A duhet të dinë qytetarët se ç´bëhet në qytetin e tyre?!…

985
Sigal

Petrit BROKAJ

Në këta 28 vjet të ndërrimit të sistemit politik, në kuadrin e shkatërrimit të ekonomisë nën frymën kriminale të ” luftës kundër komunizmit” dhe të premtimit të “çekut të bardhë”, Vlora është qyteti që e pësoi më shumë se çdo vend tjetër sepse, veç arsyeve të mësipërme, përjetoi në ekstrem urrejtjen e Sali Berishës që, arriti kulmin në ngjarjet e vitit 1997. Edhe pas rimarrjes së pushtetit në vitin 2005, Sali Berisha nuk shfaqi asnjë shenjë pendese ndaj këtij qytetit që e katandisi si në ato vende që janë në luftë. I vetmi kryeministër që i dha Vlorës atë që ajo meriton, është Edi Rama. Gjatë qeverisjes së tij në këta 5 vjet, Vlora ka rifituar pamjen e një qyteti turistik, me një rrugë hyrëse që të tregon se, ku po futesh dhe me një shëtitore buzë detit që e ka bërë jetën e banorëve të saj dhe vizitorëve të shumtë, plotë gjallëri dhe të larmishme. Dhe, punime të tjera po bëhen të cilat, edhe pse bëhen në Vlorë, ato nuk janë vetëm për banorët e saj. Vlonjatët e duan shtetin dhe nuk e kanë kujtesën të shkurtër, qoftë kur Qeveria e radhës bën punë të mira, qoftë kur bën punë të dëmshme. Ajo mban mend me respekt gjithë çfarë është bërë kur Kryetar i Kom. Ekz. ka qenë Kristo Papajani e deri te më i fundit, Nedin Hoxha. Prandaj nuk harrohet Qeveria e Sali Berishës për urrejtjen që derdhi në këtë qytet gjatë qeverisjes së tij. Prandaj nuk do të harrohet edhe Edi Rama për vizionin e tij në restaurimin e gjithë qendrave të qyteteve. Në këtë shkrim vëzhgues, unë doja të ngacmoja vëmendjen e kujtdo që është shkaktar i problemit për të thënë se, gjithçka që bëhet, bëhet për popullin dhe nga xhepi i popullit. Atëherë?

  1. A duhet të dinë qytetarët se ç´bëhet në qytetin e tyre?!

Qysh nga fundi i muajit shkurt, në rrugën kryesore nga Skela drejt Sheshit të Flamurit, ka filluar rikonstruksioni i saj, i cili po bëhet pjesë-pjesë. Po kalojnë më shumë se shtatë muaj dhe ende nuk ka mbaruar segmenti i parë që nuk është më shumë se 800 m. Sipas specialistëve të kësaj fushe(të cilët në Vlorë janë shumë të aftë, por që nuk i përfillin), ritmet e punimeve janë nën kohën normale dhe tej kufirit të durimit. Gjatë kësaj kohe, ata që e kanë pësuar nga kjo mënyrë të punuari, janë bizneset dhe qytetarët që u duhet të ecin nëpër pengesa dhe njëshkolonë. Ka kaluar gjysma e dimrit të parë, kaloi gjithë behari dhe po hyjmë në dimrin tjetër. Ende pa përfunduar pjesa e parë, ka filluar pjesa e dytë. Çfarë problemi ka? Duket sikur firma (që nuk dihet kush është), punon në qejf të saj. As vet nuk do t’ia dijë për shqetësimet që ka shkaktuar me këto ritme si dhe radhën e punës, por as të tjerët, duket sikur, nuk kanë guxim që ta ngacmojnë. Cila është kjo firmë që punon kështu? Çfarë është projektuar? Kur do të përfundojnë punimet? A duhet të kenë kaq informacion qytetarët që, të dinë se ç´duhet të bëjnë me biznesin e tyre dhe si ta organizojnë kohën për të shkuar në punë ose për të përcjellë fëmijët në shkollë? Është një detyrim nga Bashkia e cila jep lejen e ndërtimit, që, çdo firmë ndërtuese, para se të fillojë punimet, duhet të vendosë një tabelë treguese. Është një lloj transparence që e vë firmën ndërtuese nën kontrollin e opinionit publik. Në rastin konkret, kjo nuk ka ndodhur. Dhe, jo vetëm në këtë rast… Kudo bëhen rikonstruksione rrugësh, por jo kudo rruga bëhet e gjitha e pakalueshme. Për mendimin e specialistëve vlonjatë, në këto raste, ose punohet në gjysmën e rrugës, ose hapet një rrugë tjetër dytësore. I njëjti problem është edhe për disa rrugë të nisura dhe të lëna përgjysmë.

  1. Prish shtëpi, të bësh kasolle

Në fakt, “kafshimi” i Pallatit të Kulturës në Vlorë, ka filluar menjëherë pas ardhjes së PD në pushtet. Nga një ambient solid i veprimtarive të larmishme artistike e kulturore, u copëtua në ambiente me qira. Deri në vitin 1990-91, në këtë Pallat, përcillej tërë jeta kulturore-artistike e gjithë Rrethit. Aty çelej ekspozita e përvitshme kombëtare e arteve figurative për talentet e reja, aty organizoheshin festivalet e grupeve folklorike të Rrethit dhe olimpiadat teatrale të qendrave të punës, aty ishte studioja e muzikës dhe koreografisë, ku përgatiteshin talentet e reja. Aty gjatë gjithë vitit çeleshin disa ekspozita të piktorëve dhe skulptorëve vlonjatë e të huaj, që mbylleshin me bashkëbisedimin artistik midis autorëve dhe kritikëve të kësaj fushe. Në sallat e tij promovoheshin libra e organizoheshin recitale poezish. Më pas, aty u hap Galeria e dytë e arteve figurative që plotësonte nevojën e ekspozimit të krijimeve të shumta të artistëve vlonjatë. Në atë kohë lindi dhe „shkolla e piktorëve vlonjatë“. Etj. Me pak fjalë, ky Pallat Kulture ishte i kulturës dhe pjesë e biografisë së jetës së këtij qyteti. Gjithë këtë e bënin ata që punonin aty. Sikur të zgjidhja disa prej tyre, do të përmendja kryetarin e Degës së Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës; Skënder Kamberin, drejtuesit e tij; Harallamb Fandi dhe Haxhi Dalipi, koreografin Guri Gjeçi e Vladimir Fejzo, dirigjentin Thanas Ҫaçi, regjisorin Halim Halimi etj. Po më pas, dhe.. ç’po ndodh sot? Ishte e justifikueshme që, pas ngjarjeve të vitit 1997, një pjesë e këtij pallati u shfrytëzua për zyra të Bashkisë. Por edhe pse godina e Bashkisë u dëmtua shumë rëndë nga djegia e saj, rindërtimi nuk zgjati më shumë se një vit, siç ndodhi sivjet! Megjithatë, nuk po hyjë në faktin që, zyrat nuk janë vetëm për ata që rrinë brenda, por edhe për shërbimin ndaj popullit. Më shqetëson fakti tjetër, pse ende është mendimi që, për t’i rënë shkurt, kur lind nevoja për zyra, zgjidhja gjendet te ambientet e Pallatit të Kulturës?! Çfarë mungon që dalin të tepërt shumë ambiente të tij? Pse u dashka që zyrat e Këshillit të Qarkut të vendosen këtu? Pse nuk u mendua që në këtë godinë të jetë edhe biblioteka e Qytetit e cila sot është në një vend që reziston vetëm në saje të punës pasiononte të drejtuesit të saj, shkrimtarit Lirim Hoxha? Pse? Ky është koncepti bashkëkohor për kulturën? E di mirë që, në Vlorë nuk mungojnë dëshirat, vizionet dhe njerëzit që e bëjnë këtë qytet qendër kureshtjeje për opinionin artdashës. Një shembull është, organizimi i Festivalit Ndër kombëtar të këngës folklorike. E kam përmendur edhe herë tjetër që, është puna këmbëngulëse e studiuesit të folklorit dhe publicistit Sejmen Gjokoli, që e ka kthyer këtë veprimtari në një festë të bukur tradicionale në prag të sezonit turistik. Pallati i Kulturës është shtëpia e artistëve dhe artdashësve. Mos ua zini këtë strehë atyre që e patën fat nga një kohë, kur mendohej më shumë për ta se, sa sot.

  1. PPP për katër zyra?!…

Që, ndërmarrja Rruga-ura, nuk ishte në vendin e përshtatshëm dhe kohët e fundit, ishte inekzistente, dihej shumë herët. Ka qenë një projekt që në atë vend do të ndërtohej një godinë për çerdhe dhe kopsht. Aktualisht, kjo ishte bërë domosdoshmëri për vet dendësimin e popullatës nga ndërtimet e reja që janë bërë. Nuk dihet kujt i ka shkuar në mendje që, pikërisht në atë vend, të mos bëhej një ndërtim për interesa të popullit, por një ndërtim për interesa të privatit. Ndofta, kështu duhet të jetë nisur, d.m.th. një godinë për interesa të përgjithshme, por në fund, duhet të jenë “ngatërruar” letrat, dhe përfundoi në një hotel me katër yje! Ai që e ka, le ta gëzojë. Kushdo që të ishte, do ta shfrytëzonte mikun këtu në Vlorë, apo në Tiranë. Nëse do ta shikojmë me syrin panoramik, aty u hoq një karakatinë dhe është bërë një gjë që e ka pastruar vendin. Por, nuk është ky problemi. Është me të vërtetë ironike dhe vetë demaskuese që, kjo, Qeveria jonë, qenka kaq e varfër sa, për katër zyra(që sot nuk i duhen sepse, ndërmarrja është në Gjirokastër), përdor skemën partneritet- publik-privat!… Deri këtu jemi katandisur?!…

  1. Një pyetje dashamirëse për KLSH

Hyj te njerëzit që vlerësoj punën tuaj. Kam mendimin se, me ju, ky Institucion, ka fituar dinjitet, besueshmëri dhe pavarësi. Është ky vlerësim që po ju drejtohem me një pyetje dashamirëse që besoj se, s’ka të bëj me sekrete pune, por me titullin e këtij shkrimi: “A duhet të dinë qytetarët se, ç’bëhet në qytetin e tyre?” Pra, pyetja ime është kjo: “A keni gjetur ju punime të pa dokumentuara në Lungomare?”