Albert Z. Zholi: “Protestë” me poezi për Urën e Zogut

339
Sigal

Gjendja e mjerueshme e Urës së Zogut bën bashkë aktivistët dhe artistët për një protestë e rrallë në llojin e vet. Saktësisht, dje duke u nisur nga gjendja e mjerueshme e Urës së Zogut dhe degradimi i saj dita ditës, bëri bashkë aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të artit nga Lezha dhe Kurbini, në një aktivitet kulturor duke dhënë mesazhe me anë të poezisë për gjendjen e urës. Ndryshe nga se jemi mësuar t’i shohim herë të tjera duke protestuar, kësaj here menduan të vinin ndryshe duke sjellë në vëmendje dhe një herë rëndësinë e kësaj ure, e cila në dhjetor të vitit 2021 u rendit në vendin e 12 nga organizata ndërkombëtare “Europa Nostra” për nga asetet më të rrezikuara, dhe sot renditja e saj shkon në vendin e 7. Nga ana tjetër kryetari i grupit letrar Ndoc Gjetja shprehet se monumente të tilla mund t’i jetëzojmë duke i kthyer në arena për aktivitete kulturore. Edhe pse është një ndër monumentet me arkitekturën më të veçantë, ende nuk është marrë asnjë masë  nga ministria e Kulturës për të ndërhyrë në mirëmbajtjen apo rikonstruksionin e saj.

Historia e Urës

Menjëherë pas rikthimit në pushtet, Ahmet Zogu i kushtoi një vëmendje të veçantë ndërtimit të një ure mbi lumin Mat. Kishte ekzistuar një urë e ndërtuar nga austriakët, por që ishte shembur me tërheqjen e tyre rreth fundit të 1918-ës. Me anën e një ndihme financiare nga Italia, u fillua në vitin 1926 ndërtimi i kësaj ure, që u kushtëzua të ndërtohej nga një firmë italiane (pak a shumë e njëjta skemë që përdoret sot me cooperazione tecnica italiana).

Në fillim të majit 1927-të ura ishte pothuajse e përfunduar, ndërkohë që Ahmet Zogu e ndiqte personalisht, herë pas here, ndërtimin e saj. Ura ishte me një arkitekturë moderne dhe sot me të drejtë konsiderohet si objekt monumental në ruajtje, por Ahmet Zogut nuk i pëlqeu, pasi iu duk e ngushtë dhe e shtrenjtë për këtë gjerësi. Ai kishte jetuar për disa vjet në Vjenë, gjatë Luftës së I Botërore dhe kishte parë ajkën e inxhinierisë monumentale të kohës. Kur erdhi koha për ta marrë në dorëzim urën e përfunduar, Ahmet Zogu dërgon Abdurraman Krosin (Lalë Krosi), person i besuar i Zogut, pasi kishte qenë si një lloj kujdestari në rininë e tij të hershme në Stamboll, por që në fakt ishte i pashkolluar dhe shquhej për sjelljen e tij të vrazhdë. Lalë Krosi, hijerëndë, i shoqëruar me xhandarë dhe i vetëm me një bastun në dorë, shkon për të kontrolluar cilësinë e urës. Në çdo 10 metra godiste me bastun trarët metalikë të urës dhe thoshte : qeder ; qeder  (turqisht: shumë keq, e prishur). Italianët që po e shihnin nuk po i besonin syve. Pagesa e tyre nga Italia bëhej pasi të merrej në dorëzim nga pala shqiptare. Me anën e punëtorëve dhe specialistëve shqiptarë, u ndërmjetësua, nëpërmjet firmës italiane dhe Ahmet Zogut duke u rënë dakord për kthimin nga ana e tyre e një sasie parash. Zogu dërgon përsëri Lalë Krosin për ta marrë në dorëzim urën, i cili përsëriti të njëjtin ritual, por ketë herë duke thënë : sagllam, sagllam (turqisht: në rregull, saktë). Siç duket edhe nga kjo ndodhi, Ahmet Zogu e dinte mirë se, për të qeverisur mirë Shqipërinë, duhet, jo vetëm aspiratë perëndimore, por edhe dinakëri orientale…

Sipas gazetës “SHQIPNIJA”

E kujt nuk i ka bërë përshtypje kjo urë aq e bukur ndërtuar mbi lumin Mat, 85 -vjet më parë? Vite më parë, më 1925-ën, u bë dhe projekti i parë nga inxhinieri gjerman Back, duke marrë si pikë ndërtimi fushën e gjerë. Rryma e Janarit në vitin 1926 tregoi egërsinë e kësaj rryme. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën. Ura e Matit është një ndër më të bukurat në Ballkan. Sipas gazetës “SHQIPNIJA” me Drejtor Dr. Leonidha Naçi – (Tiranë, e martë 24/05/1927), në inaugurimin e saj morën pjesë deputetë, senatorë si dhe autoritete të Shkodrës e Lezhës. Është (po sipas gazetës në fjalë), një inaugurim solemn i më të parës vepër të madhe për dobi publike që Ministria e Punëve Botore (nën drejtimin e të palodhurit Ministër Musa Juka) kreu me iniciativën e vet plot energji….“Sa për punimin artistik të kësaj ure, e për hijeshinë e saj nuk mund të zhvillohet si duhet një përshkrim, e vetëm kush ka rastin me e pa, mbetet për të qenë i saktë, i impresionuar prej një vepre të artit kolosal.…. Sipërmarrja e kësaj godine prej inxhinier Mazorana &Co. e përfaqësuar prej inxhinierit të vet ekzekutues Z. Eruin Schnitter, me një zell e zotësi të shqueme brenda nji vjeti punimi e kreu pikërisht në bazë të kontratës, tue fitue në këtë mënyrë admirimin e simpatinë e gjithë atyne që kanë pasë rastin me këtë shoqni ndërtimi në punë e sipër”,- shkruan Cirilo Kasana. Kjo gazetë e ruajtur nga inxhinieri në fjalë i është dërguar familjes Juka dhe me disa shënime (kujtime), që kanë vlera të jashtëzakonshme, ndaj po i riprodhojmë sipas origjinalit.

Vlerat e shumanshme

Ura e Matit, e njohur edhe si ura e Zogut, ka funksionuar në mënyrë intensive deri para pak vitesh. Nga viti 1999, për vlerat e saj të shumanshme, Ura e Matit është shpallur zyrtarisht monument kulture në vendin tonë. Në gjendjen aktuale ajo ka pesë harqe me hapësira-dritë të njëjta, nga 54 m secila. Por, sikurse paraqitet edhe në një skicë teknike të vitit 1940, që ruhet në Arkivin Qendror të Ndërtimit, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore ajo ka pasur gjashtë harqe. Njëri prej tyre, i shkatërruar gjatë luftës, që u zëvendësua me një strukturë tip-tra. Ka qenë ndoshta një rastësi fatlume që në projektimin e saj u angazhua njëri prej themeluesve dhe personaliteteve më të shquara inxhinierike europiane të fushës së beton-armésë, profesori gjerman Emil Mërsh (Emil Mörsch, 1872-1950). Projekti është përgatitur nga profesor Mërshi në Shtutgart të Gjermanisë dhe është përfunduar prej tij në muajin maj të vitit 1926.

Pikërisht në ndërtimin e kësaj ure të veçantë, krahas specialistëve të tjerë – ndër të cilët dallohej inxhinieri i shquar zviceran Ervin Shniter (Erwin Schnitter, 1897-1980), i diplomuar nga Shkolla Politeknike e Zyrihut (Zvicër) – debutonte inxhinieri i ri i talentuar shqiptar Gjovalin Gjadri (Shkodër, 1889 – Tiranë, 1974). Me punën e tij në këtë vepër filluan të spikasin vlerat e veçanta profesionale të inxh. Gj. Gjadrit, figura e të cilit do të ngrihej gradualisht në përmasat e një personaliteti të shkencave inxhinierike. Gjovalin Gjadri mori mësimet e para në qytetin e lindjes, në Shkodër, kurse shkollën e mesme dhe studimet universitare për inxhinieri ndërtimi i kreu në Austri. Më 1925-ën ai kthehet në Shqipëri dhe deri më 1927-ën angazhohet në projekte dhe zbatimin e punimeve të objekteve të ndryshme ndërtimore të vendit, sikurse ishte dhe ura e Matit.