprehet se në kriterin ku kërkohet një formular i posaçëm, është shkruar aq rrëmujë kërkesa sa nuk kuptohet cili është qëllimi dhe çfarë kërkohet konkretisht.

“Mënyra se si është formuluar kriteri, është e paqartë, pasi thuhet që: kontraktori dokumenton dhe regjistron në një regjistër të posaçëm, pra duket si detyrim që i kërkohet kontraktori ta zbatojë gjatë ekzekutimit të kontratës, dhe jo si kërkesë për kualifikim. Gjithashtu, nëse është kriter kualifikimi, nuk është e qarte mënyra se se si duhet përmbushur nga OE, pasi nuk është specifikuar çfarë dokumenti konkret kërkohet të paraqitet”, thuhet në ankesë.

Gjithashtu, në proces-verbalin e argumentimit të kritereve, nuk jepet asnjë informacion që shpjegon dhe argumenton vendosjen e këtij kriteri, ndaj dhe nga ana jonë përpara ankesës që u depozitua në AK, bëmë edhe një kërkesë për sqarim, e cila ende nuk ka marrë përgjigje.

Po ndërsa Hyska mendohej çfarë “përgjigje” t’i kthejë Teqjas, një tjetër bashkëpunëtor i dikurshëm e ka denoncuar tenderin.

Firma V.A.L.E. RECYCLING e Elvis Mirit ankohet për të njëjtën pikë të tenderit tek KPP. Ndërkohë theksohet që disa kritere janë krijuar për një kompani të posaçme dhe për të tjerët janë të paqartë.

“Duke qenë se ky kriter nuk është argumentuar nga AK kontraktor e kemi të vështirë të vlerësojmë apo të gjejmë dobinë apo rritjen e cilësisë së shërbimit që i sjell Autoritetit Kontraktor ky kriter për detyrime që operatoret ekonomik i kanë ndaj organeve që i kanë licencuar, dhe për çfarë vlerësohet i nevojshëm vërtetimi që operatori ka dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, raportet e vet monitorimeve periodike, për ekzekutimin me sukses të kontratës”, -shprehet kompania e Mirit.

Kështu për të njëjtën tender u bënë dy ankesa. Kjo duket më shumë si një luftë biznesmenësh të përkëdhelur duke fituar gjithnjë tenderët e spitaleve. Në fakt, më të besueshëm do të bëheshin nëse denoncimin do ta bënin në SPAK për “shkelje të barazisë në tendera” . Shqetësimi ynë është se Materniteti i Ri do të kthehet në fole mbeturinash, pavarësisht se cili do ta fitojë këtë tender.gijotina